Skandal në SHBA: Peshkopi dyshohet se shpërdoroi mijëra dollarë donacione në bordellot e Meksikës
Një çështje që ka tërhequr vëmendje të madhe në SHBA përfshin një peshkop të Eparkisë Katolike Kaldease të Shën Pjetrit Apostull në San Diego, i cili po përballet me akuza serioze penale.
Bëhet fjalë për peshkopin Emanuel Shaleta, i cili është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të San Diegos, ndërsa dyshohej se po përpiqej të largohej nga vendi. Ai po përballet me akuza për përvetësim fondesh dhe pastrim parash, ndërsa çështja është në shqyrtim nga autoritetet amerikane.
Sipas prokurorëve, Shaleta dyshohet se ka përvetësuar rreth 272 mijë dollarë, të ardhura që lidhen kryesisht me pagesa qiraje në cash për ambientet e një salle sociale në pronësi të kishës. Hetimet sugjerojnë se fondet janë lëvizur nëpër llogari të ndryshme për të fshehur origjinën e tyre.
Por ajo që e ka bërë këtë rast edhe më të diskutuar janë raportimet që flasin për një “jetë të dyfishtë” të peshkopit. Sipas The Pillar, i cili publikoi i pari pretendimet, ai dyshohet se ka frekuentuar bordello në Tijuana.
Këto informacione janë përmendur më pas edhe nga NBC News si pjesë e hetimeve në zhvillim, megjithatë është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për raportime dhe jo për fakte të provuara në gjykatë.
Rasti ka hapur një debat të gjerë në SHBA mbi transparencën dhe kontrollin e fondeve në institucionet fetare, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht të vërtetën.
Ndërkohë, fati ligjor i peshkopit do të vendoset në gjykatë, ku pritet të shqyrtohen të gjitha provat dhe pretendimet që kanë tronditur opinionin publik./joq