Ishulli i Sazanit: Si e shtroi Edi Rama hap pas hapi rrugën për resortin 1.4 miliardë euro të Jared Kushnerit
Historia e projektit për ishullin e Sazanit, sipas pretendimeve publike dhe dokumenteve zyrtare të vitit 2017, rezulton të ketë nisur shumë përpara se të shpallej publikisht si investim strategjik. Sipas dëshmisë së ish-përkthyeses së FBI-së, Sibel Edmonds, diskutimet për Sazanin datojnë që në vitin 2016, periudhë kur – sipas saj – negociatat informale zhvilloheshin në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka deklaruar se pas zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, qeveria shqiptare iu afrua Jared Kushner-it, por se miratimi ishte formal, pasi marrëveshja, sipas saj, ishte konceptuar më herët. Ndërkohë që në SHBA pazari pretendohet se ishte mbyllur në mënyrë informale, në Shqipëri procesi mori formë zyrtare në prill 2017.
Fillimisht, projekti u paraqit si nismë për kthimin e Sazanit në një qendër vizitorësh për turizëm historik. Për këtë, u përdor Bashkia e Vlorës si njësi vendore, pasi ishulli ndodhet në territorin administrativ të saj dhe ishte në administrim të përbashkët me Ministrinë e Mbrojtjes. Vetëm një muaj më pas, bashkia u tërhoq nga iniciativa me argumentin e pamundësisë financiare, duke i hapur rrugë ndërhyrjes së qeverisë qendrore. Në vijim, Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit, nën drejtimin e Milva Ekonomit, propozoi që zhvillimi të realizohej përmes një partneriteti publik-privat (PPP), me arsyetimin se as ministria nuk kishte kapacitet për ta financuar projektin.
Hapat institucionalë u konkretizuan me firmosjen e Marrëveshjes nr. 2751, datë 5 prill 2017, mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Bashkisë së Vlorës dhe Ministrisë së Brendshme, kjo e fundit si strukturë përgjegjëse për sigurinë kombëtare. Më 28 prill 2017, u miratua Udhëzimi nr. 4360 “Për zhvillimin infrastrukturor dhe organizimin e vizitave turistike në ishullin e Sazanit”, i firmosur nga ministrja Milva Ekonomi. Vetëm një muaj më vonë, më 25 maj 2017, nisi puna për hartimin e koncesionit 30-vjeçar, i cili parashikonte një investim fillestar prej 450 milionë eurosh. Sipas skenarit të parë, kompania koncesionare do të përjashtohej nga taksat lokale dhe qendrore gjatë periudhës së kontratës, ndërsa për 10 vitet e para nuk do të ndante asnjë fitim me shtetin shqiptar, me argumentin se 50% e të punësuarve do të ishin banorë të Vlorës.
Me kalimin e kohës, projekti u transformua nga një investim prej 450 milionë eurosh në një plan për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë 1.4 miliardë euro. Në publik janë hedhur pretendime se përfitues të projektit do të ishin investitorë të huaj me lidhje të forta politike në SHBA, të cilët kishin vizituar disa herë ishullin me avion privat dhe jahte. Aktualisht, ishulli është dhënë për zhvillim privat, ndërsa investimi ende nuk ka nisur, çka ka ngritur debate mbi transparencën e procedurave, interesin publik dhe motivin real të marrëveshjes që e kaloi Sazanin nga një projekt “turizmi historik” në një ndër investimet më të mëdha të paralajmëruara në vend.