Lidhje


“Të jap 250 milionë $ nëse garon për një mandat të tretë”

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në vëmendje debatin për një mandat të tretë presidencial, pas një komenti të bërë gjatë një pritjeje në Shtëpinë e Bardhë, që u shoqërua me një ofertë financiare prej 250 milionë dollarësh nga një prej donatoreve të tij më të mëdha, Miriam Adelson.

 

Gjatë një aktiviteti festiv për Hanukën, ku ishte e pranishme edhe Adelson, e veja e miliarderit izraelito-amerikan Sheldon Adelson, Trump hodhi idenë e shërbimit për katër vite të tjera në Shtëpinë e Bardhë, shkruan A2 CNN. Edhe pse një veprim i tillë do të ishte i paprecedentë dhe gjerësisht i konsideruar antikushtetues, deklarata u prit me entuziazëm nga të pranishmit, të cilët nisën të brohorasin “edhe katër vite”.

 

Adelson, e cila ka dhuruar mbi 100 milionë dollarë për fushatat e Trump në ciklin e fundit zgjedhor, i tha presidentit duke i folur në vesh, se do t’i jepte edhe 250 milionë dollarë të tjera nëse do të mendonte seriozisht një kandidim të tretë. Më pas Trump kthehet nga publiku dhe thotë: “Ajo tha mendoje, do të të jap edhe 250 milionë dollarë të tjera”.

 

Avokati i njohur Alan Dershowitz, i cili e ka mbrojtur Trump gjatë procesit të shkarkimit (impeachment) dhe ka shkruar një libër të ri mbi mundësinë ligjore të një mandati të tretë, ka pranuar se çështja nuk është plotësisht e qartë nga pikëpamja teorike, por ka shtuar se nuk beson se Trump do të kandidojë realisht.

 

Megjithatë, Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së është i qartë: asnjë person nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë. Vetë Trump ka pranuar më parë se Kushtetuta nuk ia lejon një mandat të tretë, duke e cilësuar këtë si “për të ardhur keq”. /A2

XS
SM
MD
LG