Në Beograd mbahet Parada e Krenarisë nën moton “Për familjen”
Të shtunën, në kryeqytetin serb është mbajtur Parada e Krenarisë me moton “Për familjen”, në mbështetje të komunitetit LGBT+ (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë), ku janë përsëritur edhe një herë kërkesat për garantimin e të drejtave ligjore dhe mbrojtjes së këtij komuniteti, përcjell REL
Organizatorët e ngjarjes janë solidarizuar me protestuesit që prej muajsh kundërshtojnë pushtetin dhe kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, ku në nëntor të vitit të kaluar humbën jetën 16 persona nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të qytetit.
Në nderim të viktimave, gjatë marshit janë mbajtur 16 minuta heshtje, të cilat organizatorët i kanë përshkruar si një mesazh më të fuqishëm se çdo fjalim publik.
“Heshtja jonë duhet të jetë më e zëshme sesa ndonjë fjalim,” thanë organizatorët.
Komuniteti LGBT+ në Serbi vijon të kërkojë miratimin e Ligjit për partneritetin mes personave të së njëjtës gjini, si dhe Ligjin për identitet gjinor, që do të garantonte të drejtat e personave transgjinorë për të ndryshuar ligjërisht gjininë në dokumentet zyrtare.
Ligji për partneritet është hartuar prej vitesh, por nuk ka kaluar asnjëherë në Kuvend, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur haptazi kundër tij.
“Sa të jem unë në zyrë, ky ligj nuk do të miratohet,” ka deklaruar më herët Vuçiç.
Parada është mbajtur nën masa të shtuara sigurie, me prani të madhe të forcave policore nëpër rrugët e Beogradit. Disa rrugë janë mbyllur për qarkullim për të garantuar mbarëvajtjen e ngjarjes dhe për të parandaluar përplasjet me grupe kundërshtuese.
Në vitet e mëparshme, Parada e Krenarisë në Beograd ka qenë shpesh objekt i kundërshtimeve, dhunës dhe tensioneve, por pavarësisht pengesave, ajo organizohet çdo vit si një simbol i rezistencës dhe kërkesës për barazi dhe dinjitet njerëzor.
Organizatorët theksojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat që iu takojnë me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare, derisa të kenë barazi të plotë me pjesën tjetër të shoqërisë./hashtag