Lidhje


Parada ushtarake e Kinës, Xi, Putin dhe Kim bashkë në Pekin, Trump shpërthen: “Po komplotoni kundër SHBA”

Në sheshin “Tiananmen” në Pekin është zhvilluar një nga paradat më të mëdha ushtarake që Kina ka organizuar ndonjëherë, me rastin e 80-vjetorit të fitores ndaj Japonisë. Në krah të presidentit kinez Xi Jinping qëndruan dy figura të tjera të forta të botës autoritare, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Pamja e tre liderëve së bashku në podium është cilësuar si një mesazh i qartë sfidues ndaj Perëndimit.

 

Në fjalimin e tij, Xi Jinping deklaroi se “njerëzimi sot ndodhet përballë një zgjedhjeje mes paqes dhe luftës”, duke shtuar se “asnjë ngacmues nuk do të jetë në gjendje të na frikësojë”. Parada u shoqërua me një shfaqje gjigante të forcës ushtarake, përfshirë raketa balistike, tanke moderne, dronë dhe teknologji të avancuar që sipas analistëve ishte një demonstrim i hapur i fuqisë kineze.

 

 

Nga ana tjetër, reagimi më i fortë erdhi nga presidenti amerikan Donald Trump. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump akuzoi Xi, Putin dhe Kim se “po komplotonin kundër Shteteve të Bashkuara”. Ai theksoi se SHBA ka dhënë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kritikoi Kinën për faktin që, sipas tij, po përpiqet të risjellë një histori të rishkruar duke anashkaluar rolin amerikan.

Parada dhe bashkimi i tre liderëve shihen si një tregues i forcimit të boshtit Pekin-Moskë-Pyongyang, një bllok i ri politik e ushtarak që i dërgon një sinjal sfidues Perëndimit dhe sidomos SHBA-ve. Ky moment historik është cilësuar nga mediat ndërkombëtare si një skenë simbolike e formimit të një bote gjithnjë e më të ndarë mes fuqive autoritare dhe atyre perëndimore.

XS
SM
MD
LG