Dy motrave u mori jetën specialisti i MB, shisnin misra të kuronin vëllain 7 vjeç me leucemi

Në familjen Dhimaku në Sarandë ka pllakosur zija pas vdekjes së dy motrave, Elvisës 22-vjeçare dhe Rozinës 20-vjeçare, të cilat humbën jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e së dielës.
Mes lotësh dhe dhimbjes së madhe, të afërmit rrëfyen historinë e sakrificave të dy motrave që punonin ditë e natë për të ndihmuar vëllain e tyre të vogël, vetëm 7 vjeç, i cili vuan nga leucemia.
Halla e tyre, Shahidja, me dënesë kujtoi momentet e fundit përpara tragjedisë. Sipas saj, vajzat sapo ishin kthyer nga puna, por pas një pushimi të shkurtër u nisën sërish për në Sarandë, ku shisnin misra dhe produkte të fshatit për të siguruar të ardhura shtesë.
“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi. Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, rrëfen ajo me lot në sy.
Tragjedia ka rënduar edhe më shumë pasi i vogli nuk është ende në dijeni për humbjen e motrave të tij. Familjarët po mundohen ta mbrojnë nga e vërteta e hidhur, ndërsa kërkojnë me dëshpërim ndihmë për trajtimin e tij jashtë vendit.
Ndërkohë, e vetmja shpresë e familjes tani mbetet shpëtimi i të voglit, trajtimin mjekësor të të cilit e ka marrë përsipër Fondacioni Firdeus./joq