Lidhje


Kryeprokurori i Hagës kërcënohet për urdhër-arrestet ndaj Netanyahu dhe Gallant: Hiq dorë, ose…

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), Karim Khan është paralajmëruar se nëse nuk tërheq urdhrat e arrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ai dhe gjykata do të “shkatërrohen”.

 

Sipas burimeve të Middle East Eye (MEE,  paralajmërimi iu dha Khanit në maj nga Nicholas Kaufman, një avokat mbrojtës britaniko-izraelit në GJPN, i lidhur me një këshilltar të Netanyahu-t. Mësohet se një këshilltar ligjor i Netanyahu-t i kishte thënë Kaufman se ishte “i autorizuar” t’i bënte një propozim Khanit për t’i dhënë një mënyrë “për t’u tërhequr” nga vendimi i tij.

 

Sipas një shënimi zyrtar të takimit, që ndodhet në arkivat e GJPN dhe që është parë nga MEE, Kaufman i sugjeroi Khanit të aplikonte për të riklasifikuar urdhrat e arrestit dhe informacionin bazë si “konfidencial”. Kjo do t’i mundësonte Izraelit të kishte qasje në akuzat dhe të sfidonte ato në mënyrë jo publike.

 

Kaufman gjithashtu paralajmëroi se nëse do të merrte vesh se Khan po përgatitej të lëshonte urdhra të tjerë arresti për ministrat e ekstremit të djathtë izraelit, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, për promovimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor, atëherë “të gjitha opsionet do të hiqeshin nga tryeza”.

 

“Do të të shkatërrojnë ty bashkw me gjykatën,” i tha ai Khanit.

 

GJPN kishte lëshuar në nëntor 2023 urdhra arresti për Netanyahu-n, Gallant dhe liderin e Hamasit, Mohammed Deif, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me sulmet e 7 tetorit dhe ofensivën ushtarake të mëvonshme të Izraelit në Gaza. Deif më vonë është konfirmuar i vdekur. Që nga ajo kohë, të pandehurit izraelitë janë në kërkim ndërkombëtar dhe shtetet anëtare të GJPN janë ligjërisht të detyruara të arrestojnë ata, ndonëse shumë shtete janë treguar të rezervuara.

 

Raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, ka kritikuar shtetet që lejuan fluturimin e Netanyahu-t mbi hapësirën e tyre ajrore gjatë rrugës për në Shtetet e Bashkuara. Ajo theksoi se Italia, Franca dhe Greqia duhet të shpjegojnë pse i siguruan “kalim të sigurt” një personi që, sipas të drejtës ndërkombëtare, janë të detyruara ta arrestojnë.

 

Të tre shtetet janë nënshkruese të Statutit të Romës, traktati që themeloi GJPN-në në vitin 2002.

 

Kaufman deklaroi për MEE: “Nuk mohoj që i thashë z. Khan se duhet të kërkonte mënyra për të dalë nga gabimet e tij, por nuk kam qenë i autorizuar të bëj ndonjë propozim në emër të qeverisë izraelite dhe as nuk kam bërë.”

 

Sipas shënimit të takimit, të cilin e ka parë MEE, Khan dhe bashkëshortja e tij, Dato Shyamala Alagendra gjithashtu pjesëmarrëse në takim e interpretuan deklaratën si kërcënim.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga MEE.

 

Në kohën e takimit, Khan po përballej me hetime për sjellje të pahijshme seksuale. Dy javë më vonë, ai mori leje të pacaktuar pas publikimit të akuzave të reja për sulm seksual nga Wall Street Journal. Khan i ka mohuar me forcë të gjitha akuzat.

 

Takimi mes Khan dhe Kaufman ndodhi më 1 maj në një hotel në Hagë, sipas detajeve të zbuluara nga MEE.

 

Kaufman është një avokat mbrojtës në GJPN, aktualisht i përfshirë në mbrojtjen e ish-presidentit filipinas Rodrigo Duterte, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën për krime kundër njerëzimit gjatë fushatës së tij të ashpër kundër drogës.

XS
SM
MD
LG