Lidhje


Skema BANKERS, 4 Miliard € fitim nga shitja e naftës asnjë lek nuk iu dha shtetit!

Prej vitit 2006 deri në fund të 2023, Bankers Petroleum ka përfituar mbi 4 miliardë euro të ardhura neto nga nafta e Patos-Marinzës, pa përfshirë rentën minerare, ndërkohë që ka deklaruar vetëm rreth 800 milionë euro fitime neto. Megjithatë, kompania nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin për shtetin shqiptar, edhe pse ka përfituar miliarda nga shitja e naftës.

 

Kompania, tashmë në pronësi kineze, pretendon se nuk ka rikuperuar ende kostot e investimit dhe për këtë arsye nuk ka kaluar pragun e ashtuquajtur të “faktorit R” mbi 1, i cili do të detyronte nisjen e pagesës së tatimit në masën 50%, raporton Kapitali

 

 

Sipas marrëveshjes koncesionare, fitimi nga nafta duhej të ndahej përgjysmë me shtetin sapo ky nivel të arrihej, por Bankers ka shtyrë këtë moment disa herë.

 

Edhe pse në vitin 2013 ishte planifikuar të kapërcehej faktori R>1, ky objektiv nuk u realizua as në 2015, as në 2016, dhe as në vitet që pasuan. Faktori R vazhdon të mbetet nën 1, ndërkohë që kompania ka vazhduar të deklarojë fitime marramendëse dhe të arkëtojë shuma të mëdha, duke lënë pas puset e ndryshkura, mjedisin e dëmtuar dhe një vendburim të shteruar.

 

Bankers paguan vetëm rentën minerare, rreth 10% të prodhimit bruto, shumë më e vogël krahasuar me fitimin e raportuar ndër vite. Vetëm në dy vitet e fundit, kompania ka regjistruar mbi 110 milionë euro fitime neto, ndërsa destinacioni i parave mbetet i paqartë.

 

Me koncesionin që pritet të mbyllet pas 25 vitesh, rreziku që faktori R të mos arrijë kurrë mbi 1 mbetet i lartë, duke e kthyer pasurinë publike të Patos-Marinzës në një nga dështimet më të mëdha të menaxhimit shtetëror, ku miliarda euro janë tretur mes manovrave financiare, faturave offshore dhe abuzimeve të nënkontraktorëve./Kapitali

XS
SM
MD
LG