Shqiptari i RMV krahason çmimin e një produkti: Në Shqipëri 26 €, në Maqedoni 11 €

Një qytetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka ngritur shqetësimin për çmimet tepër të larta që ka hasur gjatë një vizite të shkurtër në Shqipëri. Ai ndau një rast konkret me një produkt të zakonshëm siç është një spray mbrojtës nga marka Nivea, i cili në Shqipëri kushton plot 2.519 lekë me këmbimin valutor aktual 26 euro, ndërkohë që në Maqedoni çmimi i tij është vetëm 659 denar, me këmbimin valutor aktual 11 euro ose 1.049 lekë
Ky ndryshim drastik në çmime në rastin konkret 15 euro diferencë më lirë në RMV se në Shqipëri, ngre pikëpyetje serioze mbi tregun shqiptar dhe mekanizmat që duhej të mbronin konsumatorin. Rasti në fjalë është vetëm një prej shumë të tjerëve, ku produkte bazike kushtojnë ndjeshëm më shtrenjtë se në vendet fqinje, duke rënduar xhepat e qytetarëve dhe vizitorëve njëkohësisht.
Kjo situatë ngre alarmin për mungesën e kontrollit dhe transparencës në formimin e çmimeve në treg. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të frenuar abuzimet dhe për të mbrojtur të drejtën për konsum të ndershëm dhe të arsyeshëm.
"Jam qytetar i Maqedonis se veriut (Shqiptar), isha ne vikend ne Shqiperi dhe i shikoj cmimet sa te larta jan te ju, me ra ne sy ky spray mbrojtes Nivea 2.519 leke ne Shqiperi kurse ne Maqedoni: 11 euro ne Maqedoni", shkruan qytetari.
Nuk është ky rasti i evtëm. Ka shumë produkte të cilat në vendet e rajonit i gjen më lirë. Shumë banorë të zonave kufitare në vend, zgjedhin të furnizohen në tregjet e Maqedonisë së Veriut apo të Greqisë, ku produktet janë më të lira dhe shpesh më cilësore.
Ky fenomen dëshmon për krizën e besimit tek tregu vendas dhe për nevojën urgjente të rregullimit të çmimeve./joq