Protestë masive në Spanjë, kërkojnë dorëheqjen e Sanchez

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Madrid në një protestë të organizuar nga opozita, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez për korrupsion. Protestuesit, shumë prej tyre me flamuj të Spanjës nëpër duar, u grumbulluan në sheshin Plaza de España duke kërkuar dorëheqjen e Pedro Sánchez.
Protesta u organizua nga Partia Popullore (PP), pas publikimit të disa audio-regjistrimeve, që pretendojnë se anëtarja e Partisë Socialiste, Leire Diez, kishte ndërmarrë një fushatë shpifjesh kundër një njësie policore që hetonte për korrupsion bashkëshorten e Sánchezit, vëllain e tij dhe ish-krahun e tij të djathtë.
Leire Diez i ka mohuar akuzat, duke thënë për mediat të mërkurën se po punonte për një libër dhe nuk vepronte në emër të partisë apo Sánchezit. Ajo gjithashtu ka dhënë dorëheqjen nga Partia Socialiste.
Kreu i PP-së, Alberto Núñez Feijóo, e ka akuzuar qeverinë për “praktika mafioze” dhe ka deklaruar se Sánchez ndodhet “në qendër” të disa skandaleve korruptive.
“Kjo qeveri e ka njollosur gjithçka: politikën, institucionet shtetërore dhe ndarjen e pushteteve”, tha ai në protestë, duke i bërë thirrje Sánchezit që të shpallë zgjedhje të parakohshme.
PP-ja vlerësoi se më shumë se 100 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa përfaqësuesi i qeverisë në Madrid raportoi një pjesëmarrje mes 45 mijë dhe 50 mijë vetëve.
Sánchez i ka hedhur poshtë hetimet kundër të afërmve të tij si pjesë e një “fushate shpifjesh” të orkestruar nga e djathta për të dëmtuar qeverinë e tij.
Ai erdhi në pushtet në qershor 2018 pas rrëzimit të ish-kryeministrit të PP-së, Mariano Rajoy, përmes një mocioni mosbesimi pas një skandali korrupsioni që goditi partinë konservatore.
Sipas sondazheve të fundit, PP-ja mban një epërsi të ngushtë ndaj socialistëve. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme priten të mbahen në vitin 2027./trt