Fondacioni GHF i mbështetur nga SHBA-të dhe I.zraeli pezullon ndihmën për Gazën

Përgatiti në shqip: Roald A. Hysa
GHF akuzohet nga ndërkombëtarët për shkelje të neutralitetit, si dhe po ndihmon Izraelin në keqpërdorimin e urisë dhe qasjes në furnizimet e ndryshme për të dëmtuar popullsinë palestineze . Ushtria izraelite paralajmëron se rrugët hyrëse për në vendet e shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) tani konsiderohen “zona luftimi”.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të pezullojë shpërndarjen e ndihmave në territorin e shkatërruar nga lufta të mërkurën (4 qershor 2025), një ditë pasi forcat izraelite hapën përsëri zjarr ndaj kërkuesve palestinezë të ndihmës pranë një vendi shpërndarjeje të GHF-së, duke vrarë të paktën 27 persona dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë.
Ushtria izraelite tha gjithashtu, se rrugët që të çojnë në qendrat e shpërndarjes së ndihmave do të "konsiderohen zona luftimi" të mërkurën dhe paralajmëroi se njerëzit në Gaza duhet t'i kushtojnë vëmendje njoftimit të GHF-së për të qëndruar larg.
Vrasja e njerëzve që kërkojnë me dëshpërim furnizime me ushqim ka shkaktuar një zemërim ndërkombëtar në rritje, dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili ka kërkuar një hetim të pavarur për vdekjet dhe që "autorët të mbahen përgjegjës".
"Është e papranueshme që palestinezët po rrezikojnë jetën e tyre për ushqim", tha Guterres.
OKB-ja dhe agjencitë e ndihmës kanë refuzuar të bashkëpunojnë me GHF-në, duke e akuzuar grupin për mungesë neutraliteti, dhe se është pjesë e militarizimit të ndihmës në Gaza nga Izraeli. Izraeli është akuzuar gjithashtu për “armatosje” të urisë në Gaza, e cila është shkaktuar nga një bllokadë disa mujore izraelite ndaj ushqimit, ilaçeve, ujit dhe mallrave të tjera themelore, që hyjnë në territorin e shkatërruar nga lufta.