Lidhje


200,000€ cash në banesë, deputeti socialist: S’kam vjedhur asnjë votë!

Pak ditë më parë, në media u raportua për një aksion të oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Elbasan, zhvilluar me urdhër të SPAK, në kuadër të një procedimi penal për krime zgjedhore.

 

Sipas informacioneve të publikuara, kontrollet ishin kryer në banesën e deputetit socialist Luan Duzha, ndërsa në një prej ambienteve të kontrolluara thuhet se janë gjetur 200 mijë euro cash dhe lista zgjedhësish.

 

Megjithatë, nga oborri i Kuvendit, përpara nisjes së seancës plenare të sotme, deputeti i PS-së hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.

 

“Është e gjitha një gënjeshtër, as nuk më kanë kontrolluar, as nuk më kanë marrë celularin, asgjë,” – deklaroi Duzha para gazetarëve.

 

Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë përfshirje në blerje votash dhe shprehu gatishmërinë të mbajë përgjegjësi personale nëse provohet ndryshe.

 

“Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg,” – shtoi deputeti socialist.

 

Ndërkohë, nuk ka ende një reagim zyrtar nga SPAK lidhur me pretendimet e ngritura në media apo deklaratat e deputetit./joq

XS
SM
MD
LG