Franca mund të njohë zyrtarisht Palestinën në qershor

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është shprehur ditën e sotme se ekziston mundësia që në qershor të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës si të pavarur, siç raporton media franceze.
Përmes një postimi në platformën “X”, Macron shkruan se një ditë më parë ndodhej në El-Arich, një zonë pranë Gazës, nga ku pa situatën emergjente nga afër. Pas një komunikimi me punonjësit humanitarë, si nga Gjysmëhëna e Kuqe egjiptiane, e shumë agjenci të tjera të ndihmës civile, Presidenti i Francës shkruan se “rifillimi i ndihmës, lirimi i pengjeve, një armëpushim dhe një rrugë drejt paqes janë absolutisht thelbësore”.
Kujtojmë se armëpushimi dështoi pas një sulmi më 18 mars në të gjithë Gazën. Numri i viktimave ishte mbi 400 persona, mes tyre fëmijë, gra dhe figura të larta të Hamasit./tvklan