Lapsus apo....?/Trump: Gaza ka qenë nën rrethim për shumë e shumë vite dhe është turp

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Donald Trump, tha se gjëra "shumë të këqija" po ndodhin në Rripin e Gazës dhe se do të shohë se çfarë mund të bëjë për rajonin. Gaza ka qenë nën rrethim për shumë e shumë vite dhe është turp. Shumë njerëz po vdesin në Gaza... Do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, tha Trump.
Presidenti amerikan njoftoi gjatë fluturimit të Air Force One se së shpejti do të presë në Uashington kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe do të diskutojë me të situatën në Lindjen e Mesme.
Netanyahu njoftoi intensifikimin e pushtimit ushtarak të Gazës me qëllim për të mbështetur planin e Trumpit për të zhvendosur palestinezët nga Gaza në Egjipt dhe Jordaninë fqinje, me qëllim rindërtimin e Gazës dhe shndërrimin e saj në një "rivierë të Lindjes së Mesme".
Ky plan u prit me kritika nga Egjipti, Jordania dhe pjesa tjetër e botës, ndërkohë Lidhja Arabe, me sugjerimin e Kajros, miratoi një plan për rindërtimin e Gazës që nuk përfshin zhvendosjen e popullsisë.
Që nga tetori 2023, më shumë se 50.500 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë./trtworld