Deklarata bombë / Izraeli i ka caktuar Edi Ramës ministrin e ri të Mbrojtjes, Ermal Nufin!
Në emisionin Zonë e Lirë të moderuar nga Arjan Cani, Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Enri Çeno, ka bërë deklarata të forta lidhur me emërimin e Ermal Nufit në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, duke e lidhur këtë vendim me interesa që, sipas tij, tejkalojnë kufijtë e vendimmarrjes së brendshme politike.
Në fjalën e tij, Çeno deklaroi:
“Po të shpjegoj shkurtimisht, pikërisht për Ermal Nufin. Edi Rama në qeverisjen e tij ka patur tre punëmbarues. ‘Koordinatorin’ me krimin e organizuar që flitet që është Ergys Agasi, koordinatoren me oligarkët që është Belinda Balluku dhe koordinatorin me investitorët ndërkombëtarë që është Ron Yeffet – ky izraeliti i famshëm që është tek Kayo, tek pjesa e armatimeve. Shërbimet informative, shërbimet partnere ndërkombëtare, kanë qenë pas këtij zotërie dhe janë akoma. Ka përgjime ambientale nga shërbimet partnere ku zotëria izraelit Ron Yeffet flet me disa ukrainas, përfshirë me një ish-deputet ukrainas, edhe ky i akuzuar në Ukrainë për korrupsion, në prezencën edhe të një diplomati të huaj këtu në Tiranë, ku flitet edhe për të gjitha aferat, bëhet fjalë për muaj përpara kjo, dhe ku Ron Yeffeti u drejtohet të tjerëve që koordinatori ynë që do të caktohet nga qeveria do të jetë zotëria që aso kohe ishte zëvendëssekretar i Këshillit të Ministrave, pra i Kryeministrisë, ndërsa sot e ke ministër të Mbrojtjes që do të firmosë të gjitha faturat që janë për Kayo, kërkesash dhe një sërë udhëzimesh të cilat do të drejtohen nëpërmjet koordinatorit që Ron Yeffet e ka zgjedhur dhe që sot e kemi ministër Mbrojtjeje. Bëhet fjalë për afera korruptive. Bëhet fjalë për armatime për të cilat Shqipëria nuk i ka kapacitetet për t’i prodhuar. Këto i deklarojnë sikur do të prodhohen në Shqipëri – një pjesë e këtyre do të shkojnë në Ukrainë, është një proces shumë i gjerë.”
Deklarata e Çenos përmban disa elementë thelbësorë: ai thotë se ekziston një rol ndikues i Ron Yeffet, i lidhur me kompaninë shtetërore të industrisë së mbrojtjes KAYO, në përzgjedhjen e figurave kyçe që mbulojnë sektorin e armatimeve. Sipas tij, ka edhe përgjime të pretenduara nga shërbime partnere ndërkombëtare që flasin për koordinimin e këtij procesi. Ai e lidh drejtpërdrejt pozicionin aktual të ministrit me firmosjen e dokumentacionit dhe faturave që kanë të bëjnë me projektet e KAYO-s.
KAYO është krijuar si kompani shtetërore me synimin për ringjalljen dhe modernizimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri, duke synuar investime dhe bashkëpunime ndërkombëtare në fushën e armatimeve. Akuzat e ngritura mbeten në nivel politik dhe kërkojnë reagim institucional ose verifikim të mëtejshëm nga organet kompetente. Deri tani, nuk ka një qëndrim publik nga Ministria e Mbrojtjes apo nga qeveria lidhur me këto pretendime.