Lidhje


Rrëfim tronditës i agjentes së FBI: Narkoshteti i Ramës lidhi interesat e Izraelit me ishullin e Sazanit!

 

Një rrëfim i detajuar i ish-përkthyeses së FBI-së, Sibel Edmonds, sinjalizuese e sigurisë kombëtare amerikane, paraqet një tablo të errët për funksionimin e shtetit shqiptar, duke e përshkruar atë jo si një vend ku krimi i organizuar vepron paralelisht me pushtetin, por si një strukturë shtetërore e integruar me krimin, me rrënjë që shkojnë që në vitet 1992–1993.

 

Sipas Edmonds, “Shqipëria nuk ka ishuj rezistence ndaj krimit. Ju nuk do të gjeni asnjë deputet apo drejtor departamenti që nuk është pjesë e shtetit mafioz. Përndryshe, ai person nuk do të ishte në atë pozicion.” Ajo thekson se krimi i organizuar nuk është një devijim i sistemit, por vetë mekanizmi mbi të cilin funksionon pushteti politik dhe administrativ.

 

Në rrëfimin e saj, Edmonds shpjegon se organizatat kriminale shqiptare kanë pësuar një transformim rrënjësor pas rënies së komunizmit: nga banda të dhunshme lokale janë shndërruar në rrjete kriminale globale, me rol dominues në transportin dhe shpërndarjen e kokainës. Ajo nënvizon se prodhimi mbetet në duart e kartelëve të Amerikës Latine, por kontrolli i rrugëve dhe logjistikës është marrë nga rrjetet shqiptare, të shtrira në Ekuador, Kolumbi, Brazil dhe Peru, si dhe në portet strategjike europiane të Rotterdamit dhe Antwerpit. “Këtu nuk flitet për kilogramë, por për ton,” deklaron Edmonds, duke shtuar se dominimi nuk realizohet përmes dhunës së hapur, por përmes korrupsionit sistemik, lidhjeve politike dhe mbrojtjes institucionale, çka i bën këto rrjete më të qëndrueshme dhe më pak të ekspozuara.

 

Një nga rastet që ajo e përdor për të ilustruar këtë ndërthurje mes politikës, interesave ndërkombëtare dhe strukturave kriminale është projekti i zhvillimit të ishullit të Sazanit. Sipas Edmonds, qeveria shqiptare ishte kontaktuar për këtë projekt nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, si dhe nga aktorë të rëndësishëm izraelitë në fushën e biznesit dhe teknologjisë. Ajo thekson se miratimi i projektit u shty qëllimisht deri pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, dhe se vetëm disa javë pas shpalljes së Trump si president i zgjedhur, procesi u përshpejtua. “Miratimi fillestar duhej të priste për zgjedhjet e Trump-it. Vetëm pasi Trump u shpall president i zgjedhur, procesi vazhdoi dhe kaloi nëpër miratim parlamentar sa për sy e faqe,” deklaron Edmonds. Ajo e cilëson projektin si “Ishulli i Satanit i Jared Kushner-it”, duke nënkuptuar se pas tij fshihen interesa që shkojnë përtej turizmit elitar dhe investimeve të zakonshme.

 

Edmonds sqaron se aktorët izraelitë të përfshirë nuk veprojnë domosdoshmërisht si përfaqësues zyrtarë shtetërorë, por si pjesë e një rrjeti ndikimi ku ndërthuren kapitali financiar, teknologjia e avancuar dhe lobimi politik ndërkombëtar. Sipas saj, Shqipëria është përdorur si një platformë e favorshme, për shkak të mungesës së kontrolleve reale institucionale dhe për shkak të gatishmërisë së elitës politike për të miratuar projekte strategjike pa transparencë dhe pa konkurrencë reale.

 

Në përfundim të rrëfimit, Edmonds e paraqet Shqipërinë si një model funksional të një “narko-shteti modern”, i cili nuk shpallet i tillë zyrtarisht, por që operon normalisht në marrëdhënie me kapitalin ndërkombëtar, projektet strategjike dhe aleancat politike. Sipas saj, ky model shpjegon pse investime të mëdha, projekte të ndjeshme gjeostrategjike dhe vendimmarrje politike kalojnë pa rezistencë reale institucionale, duke e kthyer vendin në një hapësirë ku krimi, politika dhe biznesi global veprojnë si një mekanizëm i vetëm.

XS
SM
MD
LG