Jo në emrin e Shqipërisë! Protestuesit denoncojnë takimin e Ramës me Netanyahun në Izrael
Me moton “Jo në emrin tim!” ditën e premte, qindra qytetarë u mblodhën në sheshin përpara Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë, për të denoncuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael dhe takimin me Benjamin Netanyahun.

Folësit nga podiumi i vendosur në shesh, kundërshtuan veprimin e kryeministrit Rama duke theksuar servilizmin politik të kreut të qeverisë në takimin me kryeministrin e Izraelit, i cili është i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale me akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte sa i takon gjenocidit që ai ka urdhëruar të kryhet në Gaza nga 7 tetori i vitit 2023.

Avokati Floriar Arapi theksoi keqpërdorimin e besimit që Rama i dha Netanyahut në përpjekje për ta rehabilituar atë ndërkombëtarisht dhe duke e rreshtuar Shqipërinë padrejtësisht në anën e padrejtë të historisë.

Avokatja Sabina Meta e vuri theksin te reagimi qytetar që kundërshton takimin mes dy kryeministrave dhe fjalën e Ramës në parlamentin e Izraelit në Jeruzalem, ku kreu i qeverisë shqiptare e shpërdoroi përfaqësimin e shqiptarëve në raport me gjenocidin e shtetit të Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza.

Egon Loli, gazetar dhe aktivist tha se veprimi i kryeministrit ishte servilizëm diplomatik për të shpëtuar nga problemet e brendshme me drejtësinë dhe se ai nuk e përfaqësoi as vendin dhe as qytetarët shqiptarë.

Edi Rama u takua në Izrael me Benjamin Netanyahun në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Izrael për aktivitetet e Ditës Ndërkombëtare që përkujton Holokaustin, si dhe mbajti një fjalim në parlamentin e vendit që gjendet në qytetin e Jeruzalemit.
