Lidhje


Rubio: Lëvizjet e I.zraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor e rrezikojnë marrëveshjen për Gazën

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut të uzurpuar Perëndimor, duke thënë se hapat e ndërmarrë nga Parlamenti izraelit dhe dhuna e kolonëve po e rrezikojnë marrëveshjen e paqes për Rripin e Gazës. Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për t’i çuar përpara dy projektligje që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, vetëm një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ndërmjetësoi një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare izraelite në Rripin e Gazës.

 

“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Rubio në lidhje me aneksimin, teksa u nis të mërkurën për një vizitë në Izrael.

 

Lëvizjet për aneksim “janë kërcënuese për marrëveshjen e paqes”, u tha ai gazetarëve.

 
 

Shtetet e Bashkuara janë mbështetësi kryesor ushtarak dhe diplomatik i Izraelit, dhe Rubio deri së fundmi ishte përmbajtur nga kritikat ndaj përpjekjeve për aneksim të mbështetura nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

 

Por, disa shtete arabe dhe islame, të cilat Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i angazhojnë për të ofruar trupa dhe fonde për një forcë stabilizimi në Gazë, kanë paralajmëruar se aneksimi i Bregut Perëndimor – i cili drejtohet nga Autoriteti Palestinez - është vijë e kuqe.

 

Bregu Perëndimor është ndër tokat që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe ku palestinezët, me mbështetje ndërkombëtare, kërkojnë ta krijojnë shtetin e vet.

 

Rreth 700.000 kolonë izraelitë jetojnë mes 2.7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi në një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve.

 

Izraeli nuk pranon të heqë dorë nga kontrolli mbi Bregun Perëndimor.

 

Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i vlerëson vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

 

Izraeli e kundërshton këtë, duke cituar lidhjet historike dhe biblike me këtë tokë dhe duke thënë se vendbanimet ofrojnë thellësi strategjike dhe siguri./REL

XS
SM
MD
LG