Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) konfirmojnë se viktimat civile në Gaza janë në nivele rekord. Të dhënat e klasifikuara nga inteligjenca ushtarake izraelite, të siguruara nga një investigim i gazetës britanike The Guardian së bashku me revistën palestineze “+972”, tregojnë se pesë nga gjashtë palestinezë të vrarë nga forcat izraelite në Gaza ishin civilë, një përqindje ekstreme që rrallë është arritur në dekadat e fundit të luftës. Në maj, 19 muaj pas fillimit të luftës, zyrtarët e inteligjencës izraelite kishin renditur 8 mijë e 900 luftëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez si të vrarë ose “me gjasë të vrarë”, sipas investigimit.

Në atë kohë, 53 mijë palestinezë ishin vrarë nga sulmet izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, një shifër që përfshinte luftëtarë dhe civilë. Luftëtarët e përmendur në bazën e të dhënave të inteligjencës ushtarake izraelite përbënin vetëm 17% të totalit, që do të thotë se 83% e viktimave ishin civilë.
“Kjo është një përqindje jashtëzakonisht e lartë e viktimave civile në raport me totalin, veçanërisht sepse vazhdon për një kohë të gjatë,” komentoi Therese Pettersson nga Programi i të Dhënave për Konfliktet në Uppsala, që mbledh dhe përpunon të dhënat e viktimave civile në të gjitha konfliktet aktive në botë.
Mund të ndodhë në një betejë ose episod të vetëm, por jo si mesatare gjatë gjithë konfliktit, shtoi ajo.
Shifra kaq të larta, vijoi ekspertja, janë regjistruar vetëm në Srebrenicë (por jo në tërë luftën boshnjake), gjenocidin në Ruandë apo rrethimin e Mariupolit në vitin 2022, sipas të dhënave të përpunuara që nga viti 1989./tvklan.al