Lidhje


Qyteti spanjoll u ndalon myslimanëve hapësirat publike për aktivitete fetare

Autoritetet lokale në qytetin juglindor spanjoll të Humilës ua kanë ndaluar myslimanëve përdorimin e hapësirave publike, siç janë palestrat sportive dhe ndërtesat komunale, për të festuar festat fetare. Ky ndalim, i pari i këtij lloji në Spanjë, u prezantua nga Partia Popullore konservatore (PP), e cila është në pushtet në atë qytet, raportoi Guardian. Gjatë miratimit të ndalimit, partia ekstreme e krahut të djathtë Vox abstenoi nga votimi, dhe përfaqësuesit e partive lokale të krahut të majtë ishin kundër tij.

 

Në shpjegimin e vendimit, thuhet se “objektet sportive dhe lokalet bashkiake nuk mund të përdoren për aktivitete fetare, kulturore ose shoqërore që janë të huaja për identitetin tonë, përveç nëse ato organizohen nga autoritetet lokale”.

 

Anëtarët e degës lokale të partisë Vox e mirëpritën këtë vendim, duke deklaruar se Spanja është dhe do të jetë gjithmonë një vend i krishterë.

 

Presidenti i Federatës Spanjolle të Organizatave Islamike, Munir Benzelun Andalusi Azhari, i tha gazetës El Pais se vendimi është “islamofobik dhe diskriminues”.

 

“Ata nuk shkojnë kundër feve të tjera, ata shkojnë vetëm kundër tonës”, tha ai, duke shtuar se ishte i befasuar nga rritja e fundit e retorikës dhe sulmeve raciste në Spanjë dhe se ndjeu frikë për herë të parë në 30 vjet./euronews

XS
SM
MD
LG