Lidhje


Vlora nuk është e shurdhër edhe pse në heshtje ajo dje u solidarizua me Gazën

VLORË – 27 korrik 2025/ Dhjetra qytetarë të Vlorës dolën në "fqinjësi me detin", në Lungomare të djelën pasdite për të shprehur zemërimin dhe dhimbjen e tyre – jo me thirrje apo brohorima, por me heshtje, ndaj një gjenocidi të papërshkrueshëm i cili po kryhet nën sytë e gjithë botës. “Marshimi i Heshtur” i mbajtur pasditen e së dielës ishte një protestë qytetare ndaj padrejtësisë, dhunës, grabitjes së pronës dhe shpërfilljes së zërit të atyre që janë më të dobët dhe të shtypur. 

 

Njerëz të moshave të ndryshme, e përçuan mesazhin e tyre me pankarta të ndryshme si psh: "Uria sështë armë është krim", "Heshtja vret", "Palestina e lirë" etj.


Me dhjetra qytetarë të Vlorës ecën krah për krah, pa brohoritur, pa parulla, por me zemrën plot. Ishte një marshim që nuk kërkonte zhurmë, por drejtësi. Një thirrje pa zë kundër padrejtësive, dhunës, mungesës së përgjegjësisë dhe humbjes së ndjeshmërisë shoqërore.

Në heshtje u thanë fjalët që nuk u dëgjuan prej kohësh. Në heshtje u kërkua drejtësi për ata që nuk kanë tashmë zë. Në heshtje, Vlora ngriti kokën lart. Vlora në heshtje por jo në harresë.

 

Ky ishte njoftimi paraprak i organizatorëve:

 

Një grup qytetarësh do të mblidhen për një marshim të heshtur përgjatë Lungomares, në akt solidariteti me fëmijët dhe popullin e Gazës që po përballet me uri sistematike dhe makabritet ekstrem.

 

Marshimi synon të shprehë një qëndrim njerëzor kundër indiferencës para tragjedive që po shohim në ekranet tona. Është një thirrje për ndërgjegjësim, dhembshuri dhe respekt për jetën njerëzore, e cila po merret në forma që brezat tanë nuk i kishin imagjinuar kurrë, përfshirë përdorimin e urisë si armë, teksa mijëra kamionë me ushqime presin vetëm të lejohen të hyjnë.

 

Populli shqiptar, i sprovuar me genocidin e Çamërisë dhe spastrimin etnik të Kosovës, ka qenë gjithmonë në anën e të shtypurit. Hapja e dyerve e shpëtimi i jetëve të hebrenjëve në Luftën II Botërore është një ndër krenaritë tona të mëdha. Po të njëjtin kah të drejtë duhet të vazhdojë të mbrojë, ashtu si i shkon përshtat me ndër cilësitë më fisnike të tij: dhembshurinë dhe shtrirjen e dorës për ndihmë.

 

Luftën vërtet nuk kemi fuqi ta ndalim, por ka mënyra se si mund të ndihmojmë, qoftë edhe duke mos e pranuar dhe mos e normalizuar mizorinë.

XS
SM
MD
LG