81 vite gj.enocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë teksa sot, e njëjta heshtje v.ret në Gaza.
Thursday, 12 June 2025 20:35

Mos harroni Çamërinë! Mos mbyllni sytë ndaj Palestinës! Çamëria një plagë e kombit tonë dje, dhe Gaza një plagë e njerëzimit sot. 81 vite më parë, në vitin 1944, shqiptarët e Çamërisë përjetuan një nga kapitujt më të errët të historisë së Ballkanit. Një gjenocid i organizuar, një spastrim etnik i pastër, një krim kundër njerëzimit. Shqiptarët e Çamërisë u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre autoktone, u masakruan, iu dogjën shtëpitë, u grabitën pasuritë dhe u zhdukën nga harta, jo nga historia por nga vëmendja e botës.
Sot, 81 vite më pas, ndërkohë që kujtojmë atë tragjedi, përpara syve tanë, në Gaza, një popull tjetër po i nënshtrohet së njëjtës logjikë barbare të gjenocidit. Me avionë, bomba, urrejtje dhe shkatërrim total, forcat izraelite po kryejnë një shfarosje sistematike të një populli të tërë, nën sytë e një bote që përsëri… hesht.
Nga Çamëria në Gaza, gjenocidi nuk ka kufi gjeografik.
Krimi ndaj çamëve u krye me justifikime politike, ashtu si krimi ndaj palestinezëve po arsyetohet me alibi të sigurisë. Në të dyja rastet, viktima është i njëjti, populli autokton.
Në të dyja rastet, shkatërrimi është total, fizik, kulturor, njerëzor, identitar. Sërisht në të dyja rastet, drejtësia mungon, ndërsa agresori nuk dënohet, përkundrazi mbrohet dhe legjitimohet nga fuqitë e mëdha.
Zerva i dogji shtëpitë dhe vrau çamët me bajonetë. Izraeli i shemb ndërtesat dhe i masakron civilët me raketa. Greqia grabiti tokat dhe pasuritë çame. Izraeli kontrollon çdo resurs dhe frymëmarrje të Gazës. Greqia fshiu gjuhën, fenë dhe emrin shqiptar nga Çamëria. Izraeli synon zhdukjen e çdo shenje palestineze nga faqja e dheut.
Në gjithë këto krime, e vetmja gjë që nuk ndryshon është heshtja!
Ajo heshtje e pështirë, ajo heshtje që i jep leje krimit të përsëritet..
Kujtesa është mbrojtja e fundit e njeriut!
Populli shqiptar nuk duhet të harrojë Çamërinë. Jo vetëm për të kërkuar drejtësi për bijtë tanë të masakruar, por edhe për të kuptuar se historia përsëritet kur harrohet.
Çështja çame nuk vetëm është çështje e së kaluarës, por është pasqyra më e qartë e padrejtësisë ndërkombëtare edhe sot.
Ne shqiptarët, që kemi provuar dhimbjen e shpërnguljes, të përjashtimit, të mohimit të ekzistencës sonë, kemi detyrimin moral të qëndrojmë krah viktimave të së sotmes, në Palestinë, në Gaza, në çdo cep të botës ku dhuna institucionale bëhet instrument shfarosjeje.
Nga heshtja lind bashkëfajësia.
Ashtu siç bota heshti për çamët, sot ajo hesht për palestinezët.
Asnjë shtet nuk ka të drejtë të ndërtojë paqen e vet mbi gjakun e popujve të tjerë. As Greqia dje, as Izraeli sot.
Kundërshtimi i gjenocidit nuk është çështje feje, ideologjie apo nacionaliteti, është detyrë njerëzore. Dhe heshtja, është zgjedhje që e kthen çdo njeri në bashkëfajtor të krimit.
Ajo çfarë kërkoj sot ?
• Drejtësi për shqiptarët e Çamërisë, për pronat, jetët dhe historinë e shkatërruar.
• Njohjen ndërkombëtare të gjenocidit ndaj tyre, si precedent i dhimbshëm që nuk guxohet të harrohet.
• Solidaritet me popullin palestinez, me një qëndrim të qartë politik dhe moral, pa ekuivoke.
• Zgjim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, për të mos lejuar që ne vetë të bëhemi pjesë e një bote të verbër dhe të pashpirt.
Mos harroni Çamërinë. Mos lini vetëm Gazën. Mos pranoni asnjëherë që krimi të bëhet normë.
Sot, kur të kujtojmë viktimat e Çamërisë, të lutemi edhe për viktimat e Gazës. Të mos heshtim. Sepse kur njerëzimi humbet empatinë, atëherë çdo komb, çdo popull, çdo fëmijë është në rrezik./Nga Avokate Dorina Lamaj