Lidhje


LGBTQ/ Si e “fshiu” Trump Muajin e Krenarisë në Amerikë

Eventet LGBTQ në të gjithë Amerikën po përballen me mungesë fondesh, ndërsa sponsorët korporativë tërhiqen nga frika se mos zemërojnë administratën. Amerika korporative është larguar nga dashuria për muajin e Krenarisë dhe kjo ndodhi për shkak të Donald Trump. Bizneset që dikur mbulonin produktet me flamuj ylber në qershor, këtë vit po tërhiqen në heshtje, nga frika e ndonjë hetimi nga administrata Trump. Ndërkohë, eventet e Krenarisë në mbarë SHBA-në po përballen me mungesa serioze buxheti, pasi sponsorët korporativë janë zhdukur.

 

Robby Starbuck, aktivist kundër "woke", thotë se ka ndodhur një “ndryshim masiv” në politikat e kompanive më të mëdha. Një sondazh i realizuar nga Gravity Research me 200 drejtues ekzekutivë tregon se gati 40% e kompanive do të zvogëlojnë mbështetjen për muajin e Krenarisë këtë vit, 60% e tyre për shkak të presionit nga Trump.

 

“Është e qartë që administrata dhe mbështetësit e saj po udhëheqin këtë ndryshim,” deklaroi Luke Hartig, president i Gravity Research. “Kompanitë janë nën presion të mos angazhohen më publikisht për çështje sociale.”

 

Qysh në ditët e para në detyrë, Trump nënshkroi urdhra që godasin iniciativat për barazi dhe përfshirje (DEI) në sektorin publik dhe privat. Jeremy Tedesco, këshilltar në Alliance Defending Freedom (ADF), thotë se kompanitë tani shmangin çdo mbështetje publike për LGBTQ, nga frika e reagimeve ose hetimeve federale.

 

Aktivistët thonë se presioni është real: Eric Bloem nga Human Rights Campaign e akuzon Trump-in për “armatosjen” e institucioneve si Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni për Barazi në Punësim për të trembur bizneset.

 

“Kompanitë që shfaqen vetëm kur u leverdis, apo tërhiqen në presionin e parë politik, rrezikojnë të humbasin besimin e publikut,” tha ai.

 

Sondazhi tregon se amerikanët janë përgjithësisht cinikë ndaj mbështetjes korporative për muajin e Krenarisë, duke e parë më shumë si një strategji përfitimi sesa një angazhim për vlera.

 

Në San Francisko, eventi i Krenarisë ka një mungesë prej 200 mijë dollarësh në buxhet, ndërsa organizatorët e Pride në New York po përballen me një deficit prej 750 mijë dollarësh. Në St. Louis, sponsori tradicional Anheuser-Busch hoqi dorë pas 30 vitesh bashkëpunim, duke lënë një boshllëk prej 150 mijë dollarësh.

 

Në Washington DC, ku këtë vit mbahet World Pride, kompania Booz Allen Hamilton hoqi sponsorizimin duke përmendur “urdhrat ekzekutivë të fundit”. Qendra Kennedy gjithashtu anuloi aktivitetet "Tapestry of Pride". Organizatorët e Washington Pride e quajtën këtë vendim “zhgënjyes”.

 

Sipas sondazhit, 39% e kompanive thanë se po tërhiqen për shkak të frikës nga reagimet nga e djathta, ndërsa vetëm 7% për shkak të presioneve nga e majta.

 

“Kompanitë po kuptojnë se përfshirja në këto evente i ndan klientët dhe i ekspozon në një luftë politike të pafund,” tha Robby Starbuck. “E majta po humbet terren sepse kërkon që kompanitë të jenë zëdhënëse të ideologjisë së tyre. Ndërsa ne thjesht kërkojmë që ato të qëndrojnë neutrale.”/joq

 

XS
SM
MD
LG