Rënia e eksporteve “trondit” Kinën - Pëson tkurrjen më të madhe që nga shkurti, si pasojë e tarifave amerikane
Eksportet e Kinës u tkurrën në tetor, pasi vendi regjistroi një rënie prej 25% të dërgesave drejt Shteteve të Bashkuara. Të dhënat doganore treguan një rënie prej 1.1% të eksporteve globale të Kinës në tetor krahasuar me një vit më parë, niveli më i ulët që nga shkurti. Këto shifra vijnë pas një zgjerimi prej 8.3% në shtator.
Dërgesat e Kinës drejt SHBA-së kanë rënë me vlera dyshifrore për shtatë muaj radhazi, ndërkohë që vendi ka diversifikuar tregjet eksportit drejt rajoneve si Azia Juglindore dhe Afrika.
Rënia e përgjithshme e eksporteve u ndikua gjithashtu nga niveli i lartë i tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që reflektoi zgjerim mbi 12.6%.
Importet në Kinë u shtuan me 1% muajin e kaluar në raport me 2024, krahasuar me një rritje prej 7.4% në shtator. Ekonomistët thanë se një ngadalësim i gjatë në sektorin e pronave dhe konsumi i dobët vendas mbeten faktorë shqetësues.
Në takimin e tyre në Kore të Jugut në fund të tetorit, liderët Donald Trump dhe Xi Jinping arritën marrëveshje për të ulur tarifat. Kina ndali disa kontrolle eksporti mbi metale të rralla për një vit dhe ra dakord të blejë më shumë sojë dhe produkte të tjera bujqësore nga SHBA-ja. Në këmbim, Uashingtoni lehtësoi disa sanksione ndaj kompanive kineze.
Ekonomistët e Goldman Sachs thanë pas takimit Trump-Xi se presin që volumi i eksporteve kineze të rritet me 5-6% në vit, duke ndihmuar Pekinin të fitojë pjesë të tregut global dhe të nxisë zgjerimin e përgjithshëm ekonomik./SCANTV