Lidhje


Planifikuan vjedhjen e 5 miliardë lekëve nga bankat e shqiptarëve, zbulohet skema e 2 kinezëve

Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i fundit i Drejtorisë së Krimit Kibernetik, e cila ka parandaluar një nga skemat më të mëdha të tentativës për vjedhje online në Shqipëri.

 

Dy shtetas kinezë, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe vjedhje të të dhënave personale. Hetimet kanë zbuluar se ata kishin ngritur një skemë të sofistikuar për të falsifikuar faqet e Postës Shqiptare dhe për të vjedhur të dhënat bankare të qytetarëve.

 

Sipas burimeve pranë policisë, rreth 5 mijë shtetas shqiptarë ishin shënjestra e kësaj skeme, ndërsa shuma që rrezikonte të vidhej arrinte në rreth 5 miliardë lekë, ose 50 milionë euro.

 

Dy kinezët kishin mbërritur në Shqipëri një javë më parë, me qëllim ngritjen e infrastrukturës teknike që do t’u mundësonte marrjen e të dhënave të qytetarëve. Ata u akomoduan në një hotel pranë qendrës së Tiranës, ku gjatë kontrollit policia gjeti 17 telefona celularë, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti dhe 1 patentë, të cilat përdoreshin për aktivitetin kriminal.

 

Në aparatet e sekuestruara u gjetën lista me të dhënat e 5 mijë personave që banonin në Shqipëri. Viktimave u dërgohej përmes telefonit një link fals i ngjashëm me faqen e Postës Shqiptare, ku, pasi klikonin, kinezët përfitonin akses në të dhënat personale dhe më pas në llogaritë e tyre bankare.

 

Pas ngritjes së sistemit mashtrues, të dy të dyshuarit kishin planifikuar të largoheshin nga Shqipëria, ndërsa tërheqjet e parave do të kryheshin nga jashtë vendit.

 

Krimi Kibernetik arriti në gjurmët e tyre falë monitorimit të vazhdueshëm të “dark web” dhe burimeve të hapura në internet, ku u identifikuan llogaritë dhe veprimtaritë e dyshimta të grupit.

 

Pas verifikimeve, u ngrit një procedim penal me metoda speciale hetimi, i cili çoi në arrestimin e dy shtetasve kinezë dhe sekuestrimin e pajisjeve që përdoreshin për aktivitetin kriminal.

 

Hetimet janë ende në vijim, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë në këtë rrjet ndërkombëtar mashtrimi online./joq

XS
SM
MD
LG