Lidhje


Polici trafikant Briken Tereziu rikthehet në detyrë në Rinas, vetëm një vit pas arrestimit të bujshëm

Një skandal i paprecedentë ka shpërthyer në radhët e Policisë së Shtetit, pasi efektivi Briken Tereziu, i arrestuar me bujë në qershor 2024 si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte persona drejt vendeve të BE-së, është rikthyer në të njëjtën detyrë në aeroportin e Rinasit, vetëm 14 muaj pas ndalimit.

 

Hetimet për policët e Rinasit kanë nisur pas arrestimit të shtetasit Eneo Sulejmani, i cili pak kohë më parë u kap me 1 kg kokainë rrugëve të Tiranës. Zbërthimi i celularit të tij ka nxjerrë zbuluar skemën e rryshfetit ku ishin të përfshirë edhe policët e Rinasit.

 

Në një rast, Sulejmani i ka kërkuar ndihmës specialistit, kontrollor në aeroportin e Rinasit, Briken Tereziu për të kaluar një djalë i cili kishte tejkaluar ditët e qëndrimit në vendet e BE-së dhe do paguante 500 euro për kalimin.

 

Burime nga komisariati i Rinasit konfirmojnë se Tereziu jo vetëm është kthyer në punë, por ka marrë të njëjtin post që mbante para arrestimit. Ky fakt ka ngritur dyshime të forta se rikthimi i tij nuk është i rastësishëm, por mbështetet nga struktura më të larta brenda Policisë së Shtetit.

 

 
Dosja hetimore ndaj tij dhe kolegëve të tjerë përmban përgjime telefonike, dëshmi dhe fakte të qarta mbi trafikimin e personave problematikë, përfshi edhe të mitur pa prokurë, kundrejt pagesave të majme. Në një prej bisedave të zbardhura, një koleg i Tereziut i shkruante: “Nesër të bëj një 500 vëlla”, ndërsa orientohej se cilin sportel të kalonin pasagjerët.

 

Hetuesit kishin evidentuar Tereziun si organizator të skemës, personin që bënte ndërlidhjen mes palëve dhe siguronte kalimin e udhëtarëve. Por, pavarësisht gjithë provave të mbledhura, rikthimi i tij në detyrë tregon se ose dosja është bllokuar, ose në lojë ka hyrë një skenar shantazhi.

 

Ekspertë të sigurisë shprehen të tronditur: “Si është e mundur që një polic i përgjuar, i hetuar dhe i arrestuar për trafikim, të kthehet në të njëjtin post, sikur s’ka ndodhur asgjë?”

 

Rikthimi i Tereziut ka lënë hije të rënda dyshimi mbi kupolën e Policisë së Shtetit, e cila prej kohësh është përmendur në komunikime të rrjeteve kriminale si e kapur nga grupet e trafikut.

 

Aktualisht nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për këtë vendim, ndërsa opinioni publik kërkon përgjigje: kush e riktheu Briken Tereziun në detyrë dhe pse?/JOQ 

XS
SM
MD
LG