Bilanc l.ufte në rrugët e vendit/ 5 vi.ktima dhe 10 të plagosur në aksidente në 12 orë

Kjo e mërkurë korriku ka rezultuar një ndër ditët më të rënda të këtij viti sa u përket aksidenteve rrugore në vendin tonë. Vetëm nga raportimet e policisë dhe mediave bëhet fjalë 5 viktima dhe të paktën 10 të plagosur në disa ngjarje të ndodhura në zona të ndryshme të vendit.
Më e rënda ishte në Bulqizë, ku një automjet tip “Nisan”, që transportonte 3 persona të cilët po ktheheshin nga puna në minierë, doli nga rruga dhe ra rreth 300 metra poshtë. 2 prej udhëtarëve humbën jetën në vend, ndërsa personi i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pak më herët, një tjetër ngjarje tronditëse u shënua në fshatin Qerekë të Krujës, ku një vajzë e mitur, vetëm 4 vjeç, u godit aksidentalisht nga makina që drejtohej nga babai i saj, brenda ambienteve të biznesit familjar. Vajza u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Një tjetër aksident i rëndë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Fishtë. Një automjet, që udhëtonte në drejtim të Shkodrës, u përplas me një trailer me targa serbe dhe më pas përfundoi jashtë rruge, në një kanal anësor. Si pasojë e aksidentit humbi jetën një grua 60-vjeçare, ndërsa 4 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Edhe në fshatin Hotesh të Dibrës u shënua një tjetër viktimë. Një grua humbi jetën pas një aksidenti të ndodhur para shtëpisë së saj. Drejtuesi i një mjeti, gjatë një manovrimi në oborr, humbi kontrollin dhe goditi gruan, e cila u plagos rëndë dhe nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore.
Rreth orës 15:00, një tjetër aksident u regjistrua në qytetin e Dimalit, në zonën e quajtur “Parku i Qytetit”. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe si pasojë, dy fëmijë të moshës 8 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në njërin prej mjeteve, u plagosën. Ata janë dërguar në Spitalin e Beratit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa rreth mesditës një aksident ndodhi në afërsi të fshatit Dvoran në Korçë ku një automjet ku udhëtonin një çift doli nga rruga dhe goditi një këmbësore. Makina u përmbys në kanal. Çifti dhe kënmbësorja u dërguan të plagosur në spital. /LAPSI.al