Gjermania planifikon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Gjermania po konsideron rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak që nga viti i ardhshëm, nëse nuk arrin të tërheqë mjaftueshëm vullnetarë për ushtrinë e saj. Kjo deklaratë vjen nga Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung të shtunën.
Si anëtare e NATO-s, Gjermania po përpiqet të forcojë ushtrinë pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022. Ushtria gjermane ka nevojë urgjente për 100,000 ushtarë shtesë për të përmbushur detyrimet ndaj aleancës, por duket se rekrutimi i vullnetarëve po has në vështirësi.
Konservatorët, që udhëheqin koalicionin qeverisës ku Partia Socialdemokrate (SPD) e Pistorius është partnere më e vogël, kanë rritur shpenzimet ushtarake dhe janë shprehur të hapur për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm, i cili u hoq në 2011.
“Modeli ynë bazohet fillimisht në vullnetarizëm,” tha Pistorius. “Por, nëse nuk kemi mjaftueshëm vullnetarë, mund të vendosim ta bëjmë shërbimin të detyrueshëm.” Një projektligj për këtë mund të hyjë në fuqi që nga 1 janari 2026.
Nga ana tjetër, SPD-ja ka preferuar gjithmonë opsione vullnetare për të rindërtuar ushtrinë. Komandanti i Divizionit të Sigurisë Kombëtare, Andreas Henne, gjithashtu mbështeti fushatat e rekrutimit. “Jemi në rrugën e duhur, por tani duhet të shtojmë ritmin,” tha Henne për t-online. “Na duhen më shumë pajisje, zgjerim i infrastrukturës dhe, mbi të gjitha, personel.”
Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet gjeopolitike në Europë janë rritur, sidomos pas luftës në Ukrainë. Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm mund të shkaktojë debate të fortë në Gjermani. Megjithatë, presioni nga NATO dhe nevoja për siguri mund ta bëjnë këtë hap të pashmangshëm./joq