Nga hero i ndeshjes në fenomen global me 5.8 mln ndjekës: Historia prekëse pas lotëve të Vozinhës
Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, është kthyer në një fenomen global pas paraqitjes heroike në barazimin sensacional 0-0 ndaj Spanjës në debutimin historik të vendit të tij në Kupën e Botës 2026.
40-vjeçari ishte protagonisti absolut i sfidës së zhvilluar të hënën, duke realizuar shtatë pritje vendimtare përballë sulmit yjor të Spanjës dhe duke ndihmuar “Peshkaqenët Blu” të siguronin pikën e parë në historinë e tyre në një Botëror.
Paraqitja e tij mahnitëse nuk kaloi pa u vënë re. Para ndeshjes Vozinha numëronte mes 20 mijë dhe 56 mijë ndjekës në Instagram. Vetëm pak orë pas vërshëllimës së fundit, profili i tij shpërtheu në popullaritet, duke kaluar shifrën e 5.8 milionë ndjekësve.
Tifozë nga e gjithë bota vërshuan në rrjetet sociale për të përgëzuar portierin veteran, i cili u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes pas një performance që shumë e konsiderojnë ndër më të mirat e këtij Botërori.
Spanja dominoi plotësisht takimin, duke kontrolluar zotërimin e topit dhe duke regjistruar 27 goditje drejt portës, por nuk arriti të mposhtte Vozinjën dhe mbrojtjen e organizuar të Kepit të Gjelbër.
Në fund të ndeshjes, shokët e skuadrës e mbuluan me përqafime heroin e mbrëmjes, ndërsa kamerat kapën momentet emocionuese të portierit, i cili nuk i fshehu lotët pas arritjes historike.
Për mediat ai tha se lotët e tij kishin një domethënie të veçantë.
“Kam qarë sepse jam rritur me gjyshërit e mi. Fatkeqësisht, ata nuk ishin këtu. Ata ndërruan jetë disa vite më parë dhe ishin gjithçka për mua”, tha ai pasi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Portieri zbuloi gjithashtu se nëna e tij nuk mundi të ishte e pranishme në stadium për shkak të problemeve me vizën.
“Edhe për shkak të mamit tim. Ajo nuk arriti të vinte këtu për shkak të vizës. Për shkak të kostove dhe procedurave, nuk ia dolëm në kohë. Do të doja shumë që ajo të ishte këtu”, u shpreh Vozinha.
Vozinha, i cili aktivizohet me klubin portugez GD Chaves në kategorinë e dytë, hyri gjithashtu në histori si portieri më i vjetër që mban portën të paprekur në një ndeshje të Kupës së Botës.
Për një komb me vetëm rreth 550 mijë banorë dhe të renditur në vendin e 67-të të FIFA-s, barazimi ndaj Spanjës konsiderohet një nga surprizat më të mëdha të turneut. Përballë kampionëve në fuqi të Europës, që kishin në dispozicion yje si Pedri, Gavi dhe Lamine Yamal, Kepi i Gjelbër tregoi se nuk kishte ardhur në Botëror vetëm për të marrë pjesë./joq