ShBA-ja mund të mbetet pa raketa nëse shpërthen një luftë tjetër
Ushtria amerikane ka “reduktuar ndjeshëm” rezervat e raketave kryesore gjatë luftës me Iranin dhe mund të përballet me mungesa në një konflikt të ardhshëm, raportoi të martën CNN-i.
Gjatë shtatë javëve të luftës, ushtria amerikane ka përdorur rreth 45 për qind të raketave me goditje precize, të paktën gjysmën e interceptorëve THAAD dhe pothuajse 50 për qind të raketave të mbrojtjes ajrore Patriot, sipas një analize të re nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Këto shifra përputhen ngushtë me vlerësimet e klasifikuara të Pentagonit, thuhet në raport.
Ushtria amerikane ka përdorur gjithashtu rreth 30 për qind të raketave Tomahawk, mbi 20 për qind të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe rreth 20 për qind të raketave SM-3 dhe SM-6, sipas raportit.
Megjithëse Pentagoni ka nënshkruar kontrata më herët këtë vit për të rritur prodhimin e raketave, rimbushja e këtyre sistemeve do të zgjasë ende tre deri në pesë vjet, edhe me kapacitet të shtuar.
Në afat të shkurtër, ShBA-ja ka të ngjarë të ruajë mjaftueshëm municione për të vazhduar operacionet kundër Iranit nëse armëpushimi i brishtë shembet, sipas raportit.
Megjithatë, rezervat e armëve kyçe tashmë janë të pamjaftueshme për një konflikt me një kundërshtar të krahasueshëm si Kina, dhe rikthimi i tyre në nivelet para luftës mund të zgjasë me vite, theksohet në raport.
“Shpenzimet e larta të municioneve kanë krijuar një dritare rreziku të shtuar në Paqësorin Perëndimor”, tha për CNN Mark Cancian, kolonel në pension i Trupave Detare të ShBA-së dhe një nga autorët e raportit të CSIS.
“Do të duhen nga një deri në katër vjet për të rimbushur këto rezerva dhe disa vite të tjera për t’i zgjeruar ato në nivelin e nevojshëm”, tha ai.
Në një deklaratë për CNN-in, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtria “ka gjithçka që i duhet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti”.
“Që kur presidenti (Donald) Trump mori detyrën, ne kemi kryer disa operacione të suksesshme në të gjitha komandat luftarake, duke siguruar që ushtria amerikane të ketë një arsenal të thellë kapacitetesh për të mbrojtur popullin tonë dhe interesat tona”, tha ai./trt