Milanoviq anulon samitin e Procesit Brdo-Brijuni, thotë se ardhja e Vuçiqit në Kroaci nuk është e mundur
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, anuloi sot takimin e krerëve të shteteve të Procesit Brdo-Brijuni për shkak të “deklaratave dhe veprimeve” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilat, siç tha ai, janë në kundërshtim me qëllimet e iniciativës dhe rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Në një komunikatë të Zyrës së Presidentit thuhet se deklaratat dhe veprimet politike të Vuçiqit gjatë javëve të fundit kanë dëmtuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë vënë në pikëpyetje paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
“Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, konsideron se në këto rrethana nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundur ardhja e presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Republikën e Kroacisë”, thuhet në komunikatë.
Takimi i liderëve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni duhej të mbahej në maj në Kroaci, dhe për anulimin e tij janë njoftuar të gjithë pjesëmarrësit. Data e re do të caktohet pasi të krijohen kushtet dhe pas konsultimeve të Milanoviqit me presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc-Musar, e cila është bashkudhëheqëse e iniciativës.
Vuçiq të shtunën akuzoi Kroacinë për “barbarizëm” pas ndalimit të hyrjes për historianin serb Millosh Koviq dhe njoftoi një notë proteste. Ai gjithashtu ka akuzuar Kroacinë disa herë se po krijon një aleancë ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën kundër Serbisë.
Nga ana tjetër, zyrtarët kroatë e kanë cilësuar Serbinë disa herë si një “problem sigurie” për shkak të blerjes së sistemeve të avancuara ushtarake nga Kina. Zyrtarët serbë e kanë akuzuar Kroacinë për përfshirje në nxitjen e protestave antiqeveritare në vendin fqinj./AA