Kaos në Meksikë, shpërthen dhuna pasi vritet bosi i drogës “El Mencho”
Një valë dhune ka shpërthyer në Meksikë pasi u vra një nga bosët më të kërkuar të drogës në vend, gjatë një operacioni sigurie për arrestimin e tij, ku ishte përfshirë edhe inteligjenca amerikane.
Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ishte lider i kartelit famëkeq të drogës Jalisco New Generation (CJNG) dhe vdiq pasi u plagos rëndë gjatë përleshjeve mes mbështetësve të tij dhe ushtrisë të dielën.
Katër anëtarë të CJNG-së u vranë gjatë operacionit në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco në pjesën qendrore-perëndimore të vendit, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur, bëri të ditur ministria meksikane e mbrojtjes.
Si hakmarrje për vdekjen e bosit të drogës, dhuna është përhapur në të paktën një duzinë shtetesh, ku anëtarët e CJNG-së kanë bllokuar rrugët me automjete të djegura. Gjatë gjithë së dielës, u raportua për persona të armatosur në rrugët e Jalisco-s dhe zonave të tjera.
Dëshmitarët okularë filmuan re tymi që ngriheshin mbi disa qytete, përfshirë edhe Guadalajara-n – një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA që do të mbahet së shpejti.
Guvernatori i Jalisco-s, Pablo Lemus Navarro, shpalli gjendje alarmi (kod të kuq) në shtet, duke pezulluar transportin publik dhe duke anuluar ngjarjet masive si dhe mësimin me prezencë fizike.
Turistët që folën për Reuters e përshkruan qytetin turistik Puerto Vallarta, në Jalisco, si një “zonë lufte”.
Rreth 250 bllokada rrugore u vendosën në mbarë vendin gjatë trazirave, prej të cilave 65 në Jalisco, raportoi CBS, partneri amerikan i BBC-së. Në përditësimin më të fundit, Kabineti i Sigurisë në Meksikë tha se katër bllokada mbeteshin ende aktive në Jalisco.
Sipas kabinetit, 25 persona janë arrestuar, 11 për pjesëmarrje të dyshuar në akte dhune dhe 14 të tjerë për grabitje dhe plaçkitje.
Dyqanet u përfshinë nga flakët dhe rreth 20 degë bankash u sulmuan gjatë dhunës, shtoi ai.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se ekziston “koordinim absolut” mes autoriteteve shtetërore dhe atyre federale në reagimin ndaj dhunës, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë “të qetë dhe të informuar”.
Ajo shtoi se “në pjesën më të madhe të vendit, aktivitetet po vazhdojnë normalisht”.
Disa kompani ajrore kanë anuluar fluturimet drejt Jalisco-s, përfshirë Air Canada, United Airlines dhe American Airlines.