Lidhje


Padia kundër Ols Dados/ Gjykata Administrative rrëzon Erion Veliajn, avokati: Vendimi pritej, do shkojmë në Apel

Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj ditën e sotme për pavlefshmërinë e Olsi Dados si Prokuror. Mësohet se Administrativa nuk ka nisur shqyrtimin e çështjes së ngritur nga Veliaj, duke bërë që padia të rrëzohet automatikisht.

 

Sipas vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, gjykata ka vlerësuar se Erion Veliaj ka interes të tërthortë dhe jo interes të drejtpërdrejtë në këtë çështje. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar me 23 janar të vitit 2026 në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Olsi Dado. Në këtë kërkesë, Veliaj ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.

 

Sipas padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit pa shkollën përkatëse të Magjistraturës. Kryebashkiaku kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

 

Në këtë padi, theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Veliajt, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe individit./Dosja.al

XS
SM
MD
LG