Kosovë: BE reagon për rrënimin e vilave në Ujman
Bashkimi Evropian u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të ndërpresin menjëherë rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit, i cili gjendet në pjesën veriore të Kosovës, dhe u shpreh i shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore.
Një ditë më parë autoritetet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nisën aksionin për rrënimin e 11 vilave në zonën e Ujmanit, të cilat sipas tyre janë ngritur ilegalisht. Veprimi u ndërmor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike "Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës, thuhet se janë ngritur objektet që u përkisnin disa banorëve serbë të veriut të Kosovës.
BE: Mosrespektim i procedurës ligjore
"BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës”, thuhet në reagimin e BE-së, duke shprehur shqetësimin "për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.
"Bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshëm derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thuhet në vazhdim në reagimin e BE-së, në të cilin njëkohësisht u bëhet thirrje autoriteteve që të "bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”.
Përfshirja e Policisë së Kosovës
Aksioni për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u asistua edhe nga Policia e Kosovës, e cila siguroi zonën. Në reagimin e Bashkimit Evropian përmendet edhe asistimi i Policisë së Kosovës. Sipas BE-së, "roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”.
"Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit. Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t'i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, përfundon reagimi i BE-së.
Reagimi i Ambasadës Gjermane
Edhe Ambasada Gjermane në Prishtinë ndau të njëjtin shqetësim të shprehur nga BE-ja, ku thuhet se "Jemi thellësisht të shqetësuar për prishjen e shtëpive në Liqenin e Gazivodës/Ujmanit”.
"Ruajtja e procesit të duhur dhe mbajtja e parimeve të sundimit të ligjit, siç janë përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës. Ne kërkojmë ndaljen e menjëhershme të veprimeve të tilla dhe bëjmë thirrje për zgjidhje transparente dhe ligjore”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.
Problemi i pronësisë
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes "Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, me kërkesën e së cilës ndërmarrje u rrënuan vilat, tha se "pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t'i lironin shtëpitë, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisi zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre, të cilat ndodheshin në pronën e ndërmarrjes”.
"Në kuadër të zbatimit të vazhdueshëm të aktiviteteve për kthimin e pronave publike të uzurpuara përmes ndërtimeve pa leje, sot u realizua një aksion në zonën e njohur si "Plazhi i Shqiptarëve", në breg të Liqenit të Ujmanit. Gjatë aksionit u larguan 11 objekte (vila) të ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, shkroi Mujka në kohën që zhvillohej aksioni.
Disa pronarë të vilave tashmë të rrënuara thanë për mediet lokale se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe "Srbija Šume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në ndërmarrjen "Ibër-Lepenc” thonë se toka ku ishin ndërtuar vilat është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj, dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.
Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar me popullsi shumicë serbe. Liqeni i Ujmanit konsiderohet nga autoritetet kosovare si infrastrukturë strategjike për Kosovën, për faktin se shërben për furnizimin me ujë të rreth gjysmë milioni banorëve të Kosovës, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen, që përfshin nëntë komuna të Kosovës.