Lidhje


Avionët ushtarakë amerikanë në aeroportin "Ben Gurion" i shkaktojnë Izraelit humbje prej 248 milionë dollarësh

Prania e avionëve ushtarakë amerikanë në aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit i ka shkaktuar Autoritetit të Aeroporteve humbje prej 700 milionë shekelësh (248 milionë dollarë) gjatë dy muajve të fundit, thanë zyrtarë izraelitë të enjten, duke paralajmëruar se shifra mund të arrijë në miliarda nëse situata vazhdon.

 

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aeroporteve të Izraelit, Sharon Kedmi ka thënë se aeroporti “Ben Gurion” aktualisht po funksionon me vetëm një të tretën e kapacitetit të tij për shkak të pranisë së avionëve amerikanë për furnizim me karburant, raportoi transmetuesi publik izraelit KAN.

 

“Ne po përdorim vetëm një të tretën e kapacitetit operacional të aeroportit”, ka thënë Kedmi duke shtuar se rreth 70 për qind e aktivitetit në aeroport është kufizuar për shkak të hapësirës dhe burimeve të zëna nga operacionet ushtarake amerikane.

 

“Jemi në kufirin e mundësive tona”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të shpallen anulime të tjera fluturimesh. Kedmi paralajmëroi se humbjet mund të arrijnë në miliarda nëse kushtet aktuale vazhdojnë.

 

Ai ka shtuar se autoritetet e aeroportit kishin pritur që këtë vit në “Ben Gurion” të kalonte shifrën prej 18 milionë pasagjerësh, por vlerësimet aktuale tregojnë se numri mund të mos kalojë 15 milionë. Sipas tij, linjat ajrore të huaja nuk pritet të rifillojnë operimet së shpejti ndërsa deri në tre milionë pasagjerë mund të preken nga ndërprerjet dhe anulimet.

 

Dhjetëra avionë amerikanë cisternë ndodhen aktualisht në aeroportin “Ben Gurion”, porta kryesore ndërkombëtare e Izraelit pranë Tel Avivit.

 

Më herët këtë muaj, mediat izraelite cituan kreun e Autoritetit të Aviacionit Civil, Shmuel Zakay, të ketë thënë se avionët ushtarakë amerikanë në “Ben Gurion” po paralizojnë fluturimet civile, po vonojnë rikthimin e kompanive të huaja ajrore dhe po rrisin çmimet e biletave.

 

Zakay gjithashtu u citua t’i ketë thënë ministres izraelite të Transportit, Miri Regev, se “Ben Gurion” është “shndërruar në një aeroport ushtarak me aktivitet të kufizuar civil”, duke paralajmëruar se situata po dëmton kompanitë ajrore vendase.

XS
SM
MD
LG