Lidhje


𝐒𝐤ë𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮 𝐢 𝐑𝐢𝐮

Nga Dr. Justinian Topulli
 
Ka disa fakte historike që në pamje të parë duken dytësore, por që, kur njihen siç kanë qenë, e bëjnë shumë më të qartë panoramën e së kaluarës. Historia nuk duhet lexuar me ngjyrimet ideologjike nacionaliste të mëvonshme, as me pasionet e sotme, por me besnikëri ndaj së vërtetës. Mund të shash e mallkosh gjithë ditën ata që nuk të pëlqejnë, por e vërteta mbetet ajo që është; kështu që historinë, kur e përdor si armë, mund të të kthehet edhe në bumerang.
 
Dihet se Skënderbeu u martua në një moshë relativisht të madhe dhe pati vetëm një djalë, të cilit i vuri emrin e të atit, Gjon (Ivan). Në vitin 1464, Skënderbeu bie dakord me Helena Brankoviqin për të martuar të birin, Gjonin, në atë kohë nëntë vjeç, me vajzën e Helenës, Jerinën, tetëvjeçare [1]. Jerina (Irena) Brankoviqi ishte bija e mbretit Llazar të Serbisë dhe e Helenë Paleologut, trashëgimtarja e fundit e familjes perandorake të Bizantit. Nga Irena, Gjoni pati gjashtë fëmijë, i pari i tyre Gjergji, ose ndryshe Skënderbeu i Ri.
 
Autori arbëresh Paolo Petta, në librin e tij "Despoti d'Epiro e principi di Macedonia", tregon se Gjergji i shërbeu mbretit të Napolit, Frederikut, si përfaqësues i tij pranë djalit të Mehmetit II, Bajazitit II. Por, i nxitur nga Venediku, edhe ai, si i ati, erdhi në Arbëri për të shpërthyer një kryengritje të re kundër osmanëve. Në fund, pasi nuk ia doli të merrte ndonjë përkrahje, nuk u kthye më në Itali si i ati, por në vitin 1506 u bë turk, pra mysliman [2].
 
 
Një tjetër autor arbëresh, me emrin Alessandro Castriota Scanderbeg, në një artikull të botuar në gazetën “Rrënjët” në nëntor 2018, paraqet jetën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut të Ri, dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të rikthyer zotërimet e familjes së tij në Shqipëri. Fillimisht, ai shërbeu në oborrin e mbretit të Napolit dhe u përdor në misione diplomatike me osmanët. Por, më pas, Venediku u përpoq ta përdorte emrin e tij për të nxitur një kryengritje shqiptare kundër turqve. Shqiptarët e pritën me shpresë dhe ai arriti të marrë Lezhën, por politika e dyfishtë e Venedikut, që njëkohësisht negocionte paqen me osmanët, e dobësoi të gjithë ndërmarrjen.
 
 
Rënia e Mbretërisë së Napolit, afrimi i Venedikut me osmanët dhe mungesa e mbështetjes së qëndrueshme financiare e ushtarake, e lanë Gjergjin e Ri në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Marrëdhëniet e tij me përfaqësuesit venedikas, sidomos me Antonio Bonin, u përkeqësuan deri në përleshje të hapur. I varfëruar, i braktisur dhe i zhgënjyer, ai largohet nga Lezha dhe përfundon duke hyrë në marrëdhënie me sanxhakbeun osman.
 
 
Në fund, i braktisur nga aleatët, pa mjete dhe pa mbështetje të qëndrueshme, Gjergji i Ri dështoi ta rimerrte shtetin e të parëve. Autori i studimit thotë se: “në dhjetor të vitit 1506, konsulli i Kostandinopojës i njofton Sinjorisë së Venedikut se Skënderbeu ‘është bërë turk’”, duke aluduar qartazi për kthimin e tij fetar [3]. Dhe, duke e mbyllur, Alessandro thotë: “Ndoshta mund të thuhet pa gabim se jeta e tij e pafat ishte një përpjekje e ashpër për rimarrjen e zotërimeve të të parëve në Shqipëri dhe se, në fund – pas tradhtisë venedikase – zgjedha turke iu duk më e durueshme sesa çnderimi i një kthimi në Itali si i mundur” [4].
 
 
-Referenca-
 
 
[1] Bibliotheque Nationale de France, "Manuscrits italiens" 1590, f. 523. (shih: O.J. Schmitt, "Skënderbeu", f. 316).
[2] Paolo Petta,"Despoti d'Epiro e principi di Macedonia", f. 38VV. (shih: O.J. Schmitt, "Skënderbeu", f. 365, fusn. 46).
[3] Sanuto M., "Diarii", Venezia, 1881, ed. M. Visentini, vol. VI, col. 300.
[4] Alessandro Castriota Scanderbeg (Centro Studi Scanderbeghiani), “Giorgio Castriota Scanderbeg juniore, figlio di Giovanni, nipote di Scanderbeg”, botuar në gazetën "Rrënjët", nr. 4, 2018. https://gazetarrenjet.wordpress.com/.../rrc3abnjc3abt...
XS
SM
MD
LG