Mos u ngulit në tokë, zemra ime, sepse nëna ime shkoi përtej
Tuesday, 29 September 2026 07:29
Nga Alban Gorishti
«وَلَٰكِنَّهُ أَخْلَدَ إِلَى الْأَرْضِ»
“Por ai u ngulit pas tokës…” (Kuran)
Sa herë që kthehem në qytetin ku kam jetuar më shumë se dyzet vite me nënën time, me prindërit e mi, një valë ndjesish dhe emocionesh më ngushton kraharorin.
Aty kam mësuar shumëçka nga ato që sot di për jetën dhe vdekjen. Por, mbi të gjitha, aty kam mësuar se dashuria dhe mundimet tokësore nuk janë gjithmonë kundërshtare. Shpesh janë dy fytyra të së njëjtës medalje.
Ne priremi të mendojmë se vuajtjet përkrah dikujt janë shenjë papërshtatshmërie, dështimi apo edhe ndonjë ndëshkimi individual, në praninë e të cilit marrëdhënia fillon të humbasë kuptimin. Por jeta më mësoi diçka tjetër: ka raste kur pikërisht vështirësia e zhvesh marrëdhënien nga sipërfaqësorja dhe e çon drejt thelbit të saj.
Ende nuk arrij të mësohem me ikjen e nënës sime.
Gjithçka më duket disi e huaj, e largët, ndonjëherë edhe e pakuptimtë, megjithëse në këtë qytet kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Ishte këtu ku dashuria u shfaq për mua si zëvendësuesja më sublime e mundimeve tokësore.
Sa herë që, duke u afruar me qytetin, më dalin përpara pikat e njohura gjeografike, ndihem si një marinar që kthehet pas një udhëtimi tepër të gjatë. Në horizont i shfaqen pamje të njohura, të dashura, por atij i duhet kohë të kuptojë se horizonti që dikur lëvizte bashkë me të tani është bërë i palëvizshëm.I qetë.I qëndrueshëm.
Dhe vetëm tani kuptoj se ajo pikë e qëndrueshme e horizontit nuk ishte ishulli që shfaqet në të djathtë kur i afrohem qytetit. Nuk ishte as mali mbi të. As dritat që vit pas viti janë ngjitur më lart në shpatet e tij.
Mali nuk qëndron më i heshtur si dikur. Tani duket sikur flet përmes rrugëve, ndërtimeve dhe betonit që ngadalë po ia zhveshin hijeshinë e dikurshme.Por as mali nuk ishte horizonti im. Ishte ajo. Nëna ime.
Dikur më prekte pothuajse çdo fenomen i këtij qyteti. Çdo ndryshim shoqëror, çdo rrugë, çdo ndërtesë e re, çdo fytyrë e njohur. Sot edhe flladin me aromë jodi, që dikur më ledhatonte fytyrën, nuk e ndiej më njësoj. Edhe njerëzit më duken më hijerëndë se më parë.
Ndoshta sepse qytetet nuk ndryshojnë vetëm kur ndërtohen apo prishen godinat.
Qytetet ndryshojnë përfundimisht kur prej tyre largohet dikush që ishte pjesë e kuptimit tonë për to.
Muzeu i kujtimeve duket sikur ka shtuar objektet e veta. Çdo rrugë është një eksponat. Çdo cep një fotografi. Çdo dhomë një relike.
Dhe e shkuara tashmë duket si një muze që e vizitoj, por në të cilin nuk mund të jetoj më.
Kësaj here e pashë horizontin e qytetit natën. Për disa çaste m’u duk sikur asgjë nga trishtimet e vitit të fundit nuk kishte qenë reale. Sikur koha të ishte kthyer mbrapsht.Por vetëm për pak.
Sepse sapo hyra në shtëpinë e kujdesit dhe të dashurisë, mungesa mori përsëri formë.
Shtëpia ma riktheu menjëherë mallin për atë prani që, pa e kuptuar atëherë, kishte qenë vetë thelbi i qytetit për mua.
Është e pashmangshme: të gjithë do të harrohemi një ditë.
Por unë ende nuk kam harruar ecjen e saj. Nuk kam harruar shakatë. Nuk kam harruar mënyrën si fliste. As rrugët ku ecte përditë. Sidomos mëngjeset.
Mëngjesi ishte ndoshta çasti më i bukur i qëndrimit tonë bashkë. Nuk di ta shpjegoj plotësisht përse.
Ndoshta sepse ato gjërat e vogla, të përsëritura, pothuajse të parëndësishme në dukje, janë pikërisht ato që më vonë bëhen kolonat e kujtesës. Një kafe. Një bisedë. Një vështrim. Një pyetje krejt e zakonshme. Një heshtje.
Kafja e mëngjesit, megjithëse në vetvete një ritual i zakonshëm, më dhuroi diçka që vetëm sot arrij ta mas: kohë me të.
Dhe sot kujtimet e atyre mëngjeseve u kanë dhënë një kuptim pothuajse të shenjtë vendeve që dikur më dukeshin krejt të rëndomta.
Vendet ku frymova me të, rrugët, shtëpia e kujtimeve, gjithçka më hap derën e një bote tjetër.
Por ajo botë nuk ekziston më në të njëjtën mënyrë. Me ikjen e saj u shoqit edhe bota ime e vjetër.
Me përshëndetjen e fundit, diçka në zemrën time sikur ndryshoi ritmin. Me të iku një pjesë e madhe e asaj që për mua kishte qenë mbështetje, lidhje, siguri dhe ndjenjë.
Por humbja më mësoi edhe diçka tjetër. Edhe përjetimet kanë një cak. Edhe periudhat e jetës kanë një afat. Edhe botët tona të vogla vdesin.
Dhe këmbëngulja për t’i risjellë në jetë kohët e shkuara mund të bëhet po aq e pamundur sa përpjekja për të rikthyer fizikisht njerëzit që nuk janë më.
Pikërisht gjatë kësaj sprove një ajet ka marrë për mua një kuptim krejt tjetër:
«وَلَوْ شِئْنَا لَرَفَعْنَاهُ بِهَا وَلَٰكِنَّهُ أَخْلَدَ إِلَى الْأَرْضِ وَاتَّبَعَ هَوَاهُ»
“Po të donim, do ta ngrinim me anë të tyre, por ai u ngulit pas tokës dhe ndoqi dëshirën e vet…”
Për një kohë të gjatë e kam lexuar shprehjen «أخلد إلى الأرض» si përshkrim të lidhjes së njeriut me materialitetin, me dëshirat, me epshin, me pushtetin dhe me përfitimin e kësaj bote.
Sot e kuptoj edhe më gjerë. Njeriu mund të ngulitet në tokë edhe përmes dhimbjes. Mund të ngulitet në kujtime. Në një njeri. Në një periudhë të jetës. Në një plagë.
Në një nostalgji aq të fuqishme sa fillon t’ia përcaktojë mënyrën se si e sheh realitetin.
Dhe pikërisht këtu ajeti merr një dimension të jashtëzakonshëm epistemologjik.
Sepse njeriu nuk e njeh botën vetëm me mendje.
Ai e njeh edhe përmes zemrës, dëshirave, frikës, humbjeve dhe kujtimeve të tij.
Prandaj problemi epistemologjik nuk lind vetëm kur njeriut i mungon informacioni.
Ndonjëherë njeriu e njeh të vërtetën, por nuk është më i lirë ta shohë atë siç është.
Dhimbja mund të bëhet filtër. Nostalgjia mund të bëhet filtër. Interesi mund të bëhet filtër.
Edhe dashuria, kur shkëputet nga kuptimi i saj më i lartë, mund të bëhet filtër.
Kështu njeriu mund të besojë se po ndjek arsyen, ndërkohë që arsyeja e tij ka filluar t’i shërbejë dëshirës, frikës apo plagës së vet.
Është humbja e aftësisë për ta parë dijen pa prangat e vetes.
Dhe këtu më duket madhështore kundërvënia që bën vetë ajeti.
Nga njëra anë:
«لَرَفَعْنَاهُ بِهَا»
“Do ta ngrinim me anë të tyre.” Nga ana tjetër:
«أَخْلَدَ إِلَى الْأَرْضِ»
“Ai u ngulit pas tokës.” Ngritja dhe rëndesa.
Lartësimi dhe ngjitja pas tokës. Dija që të fton lart dhe dëshira që të mban poshtë.
E vërteta nuk kërkon vetëm një mendje që ta kuptojë. Ajo kërkon edhe një zemër të gatshme të ngrihet drejt saj.
Njeriu mund ta kuptojë përkohshmërinë dhe përsëri të sillet sikur gjithçka duhet të jetë e përjetshme.
Mund ta dijë se njerëzit largohen dhe megjithatë t’i kërkojë jetës që të mos ia marrë askënd.
Mund ta dijë se kjo botë është kalim dhe përsëri të ndërtojë brenda saj vendbanimin e përjetësisë.
Ndoshta këtu qëndron sprova. Të duash pa e shndërruar atë që do në zotërim. Të kujtosh pa u burgosur në kujtim. Të vajtosh pa ia dorëzuar dhimbjes drejtimin. Të ndiesh mungesën pa e humbur horizontin.
Nëna ime kaloi përtej. Më la një boshllëk të madh, por bashkë me të më la edhe një mësim të madh.
Unë nuk dua të ngulitem në tokë për shkak të humbjes së saj. Sepse dashuria dhe mirënjohja që ndiej për të janë ndër shëmbëlltyrat më të larta të dhuratës që quhet jetë.
Dhe jeta nuk është pronë njerëzore. Nuk është fitim. Nuk është diçka që e zotërojmë. Burimi i saj nuk jemi ne. Ajo është dhuratë.
Prandaj edhe kthimi i saj nuk është asgjësim. Në këtë kuptim, pranimi i përkohshmërisë nuk e zvogëlon dashurinë. Përkundrazi, e pastron atë nga pretendimi i pronësisë.
Nëna ime nuk ishte pronë e imja. As unë nuk isha pronë e saj. Ne ishim dy jetë që Zoti i lejoi të takoheshin në një copë të vogël të kohës së universit.
Dhe çfarë dhurate ishte ajo copë kohe. Unë shpresoj ta gjej përsëri një ditë.
Por nëse ngulitem pas tokës, pas kujtimeve, pas pamundësisë për ta pranuar ikjen, atëherë rrezikoj të humbas jo vetëm veten, por edhe vetë mirënjohjen për ditët që Zoti më dha me të.
Do të humbisja të vërtetën e jetës në tërësinë e saj, me të ëmblën dhe të hidhurën, me takimin dhe ndarjen, me lindjen dhe vdekjen.
Do të doja ta ngrija kujtimin e saj nga dhimbja drejt falënderimit.
Sepse ndoshta kjo është një prej formave më të pastra të besnikërisë ndaj të vdekurve: jo të vdesim bashkë me ta, por të jetojmë në mënyrë të tillë që prania e tyre në jetën tonë të vazhdojë të prodhojë mirësi.
Sa herë që kthehem në qytetin e kujtimeve, më duket sikur makinës i bie fuqia. Por jo drejtimi.
Drejtimin dua ta ruaj. Sepse tashmë kam kuptuar se horizonti i vërtetë nuk ishte qyteti. Nuk ishte mali. Nuk ishte deti. Madje nuk ishte as shtëpia. Ato ishin vetëm shenja.
Horizonti i vërtetë ishte kuptimi që Zoti kishte vendosur përmes tyre në jetën time.
Dhe kur shenjat ndryshojnë, kuptimi nuk duhet të vdesë bashkë me to.
Kjo është ndoshta edhe hijeshia e falënderimit. Falënderimi nuk lind vetëm nga ditët e bukura.
Ndonjëherë falënderimi më i thellë lind vetëm pasi njeriu ka kaluar nëpër vështirësi dhe ka kuptuar, shumë vonë, se edhe në ditët e dhimbjes po i jepej diçka e paçmueshme.
Atëherë një kafe mëngjesi bëhet dhuratë.Një bisedë e zakonshme bëhet histori. Një ecje në rrugë bëhet kujtim i shenjtë. Një minutë bëhet sa një përjetësi.
Dhe unë sot e di se shumë prej minutave të mia me të kanë marrë këtë peshë.
Prandaj, o Zot, nëse fjala ime nuk arrin tek ajo, bëje mëshirën Tënde mesazhin tim.
Tregoji nënës sime se më mungon shumë. Përcilli selamin tim. Bëje varrin e saj vend paqeje, drite dhe mëshire.
Dhe kur të vijë dita që edhe unë të largohem nga kjo tokë, mos më lër të jem prej atyre që u ngulitën pas saj.
Më bëj prej atyre që dashuruan , që vuajtën, që kujtuan, që falënderuan, por që e mbajtën gjithmonë drejtimin nga Ti.
Dhe bëje Selamin përjetësi për nënën time të shtrenjtë.