A i rrëmbenin osmanët fëmijët e krishterë? Ç ’është Sistemi i Devshirmesë?
Në vijimësi të ciklit të shkrimeve si replikë ndaj artikullit “10 sekretet e errëta të Perandorisë Osmane”...
Pasi më herët jemi përgjigjur me shkrime të posaçme për çështjet e “Vëllavrasjes – Eliminimit Politik” dhe “Masakrave” (!) në Perandorinë Osmane, këtu do të trajtojmë një nga fantazitë më absurde që është prodhuar në laboratorët anti-shqiptarë me qëllimin e vetëm - në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë - për ta paraqitur Islamin në mesin tonë si importim dhe imponim.
***
Gjatë fazës së parë të themelimit të Shtetit Osman, fuqia ushtarake përbëhej nga kalorësit akënxhinj prej djemve të fisit. Mirëpo kur filluan të zaptoheshin njëra pas tjetrës kalatë e rrethuara, u vërejt se këto fuqi kalorësiake nuk po hynin më aq shumë në punë. Sidomos gjatë rrethimit të gjatë të Bursës në kohën e Orhan Gaziut (1324-1362), së bashku me njësitë ekzistuese u formua edhe një ushtri këmbësore e emërtuar si myselem.
Në kohën e Sulltan Muratit I (1362-1389) u pa e nevojshme krijimi i një njësie speciale e lidhur me personin e padishahut (që do të njihet si Oxhaku i Jeniçerëve) dhe për këtë, një rol vendimtar luajti përfshirja e Sistemit të Devshirmesë. Përpara se ta analizojmë këtë sistem dhe të shpjegojmë në mënyrë të përmbledhur se si funksiononte, do të ishte e arsyeshme të sqarojmë disa keqkuptime dhe ngatërresa historike.
Një nga teoritë më të përhapura është ajo që themelues të Oxhakut të Jeniçerëve njeh Hynqar Haxhi Bektashi Veliun, por kjo mbetet thjeshtë një legjendë pasi Haxhi Bektashi ka ndërruar jetë në fund të shekullit XIII, pra përpara se kjo njësi speciale të krijohej. Përveç kësaj, kur Orhan Gaziu krijoi ushtrinë e rregullt këmbësore bashkëpunoi me tarikatin e Ahilerëve dhe i vendosi në kokë ushtarëve qeleshen e bardhë që ishte simbol i këtij tarikati. Kjo uniformë u pranua edhe kur Sulltan Murati krijoi Oxhakun e Jeniçerëve, gjë kjo që tregon se influenca e ahilerëve vazhdonte edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV.[1]
Mirëpo pas kësaj periudhe do të vihet re një dobësim i organizatës së ahilerëve dhe pasuesit e tyre do të identifikoheshin me emrin e Haxhi Bektashi Veliut. Në këtë mënyrë del në pah lidhja e parë e jeniçerëve me emërtimin e tyre si bektashi. Së bashku me këtë, duhet ta dimë se përbërja e tarikatit bektashi në fillimet e tij nuk ka asnjë lidhje me gjendjen e tij në ditët e sotme. Në librin e Haxhi Bektashi Veliut të emërtuar si “Makalat” ndër të tjera do të gjejmë diçka shumë domethënëse për alkoolin. (meqë disa nga “pasuesit” e tij sot e quajnë atë si “qumështin e nënës” dhe e promovojnë publikisht.)
Thotë që : “ Nëse në një pus bie një pikë alkool dhe ujin e atij pusi e nxjerrin dhe e derdhin diku tjetër, dhe në vendin ku derdhet ai ujë mbin bar, dhe atë bar e ha një kec, për ata që i që i druhen Zotit në gradën e devocionit (takva), mishi i atij keci është i ndaluar” [2]
Gjithashtu respekti që tregon në të njëjtin libër për të gjithë sahabët me në krye Hazerât-i Ebu Beqirin, Omerin, Osmanin, Aliun , na e dëfton ashiqare pozicionimin e tij si një âlim i madh i ehl-i synnetit.
Në trajtën e një paranteze do të prekim në mënyrë të përmbledhur edhe një çështje tjetër e cila në mënyre të panevojshme komplikohet dhe keqkuptohet : Meseleja e tarikateve. Ndërsa në fakt mund të prezantohet shumë thjeshtë duke i mbyllur rrugën çfarëdolloj përçarjeje, sidomos në rastin shqiptar ku duke pasur parasysh situatën aktuale, ngatërresa të tilla për ne do të ishin një “luks” që nuk duhet të përzihemi aspak. Shkurtimisht, kështu:
Pa asnjë përjashtim, të gjitha shkencat islame janë themeluar si nevojë për ta mbrojtur Islamin. Ashtu sikurse për të mos i lënë shteg askujt të flasë për Kur’anin sipas mendjes së tij është krijuar shkenca e tefsirit, ashtu sikurse për të mos i lënë hapësira askujt për të vendosur rregulla sipas kapriçove personale është krijuar shkenca e fikhut, ashtu sikurse për të shmangur gabimet gjatë këndimit të Kur’anit ka lindur shkenca e texhvidit dhe kështu me radhë... edhe për të parandaluar abuzimet me nocionin “zuhd” që përmendet në Kur’an, ka lindur shkenca e tasavvufit. Ndërsa tarikati, përfaqëson formën e institucionalizuar të tasavvufit. Përkufizimet për tasavvufin janë të panumërta, ku ndër to mund ta përmendim edhe si një shkencë që na mëson t’i shikojmë njerëzit me syrin e doktorit dhe jo të xhelatit. Asnjë doktor nuk nxehet me pacientin e tij pas askush nuk e dëmton veten me dëshirë. Tarikatet kanë gjetur shtrirje të madhe veçanërisht gjatë kohërave së krizave psikologjike, momente në të cilat njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë t’ju jepet shpresë...
Nëse thonë se “sot në filan vend, filan tarikat, bën këtë, bën atë... prandaj që të gjithë janë të dëmshëm, janë të rrezikshëm” ju themi që : ashtu sikurse nuk mund të gjobitësh një tregtar në Elbasan për shkak të një gabimi që bën një tregtar në Tiranë, vetëm ngaqë kryejnë të njëjtin profesion, në të njëjtën mënyrë nuk mund të mohosh shekuj të tëra histori suksesi vetëm për shkak të disa shembujve të gabuar që janë përhapur në mënyrë jo rastësore.
Një shprehje tjetër e gabuar është edhe që “të jesh bektashi është shumë e thjeshtë pasi ka shumë “tolerancë” (!).” Përkundrazi, aderimi (intisap) në tarikatin bektashi nuk është harxh i çdokujt! Janë shumë të pakët ata që mund t’i bëjnë ibadetet nafile të udhës bektashiane: Fillimisht pas çdo namazi farz duhet të falin një namaz nafile, pas marrjes së abdestit kanë sërish një salat-i vudu (abdest namazi), përveç agjërimit farz të Ramazanit kanë agjërimet nafile e të hënës dhe të enjtes, kanë tri ditë agjërim në mes të çdo muaj. Përveç kësaj, muajit Shaban dhe Rexhep i kalojnë me agjërim... e një sërë ibadetesh të tjera nafile për pastrim shpirtëror... [3] Pra, të jesh bektashi nuk është “bukë me djathë”. Tani ta krahasojmë udhën origjinale bektashiane me showman-ët e sotshëm! Sot termi bektashi te ne përdoret si perde për skenaristët e regjimit. Rasti më i fundit ishte ideja e turpshme dhe ofenduese për krijimin e një shteti bektashi. Si nuk i shkoi një bektashiu në mendje të pyesë e të thotë “Ç’do me thënë shtet për bektashinjtë? A nuk është Shqipëria shteti ynë?!”... Këtu e mbyllim këtë parantezë dhe kthehemi te tema.
Ç 'është Sistemi i Devshirmesë?
Në ditët e sotshme shumë universitete prestigjioze ndërkombëtare ofrojnë bursa studimi, stazh dhe më pas mundësi punësimi për studentë të talentuar. Për ekselentët bursat janë të plota, për studentët që janë më pak të mirë ofrohen bursa 70%, 50% e kështu me radhë. Edhe nëse nuk fitojnë bursë, vetëm për të siguruar të drejtën e studimit për fëmijët e tyre në këto shkolla, prindërit harxhojnë vite të tëra punë, para e energji
Tani mendoni sikur superfuqia e ditëve tona (SH.B.A aktualisht), të publikojë një lajmërim në të cilin ofron 150 bursa studimi për nxënësit e Shqipërisë që plotësojnë disa kushte të caktuara. Këto bursa përveç arsimimit mbulojnë edhe shpenzimet e ushqimit, veshjes dhe çfarëdolloj nevoje tjetër. Të diplomuarit e tyre, sipas aftësive që kanë do ju jepen postet më të larta amerikane. Përveç kësaj, trajnimi i tyre nuk do bëhet në universitetet e zakonshme të shtetit, por ekskluzivisht në Shtëpinë e Bardhë! Tani sa mundësi ka që SH.B.A të detyrohet të rrëmbejë nxënës për realizimin e një projekti të tillë? A nuk do zinin qytetarët radhët e gjata, a nuk do prisnin me orë të tëra, vetëm e vetëm që fëmija i tyre të ishte në listën e përzgjedhur? Meqë sot, qoftë edhe për të fituar një vend pune në Bashkinë e Tiranës është bërë shart ryshfeti, dhe pasi e fitojnë atë vend pune me njëqind tarafe, detyrohen t’ju bëjnë lepe-peqe eprorëve të tyre arrogantë e injorantë... atëherë çfarë konkurrence e ashpër do të zhvillohej nëse vinte një ftesë e tillë nga Amerika? Si do vepronin prindërit shqiptarë, do thoshin “obobo, do na rrëmbejnë fëmijët” apo do rrëmbenin pasaportat drejt sporteleve të ambasadës duke thënë “Ah sikur të zgjedhin djalin tim e vajzën time?”
Me një logjikë të ngjashme –edhe pse me qëllime të ndryshme – veproi edhe Perandoria Osmane, që ishte superfuqia e kohës në një nivel të tillë që, kur mbreti i Francës kërkoi të takohej me Sulltan Sulejmanin, u refuzua nga padishahu duke iu përgjigjur se “ai nuk është ekuivalenti im dhe nuk mund të takohet me mua.” duke i dërguar në takim sadrazamin shqiptar Ibrahim Pasha. Nëpërmjet Sistemit të Devshirmesë përzgjidheshin djem të talentuar nga mesi i familjeve të krishtera (me vullnetin e prindërve të tyre) dhe pasi iu jepnin një arsim bazë, i trajnonin më tej në bazë të aftësive dhe prirjeve që shfaqshin duke i formësuar në një pjekuri intelektuale të nivelit botëror (Edukimi i tyre bëhej në sarajin e Sulltanit. Universiteti i djemve quhej “Enderun” ndërsa i vajzave “Harem”. Haremi ishte universitet dhe jo vend dëfrimi siç pasqyrohet nga imagjinata e sëmurë e telenovelave). Mirëpo jo të gjithë ishin të prirur për tu bërë vezirë apo pashallarë, një pjesë prej tyre tregonin veti të mira luftarake dhe përfshiheshin në njësinë speciale të jeniçerëve apo njësi të tjera ushtarake, një pjesë punësohej në sektorin e financave dhe ekonomisë, një pjesë që angazhohej në sektorë profesionalë si kulinari e kështu me radhë... Veçse ngritja në detyrë dhe zhvillimi i karrierës ishte gjithnjë i mundur pa ndonjë pengesë burokratike. Një rast tipik i kësaj është shqiptari Gjedik Ahmet Pasha i cili karrierën e tij e filloi si kuzhinier në saraj dhe u ngrit deri në postin e sadrazamit (nr.2 i qeverisë) në sajë të inteligjencës që tregoi dhe përgjegjësisë për të marrë kompetenca të rëndësishme.
Megjithatë, sikurse e cekëm edhe më sipër, jeniçerët do të ishin njësia speciale e Sulltanit që do të luaj një rol vendimtar në fatin e Perandorisë. Do të vinte një periudhë kur askush nuk mund të bëhej sulltan pa miratimin e tyre. A është e mundur që “një i rrëmbyer” të bëhet zot shtëpie? Osmanët, të cilët në themel të nacionalitetit shihnin religjionin i kishin “shkrirë” këta fëmijë me origjinë të krishterë në një trajtë të tillë që, ashtu sikurse jeta e Padishahut ishte nën mbrojtjen e tyre, edhe në fitoret e pashembullta hisen më të madhe e kishin sërish jeniçerët. A është e mundur që këta të rinj të gjendeshin kaq pranë Sulltanit dhe të mos hakmerreshin për “rrëmbimin” e tyre (nëse diçka e tillë do ekzistonte vërtetë)?!
Disa rregulla për tu bërë pjesë në Sistemin e Devshirmesë. Sikurse u përmend edhe më herët, jo çdokush mund të përzgjidhej si devshirme. Si pjesë e kushteve mund të përmendim :(Kanunet e devshirmesë dhe jeniçerëve kanë pësuar ndryshime me kalimin e kohës) [4]
- Kur një familje kishte dy djem, merrej vetëm një prej tyre (njëri qëndronte për të ndihmuar familjen)
- Përparësi kishte fëmija më i madh
- Nuk merreshin fëmijët jetim (Për të mbështetur jetimët kishte platforma të tjera të veçanta)
- Nuk pranoheshin ata që dinin turqisht
- Nuk pranoheshin ata që aktualisht zotëronin një zanat
- Nuk pranoheshin ata që ishin të martuar
- Nuk pranohej dikush që ishte fëmijë i vetëm (sepse nevojitej t’i dilte krah shtëpisë së tij)
- Nuk bëheshin pjesë ata që ishin shumë të gjatë apo shumë të shkurtër.
-Nuk pranoheshin turqit (d.m.th myslimanët). Si arsye për këtë mund të përmendim këto: Të ishe pjesë e devshrismesë konsiderohej privilegj dhe prestigj. Nëse një turk (mysliman) e fitonte këtë privilegj, atëherë familja e tij apo të afërmit mund të abuzonin me emrin e tij dhe për interesa të tyre do e shtypnin e lëndonin popullin e thjeshtë duke iu marrë para apo mbajtur nën zgjedhë. Gjithashtu nëse këta të afërm e shihnin postin e djalit/nipit sikur ishte “post familjar” dhe vepronin në emër të tij atëherë bëhej e paqartë për autoritet lokale se kush ishte kompetent në të vërtetë. Ndërsa përfitimi i përfshirjes së fëmijëve të krishterë në këtë sistem ishte ky: Pasi bëheshin myslimanë ata mbartnin një zell religjioz i cili i tejkalonte tendencat materiale dhe përveç kësaj me ndryshimin e statusit të tij, statusi i famljes së tij nuk ndryshonte dhe në këtë mënyrë i mbyllej rruga keqpërdorimit të pozitës që zotëronte. Përjashtim nga radhët e myslimanëve bënin vetëm boshnjakët. Fëmijët e tyre edhe pse ishin myslimanë mund të bëheshin pjesë e devshirmesë. Arsyeja është kjo: Kur Sulltan Fatihu hyri në Bosnje populli e mirëpriti dhe u bënë myslimanë në prezencën e tij. Sulltani duke vështruar dashamirësinë e atij kombi fisnik iu tha të kërkonin ç’të donin prej tij. Kombi boshnjak i kërkoi të drejtën për t’u bërë pjesë e devshirmesë dhe ai ja u dha këtë privilegj. Sigurisht që fuqia e ryshfetit ndonjëherë bënte pjesë të sistemit edhe ndonjë turk...(Me fjalën “turk” këtu nënkuptohet “myslimani”, pasi turqit e krishterë mund të bëheshin pjesë e sistemit ashtu si të gjithë të krishterët e tjerë).
***
Rivaliteti i ashpër që mbizotëronte për tu bërë pjesë e këtij sistemi tregon që edhe sikur ta kishin në mendje për të rrëmbyer kandidatë të rinj – gjë që nuk ekzistonte - nuk kishte nevojë për diçka të tillë. Megjithatë orientalistët dhe qarqet serbo-greke me shokë duket që e kanë mësuar shumë mirë gjuhën shqipe dhe duke përfituar nga narkoza që i është vendosur Shqipërisë, siç thotë populli “kanë gjetur shesh e bëjnë përshesh!”
Referenca:
[1] Kadir Misiroglu, Osmanli Tarihi, Vëllimi 1, fq. 137-142
[2] Prof.Dr. Esat Cosan, Makalat-i Haci Bektas-i Veli
[3] M. Fatih Çitlak, 40 Mektup
[4] Tayfun Toroser, Kavanin-i Yeniçeriyan (Kanunet e Jeniçerëve), fq.25