Lidhje


Tridhjetë vjet nga vrasja e Jitzhak Rabinit: Dita kur vdiq paqja midis Izraelit dhe Palestinës

Tridhjetë vjet më parë, më 4 nëntor 1995, dy të shtëna në shpinë vranë Jitzhak Rabin, kryeministrin izraelit që shtrëngoi duart me Arafatin. Mijëra njerëz e kujtojnë ende atë ditë. Ne u kthyem në atë shesh për të folur me ata që ishin atje. Midis tyre, shkrimtarin David Grosman dhe dr.Jozef Klausner, mjekun që u përpoq t’i shpëtonte jetën kryeministrit

 

Nga Francesca Caferri “La Reppublica”

 

Tel Aviv - Jozef Klausner kujton gjithçka rreth asaj dite. “Nuk do ta harroj deri në rrahjet e fundit të zemrës sime”- na thotë ai në zyrën e tij në katin e shtatë të spitalit Ichilov, spitalit më të madh të Tel Avivit. Dita që mjeku nuk do ta harrojë kurrë është 4 nëntori 1995.

 

Klausner - sot një mjek internist dhe onkolog i njohur botërisht - ishte shefi i kirurgjisë së spitalit. Në orën 22:02, ai ishte në shtëpi kur mori një telefonatë. Në spital kishte mbërritur kryeministri Jitzhak Rabin: ishte qëlluar dhe gjendja e tij ishte serioze, i tha zëvendësi i tij, Motti Gutman.

 

“Zakonisht më duheshin 35 minuta për të shkuar në spital me makinë, por atë mbrëmje e bëra për 14 minuta. Kur mbërrita, të gjithë ishin tashmë në sallën e operacionit. Ishin mbledhur mjekët më të mirë të spitalit.

 

I kishin hapur kraharorin dhe barkun për të kontrolluar tensionin e gjakut. Mendonin se do t’ia dilte, por unë menjëherë e kuptova që kishte mbaruar. Isha shefi i kirurgjisë; dhe vendimi më takonte muia. I kërkova Gutmanit të ndalonte përpjekjet: ai nuk donte, dhe as të tjerët.

 

Ata shpresonin për një mrekulli. I thashë përsëri që të ndalonte, dhe sapo i fikën aparaturat, të gjithë e kuptuan se Rabin kishte vdekur tashmë. Ishte ora 23:02, tetëdhjetë minuta pas atentatit.

 

Pashë kirurgë që u shtrinë përtokë duke qarë dhe duke goditur kokën me duar. Nuk është e pazakontë të dëshmosh tragjedi në sallën e operacionit, por unë nuk kam parë më kurrë diçka të atillë”- kujton mjeku.

 

Dr.Klausner psherëtin dhe shikon lart drejt qiellit: atij nuk i pëlqejnë gazetarët, por nëse bën një përjashtim për ne, kjo ndodh sepse e do Italinë. Kur ul sërish sytë, ata i mbushen me lot. “Qaj tani sepse atëherë nuk mundesha. Varej nga unë të merrja kontrollin e situatës. Atë ditë e kuptova se vdekja që po certifikoja do të kishte një ndikim të madh në vendin tonë. Por ajo që nuk mund ta dija, ishte se sa i gjatë do të ishte ky ndikim, sa i thellë. Ka kaluar më shumë se një brez, dhe ne po i përjetojmë pasojat çdo ditë” - thotë ai me keqardhje.

 

Kanë kaluar 30 vjet që kur Jigal Amir, një student 25-vjeçar i drejtësisë, simpatizant i Meir Kahane dhe partisë së tij të ekstremit të djathtë Kach (tashmë e ndaluar për pikëpamjet e saj raciste dhe të dhunshme) dhe mbështetës i lëvizjes së kolonëve, e ndryshoi historinë e Izraelit dhe të gjithë Lindjes së Mesme me 3 plumbat e pistoletës Beretta.

 

Dy prej tyre e goditën kryeministrin Jitzhak Rabin në shpinë, protagonistin e Marrëveshjeve të Oslos dhe të shtrëngimit të dorës me Jaser Arafatin, fituesin e Çmimit Nobel për Paqen, ish-gjeneralin palestinez që kishte zgjedhur rrugën e paqes.

 

Rabin sapo kishte mbaruar së foluri në Tel Aviv, në atë që atëherë quhej Sheshi i Mbretërve të Izraelit, në një tubim të madh të “Frontit të Paqes”. Dr.Klausner ka të drejtë. Atë ditë bashkë me Rabinin, vdiq edhe ëndrra e një Izraeli tjetër, i gatshëm të bënte kompromise për të arritur një marrëveshje me palestinezët.

 

Pishtari i tij u mor në dorë nga Ministri i Jashtëm Shimon Peres - gjithashtu fitues i Çmimit Nobel për Paqen - por kjo zgjati vetëm 6 muaj. Në zgjedhjet e majit 1996, një udhëheqës i ri dhe ambicioz e udhëhoqi të djathtën drejt fitores: quhej Benjamin Netanyahu, dhe me atë fitore ai çeli një epokë që do ta bënte atë kryeministrin më jetëgjatë në historinë e vendit.

 

Përvjetori që Izraeli po përgatitet të përkujtojë, është i ndryshëm nga çdo tjetër. Vendi mbërrin i rraskapitur dhe i plagosur nga 3 vjet luftërash të brendshme: së pari pro dhe kundër reformës në gjyqësor, pastaj tronditja e 7 tetorit, dhe më pas lufta në Gaza.

 

Por mbi të gjitha, Izraeli është i izoluar dhe në bankën e të akuzuarve për mizoritë e kryera në Gaza. Një vend që nuk është më i aftë të shohë “tjetrin”, dhe aq më pak të arrijë një kompromis me të, siç po bënte Rabini. 

 

“Më dhemb ta them, por atë ditë Jigal Amir përcaktoi historinë e një vendi të tërë”- na thotë David Grosman, shkrimtari më i njohur i Izraelit, duke i kursyer fjalët edhe më shumë sesa zakonisht. Grosman, së bashku me Amos Oz dhe Abraham Jehoshua, që ndërroi jetë disa vjet më parë, është anëtari i fundit i mbetur i brezit të gjigantëve letrarë që e lidhën fatin e tyre me ëndrrën e Rabinit.

 

Grosman, ashtu si Dr.Klausner, kujton gjithçka rreth asaj mbrëmjeje. Kur flet për të, ashtu si mjeku, ai nuk rrëfen por e rijeton atë: “Isha në shesh me dhjetëra mijëra njerëz. U largova pak para fundit të aktivitetit sepse nuk doja të ngecja në trafik gjatë rrugës për në Jerusalem.

 

Në makinë, ndeza radion. Pas pak, thanë se kishte pasur të shtëna, se dikush ishte qëlluar. Në atë kohë punoja në radio. Nga toni i kolegëve të mi, e kuptova menjëherë se kishte ndodhur diçka serioze: mënyra se si po flisnin ishte shumë e çuditshme. Kur arrita në shtëpi, erdhi njoftimi: Rabini kishte vdekur. Mbaj mend që fillova të qaja. Qaj shumë rrallë, por atë natë po qaja. Dhe nuk isha i vetmi: shtëpia u mbush me njerëz. Të gjithë po qanin”.

 

Qindra mijëra izraelitë po qanin: ata që ishin në shesh, si Grosman, por edhe të tjerë që nuk kishin shkuar, e kuptuan se ajo vdekje ndryshoi gjithçka: “Vrasja krijoi një botë të ndarë: të djathtë dhe të majtë. Fetarë dhe laikë”- shprehet ai në librin “Vrasja e një mbreti”, libri që gazetari amerikan Dan Efron ia kushtoi vdekjes së Rabinit.

 

Që nga ajo kohë trauma nuk është shëruar kurrë. Në atë që tani quhet Sheshi Rabin, plaga kullo ende gjak. Sheshi gjigant në zemër të Tel Avivit është i dëmtuar nga ndërtimi i një linje trami që po vazhdon prej vitesh. “Në këtë vend, Jitzhak Rabin u vra në betejën për paqe”- shkruhet në një pllakat.

 

Disa metra më tej, pikërisht në vendin ku qëlloi Amir, ka një memorial me gurë tëzinj të rrethuar nga flamuj izraelitë, dhe një mur të mbuluar me grafiti dhe fotografi: shtrëngimi i duarve midis Rabinit dhe Arafatit, buzëqeshja e Klintonit, Çmimi Nobel për Paqen: imazhe të një të ardhmeje që është bërë e shkuar, para se të jetë edhe e tashme.

 

Jigal Amir nuk i përkiste asnjë partie politike, por ishte i afërt me mbështetësit eKach, të cilët për muaj të tërë e kishin akuzuar kryeministrin për tradhti, për shkak të marrëveshjes me palestinezët. Ishte 6 tetori 1995, kur krahu i djathtë organizoi një protestë të madhe në Jerusalem.

 

Në atë rast, makina e kryeministrit - ai nuk ishte në të - u sulmua nga turma, e cila, përpara se shoferi të largohej, ia grisi emblemën Cadillac-ut të blinduar. “Si arritëm deri në këtë pikë? Ne mund të shkojmë deri tek Rabini”- tha një mbështetës 19-vjeçar i Kach, duke treguar logon në televizion. Emri i tij ishte Itamar Ben Gvir dhe tani është Ministër i Sigurisë së Brendshme në qeverinë e Netanyahut.

 

Një njeri që nuk e ka dënuar kurrë vrasjen e Rabin. Përkundrazi, ka mbrojtur vazhdimisht ata që e bënë këtë, madje duke kërkuar edhe lirimin e Amir, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm. Kjo është një nga arsyet pse kaq shumë prej nesh mezi gjejnë fjalët”- përfundon Grossman, me zemër të thyer.

 

Në Izrael, të gjithë e dinë se ku gjendeshin në mbrëmjen e 4 nëntorit 1995. “Në një rrugë të vogël që të çon në shesh, me djalin tim mbi supe”- përgjigjet pa hezitim Meron Rapoport, tani kryeredaktor i portalit progresist Local Call .

 

“Doja të shkoja në demonstratë, por jo në kaos. Në një moment të caktuar, shkova në shtëpinë e prindërve të mi, të cilët jetonin aty afër. Atje, dëgjova lajmet në radio: e lashë fëmijën dhe vrapova për në punë”.

 

Ka një detaj që Rapoport nuk mund ta harrojë: “Punoja në Yedioth Ahronoth. Mbaj mend që atë mëngjes redaktori tha se nuk kishim lajme të bujshme. Unë iu përgjigja: Mos u shqetëso, do të vrasin dikë në demonstratën që zhvillohet sot. Nuk më shkonte kurrë mendja për Rabinin. Por atmosfera ishte shumë e tensionuar; ishte e qartë se tensioni do të shpërthente”.

 

Benzinën ia hodhi zjarrit kreu i opozitës dhe kreu i Likud, Netanyahu, asokohe 46 vjeç, i cili foli në një tubim mbrëmjen e sulmit ndaj Cadillac-ut të Rabinit, duke dënuar edhe një herë Marrëveshjet e Oslos: “Vdekje Rabinit! Do ta dëbojmë me zjarr dhe gjak”- brohoriti turma.

 

Kryeministri i ardhshëm, nuk u pendua dhe nuk bëri asgjë për të qetësuar situatën. Kjo është edhe arsyeja, pse kur u vra Rabini, askush nuk mendonte se Netanjahu mund të mbijetonte politikisht. E gjithë e djathta, ishte në bankën e të akuzuarve. Konsensusi për paqe dukej i pamundur të minohej.

 

“Dua të besoj se do të zgjohemi nga ky makth në një botë më të mirë”- tha e veja e tij, Lea, një javë pas vdekjes së burrit të saj. “Nuk ka alternativë tjetër përveç një kompromisi midis hebrenjve dhe arabëve”- shkroi Amos Oz në të njëjtën kohë.

 

Të dy gabuan: në maj, Netanjahu fitoi zgjedhjet. “Deri në atë kohë mundësia për paqe ishte reale”- shpjegon ish-ministri Josi Beilin i qeverisë Rabin, arkitekti i Paktit të Oslos, njeriu që, së bashku me Abu Mazen, kishin hartuar një plan veprimi që adresonte të gjitha çështjet e mbetura pezull midis dy popujve.

 

“Pata një takim me Rabinin për t’ia paraqitur planin. Ndoshta nuk do të kishte qenë zgjidhja përfundimtare, por jam i sigurt se do të kishte qenë baza për zgjidhjen përfundimtare. Vdekja e Rabinit, ishte gjëja më e keqe që mund t'i kishte ndodhur Izraelit. Ajo e ndryshoi historinë përgjithmonë, duke na lënë të pyesim veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse…”- thotë sot ai.

 

Sot kjo “nëse” është një realitet i prekshëm në Sheshin Rabin: nga këtu, duhen më pak se dhjetë minuta për të arritur në Sheshin e Pengjeve, vendin e makthit më të fundit të Izraelit, më 7 tetor 2023: 1.200 të vdekur, 251 të rrëmbyer.

 

Pasoi lufta në Gaza, me 67.000 të vrarët e saj. A do të kishim arritur në këtë pikë nëse dikush do ta kishte ndaluar Jigal Amirin 30 vjet më parë? Sot, më shumë se kurrë, Izraeli i bën vetes këtë pyetje.

 

 

XS
SM
MD
LG