Projektligji për barazinë gjinore i ndikuar nga Soros! "Shkatrim i konceptit të familjes"
Tuesday, 07 October 2025 08:38

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se për hartimin e projekt-ligjit të shumë-diskutuar për “barazinë gjinore” është konsultuar me disa organizata të shoqërisë civile të financuara ndër vite nga rrjeti “Shoqëria e Hapur” i miliarderit George Soros.
Drafti i ri, nëse miratohet, sjell për herë të parë terma si “gjini gjithëpërfshirëse”, “orientim seksual” dhe “identitet gjinor”, duke e zhvendosur konceptin e familjes tradicionale “burrë-grua” drejt një qasjeje më neutrale gjinore. Kritikët e kanë cilësuar këtë si një hap drejt “shkatërrimit të konceptit klasik të familjes”.
Ndërkohë që në vendet e tjera, përfshirë SHBA-në, janë marrë masa për të mbrojtur përkufizimet biologjike të gjinive, me presidentin Donald Trump që ka urdhëruar agjencitë federale të “njohin se gratë janë biologjikisht femra dhe burrat janë biologjikisht meshkuj”, në Shqipëri qeveria po ecën në drejtim të kundërt, duke promovuar terminologji që sfidon ndarjet tradicionale gjinore.
“Konsultimi publik” dhe ndryshimet pas tij
Më 10 mars 2025, Ministria e Shëndetësisë publikoi për konsultim publik draftin e projekt-ligjit për “Barazinë Gjinore”. Në versionin fillestar, termat “burrë” dhe “grua” ishin ende pjesë e dokumentit, duke përfshirë edhe sqarimin: “…ë. Gra dhe burra në kuptim të këtij ligji nënkupton edhe vajza dhe djem.”
Pas konsultimit publik, në të cilin morën pjesë disa OJQ të mbështetura nga fondacione të huaja, Këshilli i Ministrave bëri ndryshime thelbësore. Në variantin e rishikuar, formulimi u zëvendësua me: “Gjini”, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Këto ndryshime, shkruan Bold, erdhën pas sugjerimeve të dy organizatave kryesore: Aleanca LGBTI dhe Qendra AWEN, të cilat kanë një histori të gjatë bashkëpunimi me projektet e financuara nga rrjeti “Soros”.
Sipas kritikëve, këto grupe janë përdorur si “konsulentë” për të legjitimuar ndryshimet ideologjike që qeveria dëshiron të përfshijë në ligj.
“Konsulentët” dhe lidhjet me rrjetin Soros
Të dyja organizatat e përmendura janë të lidhura me axhendën progresiste që promovon konceptin e “gjinisë gjithëpërfshirëse”.
“Aleanca LGBTQI”, siç dihet publikisht, ka në themel të veprimtarisë së saj përhapjen e kësaj ideologjie. Ndërsa Qendra AWEN, e përbërë nga disa shoqata që promovojnë të drejtat e grave, sipas kritikëve, po rrezikon vetë konceptin e “gruas” si nënë dhe mbartëse e vijimësisë së shoqërisë, duke e zëvendësuar me termin e ri “prindi 1”.
Shumica e organizatave që përbëjnë rrjetin AWEN kanë marrë mbështetje financiare nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Ndër to përfshihen:
Shoqata “Gender, Paqe dhe Siguri”, e themeluar në vitin 1999, e cila ka përfituar fonde për projekte mbi barazinë gjinore dhe mbrojtjen e grave të margjinalizuara.
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC), një bashkim organizatash që gjithashtu kanë lidhje të ngushta me fondacionin “Soros”. Brenda saj operojnë:
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, e drejtuar për vite me radhë nga Iris Luarasi, deputete e Partisë Socialiste.
Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare, me projekte të mbështetura nga fondacioni “Soros”.
Shoqata “Refleksione”, një tjetër përfituese e fondeve nga “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.
Edhe pse disa nga OJQ-të lokale që janë pjesë e grupit AWEN nuk kanë marrë drejtpërdrejt financime nga “Soros”, ato kanë përfituar fonde nëpërmjet bashkëpunimit me organizata më të mëdha të mbështetura nga i njëjti rrjet.
Në përfundim, dokumentet e konsultimit publik tregojnë se projekt-ligji për “Barazinë Gjinore” është transformuar ndjeshëm pas “këshillimeve” të këtyre organizatave duke e zhvendosur fokusin nga mbrojtja e barazisë mes burrave dhe grave, drejt një koncepti të ri të identitetit gjinor që ka ndezur një debat të gjerë mbi të ardhmen e familjes tradicionale shqiptare./joq