Lidhje


A i përçau Perandoria Osmane shqiptarët mbi baza fetare? Ç ‘është sistemi i Miletit?

Nga Samuel Laze

 

SQARIM: Synimi i këtij shkrimi është përcjellja e një mesazhi për ruajtjen e bashkëjetesës kombëtare duke mos i lënë shteg tezave përçarëse sidomos atyre mbi baza fetare të cilat do luhatnin tolerancën tonë shekullore që është një nga vlerat më të forta që kemi si shqiptarë. Shkrimi nuk synon kurrsesi ofendime apo përçmime ndaj komuniteteve të ndryshme dhe doktrinave apo adeteve (zakone) respektive.

 

Botëkuptimi i një kombi reflektohet në atmosferën e tij psikologjike. Instrumenti magjik që luan tingujt e ndjenjave në këtë atmosferë është fjala. Veçse jo gjithkush gjithmonë mund ta shprehë atë që ndjen nëse nuk arrin të gjejë fjalën e duhur me kuptimin ideal  në kohën që i nevojitet. Ky manifestim është i kushtëzuar nga fjalori, që është banka ku ruhen fjalët të cilat qarkullojnë në mesin e një shoqërie. Damarin kryesor të vetëdijes kombëtare e preu pikërisht masakra ndaj gjuhës shqipe në shek. XX, një masakër ndaj së cilës sot tregohet i pa ndërgjegjësuar edhe segmenti më konservator…

 

Duke shfrytëzuar këtë mjegullnajë komitetet e fshehta nëpërmjet tezave të tyre përçarëse (Shënim: tezat që demonizojnë Perandorinë Osmane, prezantimin e saj si barbare dhe shqiptarëve myslimanë si “tradhtarë kombëtar” me etiketime nga më të ulëtat janë pjesë e agjendave që nxisin urrejtje e përçarje mes kombit) dhe nën perden e atdhedashurisë gjithnjë e më shumë synojnë t’i shkëpusin shqiptarët nga realiteti dhe t’i shtyjnë drejt iluzioneve dhe aventurave imagjinare.

 

E tillë është teza se Perandoria Osmane (Perandoria Osmane është emri i koduar që ata përdorin për të identifikuar Islamin, pasi për tu treguar të kujdesshëm ndaj opinionit publik nuk e përmendin gjithmonë drejtpërdrejte emrin e besimit) e paska përçarë mbi baza fetare popullin shqiptar duke penguar kështu bashkimin kombëtar nëpërmjet Sistemit të Miletit(!) .

 

Në fakt, nëse do kishim njohuri gjuhësore të mjaftueshme sa për të kuptuar një libër shqip që është shkruar të paktën shekullin e kaluar nuk do të ishte fare e nevojshme formulimi i një artikulli të tillë në trajtën e replikës pasi pretendimet e tyre i nënshtrohen rregullit logjik “xhevabu’l ahmak es-suqut”

Sidoqoftë…

E para, sado që sot përdoren me të njëjtin kuptim, në literaturë fjala komb nuk është ekuivalente me fjalën mil’let:

 

Kombi është rezultati i klimës dhe mënyrës së të ushqyerit. Njerëzit që jetojnë në kushte të njëjta gjeografike[1] dhe ushqehen njëlloj[2] kanë prirje të përbashkëta të temperamentit. Ndikimi i mjedisit dhe ushqimit në karakterin e njeriut është fakt i pamohueshëm dhe i pranuar në mënyrë unanime në botën e shkencës.

 

Mileti është rezultat dhe manifestim i unitetit, njëshmërisë , bashkimit të ndjenjave dhe mendimeve. Njerëzit që kanë peshore të njëjtë mendimi, që gëzohen dhe zemërohen për të njëjtat gjëra janë i njëjti milet

 

Rrjedhimisht, një grup njerëzish që janë i njëjti komb nuk janë doemos i njëjti millet. Në Perandorinë Osmane (ashtu sikurse edhe në literaturën Islame) kombet ishin të shumta ndërsa milete ishin vetëm dy: ehl-i qyfyr dhe ehl-i iman ose e thënë ndryshe jo-myslimanët dhe myslimanët.

 

Së dyti, secili milet, nisur nga botëkuptimi i tij kishte të drejtë të jetonte, të arsimohej dhe zbatonte ligjet në mënyrën që besonte. Institucioni që siguronte mbarëvajtjen e jetës sociale në Perandorinë Osmane ishte Sistemi i Miletit.

 

Botëkuptimi është një qasje tërësore i cili arrin t’i japë përgjigje çfarëdolloj pyetjeje që mund të kalojë nëpër imagjinatën njerëzore. Veçse, disa botëkuptime i japin peshë më të madhe aspektit biologjik e disa aspektit shpirtëror. Këto botëkuptime në filozofi njihen si teori moniste.  Për shembull, kapitalizmi dhe socializmi i trajtojnë çështjet duke marrë në konsideratë vetëm anën fizike të tyre, ndërsa krishterimi si botëkuptim spiritualist që është trajton vetëm anën shpirtërore, morale dhe nuk përcakton asnjë konditë në lidhje me jetën sociale (të drejtën penale, ligje mbi ekonominë etj…). Edhe institucioni i Papatit në parim është një institucion këshillues ndërsa për sa i përket çështjeve të ekzekutivit, lidhet me autoritetin politik të kohës. Ndërsa Islami[3], është një botëkuptim dualist, origjinal në llojin e tij, i cili trajton në mënyrë të pandarë fiziken dhe metafiziken, materialen dhe shpirtëroren, dynjanë dhe ahiretin, duke vendosur një sistem në  jetën e njeriut që para se të lindë edhe deri mbasi ndërron jetë[4]… Vetëm se, Islami është një sistem realist dhe realiteti ku bazohet është natyra njerëzore. Rregulla të prera (janë shumë pak) vendos vetëm në lidhje me veçoritë e pandryshueshme te njeriu, ndërsa për të tjerat, me anë të një elasticiteti të pakrahasueshëm ia lë në dorë kushteve të kohës dhe vendit (maslahat) dhe bazuar në këto parime bazë, stimulon gjithnjë e më shumë idetë e reja[5] dhe diversitetin e pranon si vlerë në shoqëri[6]. Emërtimi terminologjik i konkluzioneve të përftuara nga përpjekjet e personave kompetentë[7] – duke u bazuar në principet themelore – është içtihad.  Trupa gjykuese, duke lundruar në oqeanin e pafund të içtihadeve, nëpërmjet metodës kazuistike (çështje për çështje) zgjedh më të përshtatshmen për rastin specifik dhe e aplikon….

 

Më poshtë, me anë të disa rasteve praktike do të vërtetojmë se Sistemi i Miletit kishte rol kyç në ruajtjen e harmonisë kombëtare pasi i jepte gjithkujt mundësinë e veprimit sipas principeve që besonte. Për shembull, në Shqipëri, zona katolike malësore kishte përvetësuar kanunin e Lekë Dukagjinit dhe vepronin me ligjet e gjykatat e tyre, ndërsa myslimanët kishin gjithashtu ligjet dhe gjykatat e tyre. Ja disa dallime në botëkuptim:

 

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit:

  • (Gruaja ka për detyrë) Me ba gati mjesditen e darken, me zie, me ndreqë tryezen e me da haenat.[8]
  • E zoja e shpis do të përkujdeset per fmi, sa të jen në punë grat.[9]
  • Vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue per Martes të vet, tagri asht në dorë të vllazenve a të kusherijve.
  • Vajza s‘ka tager: a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per ate, per të cilin t’a fejojn; b) m’u perzie në shkuesi as në fejesë; c) as në këpucë as në petka.[10]
  • Vajza nen unazë nuk ka tager me lshue djalin. Vajza e xanun nuk mundet me e lshue djalin edhe në mos e pasët per sy.
  • Po s’nigioi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xanë, edhe me perdhuni do t’ia apin atij, qi e ka xanë me “Fishek më shinë”; e per n’i raftë per sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek të prindës së saj, e gjaku i vajzës shkon hupës, per arsye qi me fishek të tyne e vrau.[11]
  • Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi.[12]

Shënim: Ky krahasim nuk ka për qëllim nxitjen e debateve krahinore apo fetare dhe as nënçmimin apo ofendimin e kanuneve, por thjesht vë në dukje realitetin e kohës duke treguar ndryshimet në mentalitet

 

Sipas ligjeve osmane (bazuar në parimet islame). Ky legjislacion ka qënë në fuqi në Shqipëri deri në vitin 1930 kur u zyrtarizua abrogimi total i tij.

 

  • Gruaja nuk kishte asnjë detyrim ligjor për tu marrë me punët e shtëpisë, gatuar, shërbyer burrit etj… Madje edhe për fëmijën që lindte nuk ishte e detyruar t’i jepte gji. (Në këtë rast burri obligohej t’i gjente foshnjës mëndeshë)
  • Si vajza ashtu edhe djali vendosnin vetë për jetën e tyre. Celebrimi i pavullnetshëm konsiderohej i pavlefshëm.[13]
  • Mosha minimale për martesë ishte 17 për vajzat dhe 18 për djemtë[14]
  • Vajza mund të martohej edhe pa lejen dhe pëlqimin e prindërve. Vetëm në rast se dhëndri nuk i siguronte dot jetesën vajzës ose puna që bënte mund të cenonte dinjitetin e familjes, babai i vajzës duke iu drejtuar gjykatës mund ta shpallte të pavlefshëm celebrimin e kryer rishtazi .[15]
  • Gruaja gjatë momentit të celebrimit  fitonte edhe të drejtën (nëse e kërkonte) për ta divorcuar bashkëshortin në momentin që dëshironte.[16]
  • Vajzat gjithashtu kishin të drejtën e trashëgimisë, zotërimit të pasurisë, aktivizimit në jetën sociale ekonomike…

Sikurse u tregua me anë të ilustrimeve konkrete të mësipërme, me atë hendek të madh që ekzistonte ndërmjet botëkuptimeve të ndryshme, Sistemi i Miletit, pra, liria për të jetuar ashtu sikurse beson, ishte rendi që siguronte bashkëjetesën kombëtare pasi nëse do ekzistonte vetëm një lloj legjislacioni dhe të gjithë do të detyroheshin të zbatonin një sistem të vetëm, atëherë do shfaqeshin pakënaqësitë, reagimet dhe mbase reaksione të ndryshme dhe në këtë mënyrë do kishim një përçarje kombëtare.

 

[1] Ibn-i Haldun, Mukkadime, Vëll. I, fq.116-120

[2] Ibn-i Haldun, Mukkadime, Vëll. I, fq.124-127

[3] Shih. Kadir Mısıroğlu, İslam Dünya Görüşü – Kjo kryevepër është përkthyer në shqip nga Mi’hat Hoxha me titull “Botëkuptimi Islam”

[4] para se fëmija të lindë është kusht niqahu për prindërit. Edhe kur vdes ka rregulla në lidhje me lidhjen e qefinit, mënyrën e varrimit etj…

[5] Këtë stimulim e thekson duke shprehur “2 sevape për atë që bën içtihad të saktë dhe një sevap për atë që gabon në içtihad”.

[6] Në një hadith-i Sherif (fjalë Pejgamberi) urdhërohet e thuhet që: “Ihtilafi (diversiteti) i ymmetit tim është rahmet”

[7] Personat kompetentë për të kryer içtihad quhen myçtehit dhe për të qenë të tillë duhet të plotësojnë një listë të gjatë kushtesh.

[8] Kanuni i Lekë Dukagjinit, §. 23. Perelimi i zojës së shpis.

[9] Po aty.

[10] Kan. L. D, §. 31. Tagri vajzës.

[11] Po aty, §. 43

[12] Kan. L.D, NYE I NJIZETËT. Trshigimi I grues Shqyptare.

[13] Hukuk-i Aile Kararnamesi, neni 17

[14] Po aty, neni 4

[15] Po aty, neni 47

[16] Emërtimi në literaturë: tevfiz-i talak

 

 

 

XS
SM
MD
LG