“Jemi kthyer në zombie”, Gaza po shuhet ngadalë nën bllokadën i.zraelite

“Sa lehtë thuhet fjalë uri’”, thotë një proverb italian që sot rikthehet si një britmë në rrëfimet tronditëse që vijnë nga Gaza. Në një cep të botës ku ajri është bërë pluhur, uji një luks dhe buka një mit, mbi dy milionë njerëz janë lënë të vdesin ngadalë, ndërsa “rubinetat” e ndihmave po mbyllen çdo ditë e më shumë nga qeveria izraelite.
“Qeveria e Netanyahut po ushtron një politikë të qëllimshme urie ndaj popullatës së Gazës,” denoncon një mjek europian i UNICEF. Që nga marsi, ndihmat humanitare janë bllokuar ose kufizuar ndjeshëm. Të dhënat tregojnë se të paktën 86 palestinezë kanë vdekur nga uria, mes tyre 76 fëmijë, që nga fillimi i ofensivës së Izraelit pas 7 tetorit.
“…fëmijët që thjesht nuk zgjohen më”
“Njerëzit bien në tokë nga lodhja, pa asnjë forcë, pa imunitet, pa ujë…”, rrëfen një doktoreshë 35-vjeçare nga kampi i Dir El Ballah. Vetëm në 24 orët e fundit, 18 persona kanë vdekur nga uria, sipas të dhënave lokale. Që prej një jave, tregjet janë bosh, çmimet e produkteve bazë janë bërë të papërballueshme, dhe njerëzit, të dëshpëruar, vrapojnë drejt ndihmave humanitare edhe pse shumë prej tyre qëllohen në vend nga ushtarë izraelitë apo kontraktorë amerikanë.
Pikat e ndihmave “gracka”
Që nga 26 maji, janë ngritur katër qendra shpërndarjeje ndihmash nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), të cilat zëvendësuan ato të OKB-së. Por këto janë kthyer në gracka vdekjeje, ku çdo ditë ushtarët qëllojnë mbi turmat e uritura. Sipas OKB-së, më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë në këtë formë. Izraeli pretendon se po lufton terroristët e Hamasit që përpiqen të vjedhin ndihmat, por dëshmitarët flasin për kaos të qëllimshëm dhe dhunë të pamëshirshme.
“Tani jemi kthyer në zombie, të privuar nga gjithçka”, thonë palestinezët, siç citohet nga shtypi izraelit.
Statistikat
Një raport i World Food Program, më 12 maj, paralajmëronte për një katastrofë të afërt urie:
-470 mijë persona në rrezik serioz
-71 mijë fëmijë dhe 17 mijë nëna në kufirin e mbijetesës, ndërsa ushqimet po kalben në kufirin e mbyllur
Pesë plagët e Gazës
Bombat bien mbi shkolla e tenda ku strehohen civilët
Karburanti mungon, ndalen ambulancat dhe spitalet
Furnizimi me ushqim ka shkuar në pikën zero
Kampet me ujë të ndotur, asnjë ilaç
Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët janë më të rrezikuarit
Spastrim, zhvendosje dhe urrejtje
Prej marsit të këtij viti janë lëshuar 55 urdhra zhvendosjeje, që kanë boshatisur 81% të territorit të Gazës. Plot 737 mijë persona janë larguar nga tendat për të kërkuar një vend më pak të rrezikshëm. Popullsia po “ngjeshet” në vetëm 14% të territorit të mbetur, në kushte mizore.

“Genocid”, e thotë edhe shtypi izraelit
Gazeta Haaretz, një nga të paktat media kritike (objektive në fakt) në Izrael, flet tashmë qartë për “spastrime etnike” dhe “genocid të ngadaltë”. Qëllimi, sipas saj, është zhvendosja përfundimtare e të gjithë palestinezëve në Rafah, që më pas të deportohen në vende si Libia, Etiopia apo Indonezia./tvklan.al