Lidhje


Media italiane: Agjenti i lidhur me Igli Taren nën lupën e Prokurorisë, Report Rai 3 rikthen në vëmendje transferimin 17.5 milionë euro të Muriqit

Një hetim i Prokurorisë së Romës ndaj agjentit të njohur të futbollit Gabriele Giuffrida ka rikthyer në qendër të debatit një nga transferimet më të diskutuara në historinë e afërt të Lazios: blerjen e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi nga Fenerbahçe për 17.5 milionë euro.
Në një reportazh investigativ të transmetuar nga Report Rai 3, televizioni publik italian rindërton jo vetëm mënyrën se si u realizua operacioni, por edhe rrjetin e ndërmjetësve që përfituan komisione nga marrëveshja. Mes emrave të përmendur shfaqet edhe ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, i cili në atë kohë ishte arkitekti i merkatos së klubit.

 

Sipas emisionit, transferimi i Muriqit kishte ngjallur entuziazëm te tifozët e Lazios, por në fushë rezultoi një dështim i kushtueshëm. Sulmuesi kosovar luajti pak ndeshje dhe pjesën më të madhe të sezonit e kaloi në stol, ndërsa investimi prej gati 18 milionë eurosh u kthye shpejt në objekt kritikash.

 

Në video transmetohen edhe komente të ashpra nga persona të intervistuar, të cilët e cilësojnë transferimin si të pakuptimtë për nivelin sportiv të lojtarit. Megjithatë, sipas investigimit, ndërsa në aspektin teknik operacioni ngrinte pikëpyetje, në aspektin financiar ai rezultonte një "festë" për ndërmjetësit.

 

Report Rai 3 pretendon se në këtë transferim morën pjesë pesë ndërmjetës. Krahas agjentit dhe avokatit të futbollistit, përmendet edhe agjenti shqiptar Skumbin Kormemeti, i përshkruar si mik i afërt i Igli Tares. Në operacion përfshihen gjithashtu Gabriele dhe Valerio Giuffrida, të cilët, sipas reportazhit, ndanë komisionet që u paguan nga lojtari dhe klubet e përfshira.

 

Sipas investigimit, Lazio pagoi komision vetëm kompaninë GG11, në pronësi të Gabriele Giuffridës, ndërsa pjesa tjetër e ndërmjetësve u shpërblye në forma të tjera nga palët e përfshira në marrëveshje.

 

Reportazhi ndalet edhe te marrëdhëniet e vëllezërve Giuffrida me drejtues të rëndësishëm të futbollit italian. Sipas tij, Valerio Giuffrida ka mbajtur edhe funksionin e anëtarit zëvendësues të bordit mbikëqyrës në Lazio Events, kompania përmes së cilës presidenti Claudio Lotito kontrollon klubin Lazio. Në reportazh thuhet gjithashtu se vëllezërit Giuffrida gëzojnë lidhje të forta me botën bankare dhe financiare dhe janë aktivë në ndërmjetësimin e operacioneve të klubeve.

 

Investigimi zgjerohet më tej duke kritikuar modelin ekonomik të futbollit italian. Sipas analizës së Report Rai 3, në pesë vitet e fundit klubet italiane kanë humbur rreth 1.6 miliardë euro, ndërsa borxhi i përgjithshëm i sektorit ka arritur në 4.6 miliardë euro, kundrejt një xhiroje prej rreth 3.8 miliardë eurosh. Sipas autorëve të investigimit, nëse futbolli do të funksiononte si një industri e zakonshme, shumë klube do ta kishin të pamundur të mbijetonin financiarisht.

 

Në këtë panoramë, reportazhi argumenton se plusvalencat nga shitblerja e lojtarëve janë bërë oksigjeni financiar i sistemit. Vetëm në sezonin 2018-2019, para pandemisë, ato gjeneruan rreth 800 milionë euro, duke zbutur humbjet e klubeve dhe duke e bërë tregun e transferimeve një mekanizëm me peshë vendimtare në bilancet financiare.

 

Ndërkohë, hetimi i Prokurorisë së Romës ndaj Gabriele Giuffridës lidhet me dyshimet se kompania e tij GG11 Srl ka deklaruar të ardhura më të ulëta dhe shpenzime më të larta nga ato reale, duke ulur në mënyrë të paligjshme bazën e tatueshme. Sipas autoriteteve italiane, shuma e kontestuar tejkalon 2 milionë euro.

 

Deri në këtë fazë, Igli Tare nuk rezulton nën hetim në këtë procedim. Emri i tij përmendet në reportazhin investigativ vetëm në kontekstin e operacioneve të merkatos së Lazios dhe marrëdhënieve profesionale me disa prej ndërmjetësve të përfshirë.

XS
SM
MD
LG