Gënjeshtra e vrasjes së Abedin Pashë Dinos nga sulltan Abdulhamidi
Sunday, 10 May 2026 15:46
Nga hoxhë Florian Leli
Dje në darkë më zuri syri rastësisht një postim të një deputeti socialist të qarkut të Vlorës që pretendonte se personaliteti i njohur çam Abedin Pashë Dino ishte vrarë me urdhër nga vetë sulltan Abdulhamidi. Pretendimi i tij më bëri të kërkoj për burimin e kësaj gënjeshtre dhe për çudinë time ajo i kishte këmbët shumë të shkurtra. Zanafillën e kishte te një postim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që për çudi ishte bërë po dje në darkë (të shtunën), jashtë çdo orari zyrtar, me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij. Më pas deputeti socialist e kishte bërë titull të parë dhe kuptohet që gazetat fantazëm të internetit e përhapën menjëherë. Nuk ka asnjë të dhënë historike që Abedin Pasha është vrarë nga sulltani dhe është tepër qesharake të pretendohet një pretendim i tillë. Kushdo që zotëron një njohje të përgjithshme kulturore të historisë së asaj periudhe e ka shumë që qartë që gjërat nuk funksiononin kështu. Këto trillime nuk ka arritur t’i bëjë as diktatura komuniste, por ja që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i bën me një të rënë të lapsit.
Abedin Dino ka vdekur nga një atak në zemër më 9 maj 1906 gjatë punës së tij si komisioner në procesin e reformave të Jemenit, ku më parë kishte punuar edhe si vali (guvernator) i Adenit, një kryeqendre të njohur të Jemenit Jugor. Abedin Pashës iu kërkua të merrte pjesë në këtë komision, megjithëse ai kishte dalur në pension, por eksperienca e tij e gjerë si diplomat, drejtues dhe nëpunës i shtetit dhe fakti që ai ishte një nga njohësit më të mirë të gjuhës arabe, kërkonin që Abedini të ishte aty.
Abedin Dino, përveçse një kontribues i madh në çështjen shqiptare, ishte padyshim një nga besnikët e sulltanit dhe një nga diplomatët më me nam në Shtetin Osman. Ministër i Jashtëm në qeverinë e 1880-tës, guvernator në disa zona të Turqisë, të Ballkanit dhe të Jemenit, drejtues dhe pjesëmarrës në shumë komisione negociuese në Evropë dhe brenda shtetit, një nga këto ishte drejtimi i negociatve për kufirin greko-osman, e shumë e shumë detyra të tjera. Në vitet e fundit të jetës ishte për një farë kohe edhe ministër në kabinetin e mikut të tij vlonjat Mehmet Ferit Pashës.
Pikërisht për këto shërbime të shquara ndaj shtetit, u varros me nderime dhe respekte në varrezën Fatih, varrezën më të njohur të Stambollit, bashkë me vëllanë e tij Vejsel Pashë Dinon dhe ngjitur me ministrin e njohur osman të mbrojtjes Gazi Osman Pashën, jo shumë larg edhe nga varri i vetë sulltan Mehmet Fatihut, mëshira e Allahut qoftë për të gjithë ata.
Aq shumë ishin gëzuar islamofobët nga kjo gënjeshtër që nuk i shkon për shtat një institucioni zyrtar si Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, institucion që nga vetë emri duhet të bazohet në fakte dhe dëshmi përpara se të shkruajë, sa nuk po dinin ç’të thonin më parë!
Sidoqoftë, islamofobëve po u tregoj vetëm disa fakte të shkurtra për intelektualin mysliman Abedin Pashë Dinon. Abedin Pasha ishte një nga njohësit më të mirë të gjuhës arabe në kohën e tij. Kjo njohje e mirë e gjuhës arabe i mundësoi që në vitin 1894 të botonte librin e tij me titull “Gramatika Arabe në Turqisht” (tr. Türkçe Nahv i Arabî). Po në atë vit botoi librin me titull “Superioriteti i Islamit” (Meâlî-i İslâmiye). Përktheu dhe shpjegoi edhe poemën e njohur arabe “El Burda”. Shkroi një libër të vogël në mbrotje të islamit dhe Kurani Kerimit si kundërpërgjigje ndaj një prifti egjiptian, libër të cilin e titulloi “Bota Islame” (tr. Âlem-i İslâmiye). Shkroi edhe libra të tjerë me tematika rreth Kurani Kerimit dhe si njohës i mirë i së drejtës dhe jurisprudencës islame botoi libra dhe ese rreth ekonomisë islame. Abedin Pasha ka qenë edhe komisioneri i parë zyrtar i Bursës së Stambollit.
Padyshim Abedin Pasha, ka qenë një personalitet dhe figurë e njohur e kohës i cili për fat të keq më shumë vlerësohet nga turqit se sa nga ne. Ai është një personalitet për të cilin në Turqi janë botuar libra dhe studime, për të cilin është shkruar shumë dhe që zë një vend të rëndësishëm në historinë dhe politikën osmane.
Në anën tjetër, në Shqipëri, komunizmi e la në hije figurën e tij, megjithëse ai ishte një nga ideatorët dhe kryesuesit e Lidhjes së Prizrenit, roli i të cilit nuk ishte aspak më i vogël se ai i mikut të tij Abdyl Bej Frashërit. Por, ashtu si edhe Lidhja e Prizrenit u deformua dhe u la në hije nga historikografia komuniste, po kështu edhe figurës së Abedin Pashës nuk i është dhënë aspak vendi që ai meriton.
Pashai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare dhe kontributi i tij nuk ka qenë vetëm diplomatik, por ai ishte pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë në luftimet e zhvilluara në Qafë Gjashtë dhe Lëkuras (Sarandë) në Luftën e Dytë të Janinës (1878) duke kontribuar me një numër të madh vullnetarësh çam, krahë për krahë me garnizionet ushtarake osmane, që përbëheshin nga një numër i madh i shqiptarëve. Kontribut të drejtëpërdrejtë ka pasur edhe në Luftën e Dytë të Janinës (1897), gjithashtu të udhëhequr nga forcat osmane dhe vullnetarët shqiptarë kundër komitëve dhe andartëve grekë.
Shpresojmë që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave t’i korigjojë këto gabime në postimet e rradhës dhe të mos bëhet shkak për përhapjen e rrenave dhe të gënjeshtrave. Ndërsa deputetëve të Vlorës, nuk u kërkoj asgjë më shumë se sa të merren me hallet e popullit, ndërsa historinë t’ua lënë të tjerëve në dorë, që të mos e ndritin edhe atë ashtu siç i kanë ndritur punët e Vlorës.