ANALIZA/ Pse myslimanët agjërues e braktisën masivisht iftarin e Ramës?
Saturday, 14 March 2026 13:06
Nga dr. Justinian Topulli
Në shkrimin e vet, dr. Justinian Topulli, argumenton se marrëdhënia e kryeministrit Edi Rama me komunitetin mysliman në Shqipëri po përfundon, duke e interpretuar bojkotin e iftarit të organizuar prej tij në datën 12 mars si shenjë të pakënaqësisë së besimtarëve praktikantë. Sipas autorit, kjo distancë lidhet jo vetëm me pakënaqësitë ndaj qeverisjes dhe akuzat për korrupsion, por sidomos me qëndrimin e Ramës ndaj luftës në Gaza dhe mbështetjen e perceptuar ndaj Izraelit, gjë që sipas tij ka dëmtuar rëndë raportin e kryeministrit me një pjesë të besimtarëve myslimanë në vend.
Marrëdhënieve flirtuese të Edvin Ramës me myslimanët shqiptarë duket se po i vjen fundi
Në iftarin që ai si kryeministër shtroi, kishte një bojkot masiv nga hoxhallarët dhe myslimanët praktikantë. Edhe pse Rama ftesat ua ka dërguar përmes punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe jo përmes KMSH-së, ndoshta për të pasur më shumë siguri në pjesëmarrje, në fakt ndodhi e kundërta. Sipas filmimeve, por edhe informacionit që kemi, iftari i tij është bojkotuar në mënyrë masive nga myslimanët agjërues. Edhe ata pak që qenë aty, një pjesë dihet mirë se qenë nga zori. Kështu që Rama ka qenë i detyruar ta mbushë sallën me joagjërues.
Myslimanët e këtij vendi, sado që deri më sot mund të jenë tërhequr për hundësh, të paktën një pjesë e tyre, duke u joshur me akrobacitë dhe me retorikën prej snobi të Kryeministrit, sjelljet e tij të pështira në krah të kriminelëve sionistë, e kanë damkosur atë tashmë keqas mes këtij komuniteti. Sigurisht që edhe skandalet e korrupsionit në qeverisjen e tij kanë rolin e tyre, si tek të gjithë shqiptarët e tjerë, por qëndrimi i turpshëm i tij dhe i qeverisjes së tij ndaj gjenocidit në Gaza, që ka tejkaluar edhe neutralitetin, duke u bërë palë në miratim, kanë tronditur rëndë marrëdhënien e tij me besimtarët myslimanë të kësaj toke.
Ne jemi një komunitet që edhe pse na drejtojnë institucionalisht njerëz që nuk na përfaqësojnë as moralisht e as fetarisht, autoritetin më të lartë kemi fjalën e Zotit dhe të Profetit, interpretimin e të cilave Rama nuk ka luksin të na e imponojë me injorancën dhe keqinterpretimin e tij prej profani. Braktisja masive e iftarit të tij zyrtar si kryeministër dhe linçimi i iftarit të tij si autor privat i një libri për myslimanët, është mesazhi më i qartë dhe i fortë se periudhës "së lumtur" mes tij, qeverisjes së tij dhe besimtarëve myslimanë i ka ardhur fundi.
Ne jemi një komunitet, që edhe pse si gjithë njerëzit e tjerë kemi gabimet dhe mangësitë tona, kemi edhe ne në mesin tonë të mashtruar nga retorika e magjistarit dhe hipokrizia e tij, kemi edhe njerëz të dobët e oportunistë, por në fund, jemi nga njerëzit më të sinqertë dhe më të moralshëm në këtë vend, ndaj dhe morali me amoralitetin e korrupsionit dhe pro-sionizmin aktiv, nuk bëhen kurrë bashkë dhe nuk kanë për të gjetur kurrë miratim mes nesh, përkundrazi.