Vatican News: Gaza, e vërteta e paqes, e varrosur nga indiferenca dhe heshtja
Nga Atë Ibrahim Faltas
Ky artikull për median zyrtare të Vatikanit është shkruar nga prifti katolik egjiptian, Atë Ibrahim Faltas, Drejtor i shkollave të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë. Në shkrim, ai trajton situatën tragjike në Gaza dhe në të gjithë Tokën e Shenjtë, duke theksuar se armëpushimi i shpallur nga presidenti Trump nuk ka sjellë paqen e premtuar dhe se popullsia civile palestineze vijon të përballet me dhunë, mungesë ndihmash dhe shkatërrim. Përmes këtij rrëfimi emocional dhe kritik, Atë Faltas ngre shqetësimin për indiferencën ndërkombëtare dhe bën thirrje për respektimin e jetës, dinjitetit njerëzor dhe për një paqe të vërtetë në rajon.
Shkrimi i plotë:
Bombardimet nuk janë ndaluar, ushqimi nuk ka mbërritur, ilaçet jetësore nuk janë shpërndarë, tendat nuk janë ngritur, jetët nuk janë shpëtuar për shkak të mungesës së spitaleve dhe punonjësve të shëndetësisë. Armëpushimi i shpallur nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara në rrugën drejt paqes: që nga tetori, vdekjet janë zvogëluar, ndërsa plagët e trupave dhe shpirtrave të atyre që vuajnë në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem janë shtuar.
Angazhimi i bërë nga bashkësia ndërkombëtare më shumë se katër muaj më parë, nuk ka sjellë veprime vendimtare, që sigurojnë paqen.
Kush dëshiron paqen, respekton jetën, vepron për ta arritur sa më shpejt, nuk ka asgjë mbas shpirtit, që punon për të ofruar lehtësim, ndihmë dhe shpëtim, e po e humbet edhe shpresën për paqen.
E ndërsa organizohen këshillat e administratës e mblidhen aplikime për mjete tregtare, njerëzit, në Gaza, vazhdojnë të vdesin. Ndërsa po bëhen plane për të asgjësuar sasinë e madhe të rrënojave që varrosën trupa, histori dhe kujtime, anëtarët e familjeve po vihen në shënjestër, ndërsa gërmojnë me duar rrënojat e shtëpive të tyre, për të kërkuar trupat e të dashurve.
Në Cisjordani dhe në Jerusalem njerëzit duan të mbijetojnë me një mori kufizimesh dhe vështirësish, duke u përpjekur të mbrojnë dhe të ruajnë vendet e tyre të origjinës, të cilat u përkisnin brezave që nga kohërat e lashta... ndërsa pronarë të rinj e të panjohur po i sekuestrojnë ato shtëpi dhe ato toka, falë dokumenteve të saposhtypura dhe ligjeve të miratuara rishtazi, që nuk e respektojnë jetën, as historinë e popullit.
Ata që dëshirojnë paqe, nuk mund të pranojnë që një fëmijë, të cilit tashmë i është mohuar qetësia e fëmijërisë dhe ka nevojë për ndihmë e mbrojtje, duhet të varrosë atë që i fali jetën.
E vërteta e paqes nuk mund ta varrosë një atë të dashur, njëherësh me shumë vdekje të pafajshme në Gaza. Shpresa e paqes nuk mund të varroset nga ata që shkaktojnë padrejtësinë dhe diskriminim në Tokën Shenjte. Bashkëfajësia e indiferencës dhe e heshtjes nuk duhet të varrosë të vërtetën dhe drejtësinë.
"Kërkoni paqe për Jerusalemin!" - nuk është vetëm ftesë psalmi për t'u lutur për paqe në Tokën Shenjte; është lutje për paqe, për një tokë të munduar, që vazhdon të vuajë dhe nuk ka më zë për të kërkuar paqe.
Kërkimi i paqes për Tokën Shenjte është respekt për dinjitetin e jetës, shqetëson çdo qenie njerëzore, në çdo cep të botës.
Do të ketë paqe në botë, kur lotët e një fëmije të mos e lagin më tokën, që fsheh trupin e babit.
Do të ketë paqe në botë, kur çdo fëmijë, si ajo vajza e vogël që qan nga dëshpërimi, të ketë ngrohtësinë e një shtëpie, ushqimin dhe kujdesin, si dhe një buzëqeshje për të kujtuar dashurinë dhe përqafimin e babit të saj, i cili vdiq gjatë armëpushimit, që ende nuk po e sjell paqen në Gaza.