Si duhet të transformohet solidariteti global ndaj Palestinës
Lëvizja globale në krah të Palestinës është në një udhëkryq, pasi format tradicionale të mbështetjes janë bërë shumë të lehta për t’u injoruar nga qeveritë. Prandaj lëvizja duhet të kalojë nga protestat reaktive, në ndërtimin e një pushteti politik të qëndrueshëm.
Nga Shatha Abdulsamad & Linah Alsaafin “Mondoweiss”
Pavarësisht se më 10 tetor Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim, gjenocidi në Rripin e Gazës vetëm sa është ngadalësuar. “Plani i paqes” i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk merret fare me dhunën strukturore izraelite që ekziston ende kundër palestinezëve.
Po ashtu, s’ka pasur asnjë lëvizje apo veprim të vërtetë nga qeveritë e botës për t’i mbajtur arkitektët e gjenocidit përgjegjës për krimet e tyre. Edhe pse masakrat e përditshme - mesatarisht 100 palestinezë në Rripin e Gazës - janë zvogëluar, mekanizmat e shtypjes janë ende në punë: terrori është po aty, dhe sulmet ajrore dhe të artilerisë izraelite vazhdojnë me një rezistencë minimale nga qeveritë botërore.
Në mungesë por edhe për shkak të dështimit të ndryshimeve institucionale, lëvizja ndërkombëtare e solidaritetit pro-Palestinës duhet që ta ruajë vrullin e saj. Ajo duhet të vazhdojë lëvizjen me veprime të drejtpërdrejta dhe efektive që i sfidojnë themelet e dominimit izraelit dhe bashkëfajësinë e atyre që e mundësojnë atë.
Që nga takimi i 13 tetorit në Sharm El-Sheikh për nënshkrimin ceremonial të të ashtuquajturit armëpushim, ndërmjetësit e bisedimeve - Katari, Egjipti, Turqia dhe SHBA - nuk po i mbajnë premtimet e tyre për ta vënë Izraelin para përgjegjësisë për shkeljet e tij.
Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, Izraeli ka kryer 194 shkelje të armëpushimit. Brenda një muaji, ai ka vrarë të paktën 241 palestinezë - përfshirë 97 fëmijë - dhe ka plagosur më shumë se 600 persona të tjerë. Po ashtu, Izraeli e ka shkelur premtimin e tij për të lejuar 600 kamionë me ndihmë humanitare të hyjnë në Gaza për të furnizuar popullsinë e sfilitur dhe kryesisht të zhvendosur.
Aktualisht, çdo ditë vetëm 145 kamionë arrijnë mesatarisht në Gaza. Ndërkohë, pika kufitare në Rafah mbetet e mbyllur, duke vënë më tej në rrezik jetën e dhjetëra mijëra pacientëve dhe të plagosurve. Dhe furnizimet thelbësore si shtëpitë e lëvizshme, tendat, furnizimet mjekësore, mishi i ngrirë dhe vezët, mbeten ende të ndaluara.
Po ashtu, në dallim nga angazhimi, Izraelit nuk po lejon hyrjen e makinerive të rënda për të pastruar rrënojat dhe për të gjetur trupat e rreth 10.000 palestinezëve të varrosur nën to. Uria vazhdon që të përdoret si një armë lufte, edhe pse në një formë më të butë.
Palestinezët raportojnë se ndërsa tregu është tërësisht i varur nga ajo që lejohet të hyjë nga Izraeli, është i përmbytur me ushqime të pasura me sheqer, karbohidrate dhe niseshte - të dendura në kalori, por të varfra në lëndë ushqyese. Kjo ka sjellë një shtim të shpejtë dhe jonormal në peshë, pas shumë muajsh zie buke që vrau qindra njerëz.
Nga ana tjetër ushqimet thelbësore të pasura me lëndë ushqyese si mishi, produktet e qumështit dhe produktet e freskëta, mbeten gati tërësisht të munguara. Këto akte të qëllimshme të kokëfortësisë nga Tel Avivi, janë arsyeja kryesore pse solidariteti global për Gazën dhe Palestinën në tërësi nuk duhet ta humbasë vrullin e tij.
Përkundrazi, aktivizmi ndërkombëtar duhet të përshpejtohet më tej, në mënyrë që të vazhdojë presioni ndaj qeverive që ta mbajnë Izraelin përgjegjës për krimet që ka kryer dhe vazhdon të kryejë. Sipas një raporti të Francesca Albaneses, Raportueses Speciale të OKB-së për Palestinën, të paktën 60 vende kanë thelluar dhe përfituar nga lidhjet ekonomike, tregtare dhe politike me regjimin sionist, përfshirë disa vende arabe.
Prandaj, qytetarët duhet të vazhdojnë të kritikojnë qeveritë e tyre bashkëfajtore, të cilat nuk ka asnjë dyshim se do të fshihen pas hijes së “armëpushimit”. Duke injoruar detyrimet e tyre sipas Konventës së Gjenocidit, opinionin këshillimor të GJND-së mbi paligjshmërinë e pushtimit dhe padinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netenyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, këto qeveri kanë nxjerrë në pah mashtrimin e rendit botëror të bazuar në rregulla.
Presioni publik në disa vende, shërbeu si një kujtesë për valën në rritje të publikut kundër Izraelit - një valë që duhet të kulmojë me përcaktimin e tij si shtet i përjashtuar nga arena ndërkombëtare, i sanksionuar në nivel ekonomik, politik dhe diplomatik.
Një nga shembujt se si ky presion u përkthye në politikë zyrtare, është embargoja e armëve e Spanjës ndaj Izraelit, duke u bërë vendi i dytë evropian pas Sllovenisë që e bën këtë. Dhe ndërsa këto masa mund të interpretohen nga disa si minimumi i domosdoshëm, nën dritën e skenave të përgjakshme të gjymtyrëve të shqyera të transmetuara drejtpërdrejt në pajisjet tona gjatë dy viteve të fundit dhe bombardimeve të tmerrshme të llogaritura sa rreth 8 bomba bërthamore të Hiroshimës, kjo është pikërisht arsyeja përse qytetarët duhet të vazhdojnë të mblidhen dhe të kërkojnë llogaridhënie.
Përndryshe, Izraeli do të vazhdojë të gëzojë njëfarë respekti - jo vetëm në nivelin politik, por edhe në sporte dhe në fushën e kulturës. Shumëkush ka denoncuar faktin që FIFA-s iu deshën vetëm 4 ditë për të pezulluar Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa vazhdon ta lejojë Izraelin të garojë në turnetë e tij pa u ndëshkuar.
Në këtë fazë të re dhe të pasigurt, është jetike të bëhet një vlerësim i formave të solidaritetit që kanë rezultuar efektive në përballjen me regjimin e rrënjosur të pandëshkueshmërisë së Izraelit, dhe që kanë jehuar në boshllëkun e mosveprimit ndërkombëtar.
Gjatë gjenocidit, disa nga format më me ndikim të veprimeve nuk kanë dalë nga sallat e konferencave ndërkombëtare apo samitet diplomatike, por nga rrugët, portet, kampuset universitare dhe fabrikat. Aty ku institucionet shtetërore kanë dështuar, secila prej këtyre vendeve të rezistencës ka luajtur një rol jetësor në transformimin e zemërimit në një presion politik të djeshëm.
Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, vala e madhe e protestave në kampuset studentore që kërkonin distancimin e universiteteve dhe heqjen e investimeve nga kompanitë bashkëpunëtore në shtypjen e palestinezëve, përfaqësonte një shenjë të ndryshimit të opinionit publik.
Por më e rëndësishmja, një zgjim moral midis një brezi të ri. Çadrat e tyre u shndërruan në xhepa rezistence, duke nxjerrë në pah aleancën midis botës universitare dhe ekonomisë globale të luftës. Pavarësisht arrestimeve masive, fushatave të shpifjes, dëbimeve dhe ndëshkimeve universitare, kampuset arritën që ta ndryshonin diskursin, duke i detyruar institucionet akademike të përballeshin me koston e investimeve të tyre në mbështetjen e sistemeve të dominimit, dhe duke treguar se solidariteti mund të jetë si intelektual ashtu edhe kryengritës.
Në të njëjtën kohë, veprimet e punëtorëve kanë rezultuar vendimtare në shndërrimin e zemërimit në pasoja ekonomike. Në Itali, Francë, Marok Spanjë, Belgjikë dhe Indi, punëtorët e porteve refuzuan të ngarkojnë ose shkarkojnë armë ose logjistikë me destinacion Izraelin.
Këto veprime, godasin drejtpërdrejt zinxhirët e furnizimit që e mbështesin aparatin ushtarak të regjimit izraelit, duke i transformuar portet në arena të llogaridhënies ndërkombëtare. Rrjetet e veprimit të drejtpërdrejtë, siç është Palestina Action në Britaninë e Madhe, e kanë çuar këtë më tej, duke synuar fabrikat që prodhojnë armë dhe pjesë përbërëse të përdorura nga regjimi i gjenocidit dhe aparteidit në Izraelit.
Veprimi i tyre, i ka detyruar firmat shumëkombëshe të armëve që të pezullojnë operacionet, të humbasin kontrata dhe të përballen me presionin publik. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata kanë bërë të dukshme atë që vazhdon ta fshehë diplomacia e mirësjellshme: që gjenocidi është një model biznesi dhe që prishja e tij është një detyrim moral.
Ndërkohë, Flotilja Sumud e sfidoi bllokadën detare të Izraelit pavarësisht përgjimeve dhe ndalimeve të përsëritura të aktivistëve. Një faktor kryesor në ndryshimin e opinionit publik, ishin protestat masive javore pro-Palestinës në kryeqytetet anembanë botës, të cilat kanë tërhequr miliona njerëz nga të gjitha sferat e jetës.
Këtu duhet përmendur edhe Grupi i Hagës, një bllok shtetesh që koordinojnë masat ligjore dhe diplomatike për të zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Përpjekjet e tyre të përbashkëta dhe referimi ndaj Konventës së Gjenocidit, e kanë shndërruar zemërimin publik në një presion të strukturuar, të udhëhequr nga shteti.
Por ndërsa lëvizja e solidaritetit palestinez po zgjerohet, po kështu ndodh edhe me shtypjen me të cilën përballet. Në mbarë Evropën dhe Amerikën e Veriut, qeveritë janë përpjekur ta kriminalizojnë lëvizjen e solidaritetit palestinez nën maskën e “kundërterrorizmit”, “rendit publik”, “sigurisë kombëtare” ose “antisemitizmit”, duke krijuar një efekt frenues dhe anashkaluar mbikëqyrjen gjyqësore.
Në Britani, Palestina Action u ndalua si një “grup terrorist”. Në Francë, Urgence Palestine u vu në shënjestër, ndërsa në Gjermani u ndalua Rrjeti i Solidaritetit të të Burgosurve Palestinezë Samidoun. Aktivistët që sfidojnë infrastrukturën e ekonomisë së luftës së Izraelit - ata që e lidhin veten me zinxhirë në portat e fabrikave, bllokojnë rrugët, pushtojnë konsullatat, demonstrojnë ose lundrojnë drejt Gazës - janë përballur me bastisje policore, arrestime arbitrare, shpifje dhe dëbime.
E megjithatë, represioni vetëm sa ka sqaruar se çfarë është në lojë: solidariteti me Palestinën, nuk është një akt bamirësie, por një formë rezistence politike kundër një sistemi global të bazuar tek hierarkitë koloniale, militarizmi i korporatave dhe të drejtat të njeriut që zbatohen me dy standarte.
Përpjekjet për të heshtur dhe kriminalizuar veprimin e solidaritetit, kanë ekspozuar shkallën në të cilën pushteti shtetëror është i investuar në ruajtjen e pandëshkueshmërisë për Izraelin, duke nënvizuar se lufta për Palestinën, është gjithashtu një luftë për kufijtë e legjitimitetit politik dhe rezistencës qytetare në mbarë botën.
Gjenocidi në Rripin e Gazës, i karakterizuar nga brutaliteti dhe pandëshkueshmëria e tij e palëkundur, do të kërkojë vite për t’u kuptuar plotësisht në përmasa, ndikim dhe kosto njerëzore. Deri në prill të këtij viti, raportet vlerësonin se ishin vrarë mbi 68.000 palestinezë. Ndërkohë, vazhdon kolonizimi dhe pushtimi i Izraelit në Bregun Perëndimor. Tani pyetja nuk është vetëm se si u lejuan të ndodhnin mizori të tilla, por si mund të transformohet reagimi i paprecedentë global ndaj tyre në një fuqi të qëndrueshme.
Për dy vjet, miliona njerëz marshuan nëpër sheshe e rrugë, u organizuan dhe refuzuan të bënin veshin shurdh ndaj asaj që po ndodhte në Gaza. Por i ashtuquajturi “armëpushim”, erdhi vetëm kur Uashingtoni vendosi se ishte politikisht i përshtatshëm, duke zbuluar kështu kufijtë e brishtë të zemërimit moral por pa një ndikim politik.
Ky është udhëkryqi me të cilin përballet tani lëvizja globale e solidaritetit. Format tradicionale të mbështetjes së kauzës së popullit palestinez për liri dhe pavarësi, kanë rezultuar shumë të lehta për t’u injoruar nga qeveritë. Pavarësisht mobilizimit të paparë publik, Izraeli nuk u trajtua në asnjë rast si shteti i përjashtuar dhe as nuk u sanksionua.
Përkundrazi marrëveshjet fitimprurëse - si ajo prej 35 miliardë dollarësh me Egjiptin për nxjerrjen e Gazit, e nënshkruar këtë vit - dhe partneritetet ushtarake u rritën. Sistemi e përthithi zemërimin dhe mbeti i pandryshuar.
Humbja e vrullit në këtë moment, do të bënte që ky moment qartësie të shpërbëhej në të njëjtat cikle pandëshkueshmërie që mundësuan dekada shpronësimi dhe dhune. Prandaj, solidariteti duhet të evoluojë nga protestat reaktive në një pushtet politik të qëndrueshëm.
Kjo do të thotë një presion i vazhdueshëm mbi qeveritë dhe institucionet, duke e bërë mbështetjen për pushtimin e Izraelit një barrë për politikanët dhe jo një pritshmëri. Po ashtu, do të thotë zgjerim i ndjekjes ligjore të zyrtarëve izraelitë përgjegjës për krimet e luftës dhe sfidim i korporatave, teknologjitë dhe investimet e të cilave mbështesin infrastrukturën e pushtimit.
Ndëshkimi ekonomik, nëpërmjet shitjes së investimeve, presionit të konsumatorëve dhe tërheqjes së bashkëfajësisë institucionale, duhet të vazhdojë, i organizuar jo si fushata të izoluara, por si strategji afatgjata. Po aq thelbësore, është nevoja për të shkuar përtej protestave tradicionale dhe mobilizimit episodal që lindin gjatë krizës dhe zbehen nën represion.
Duhet të zhvillohet infrastruktura, aleancat dhe strategjitë që sigurojnë jetëgjatësi, veçanërisht kur zbehet vëmendja e medias. Organizimi dixhital, puna kundër dezinformimit dhe rrjetet e sigurta të komunikimit duhet të bëhen mjete qendrore.
Duhet të forcohen më tej aleancat e ndërtuara gjatë dy viteve të fundit me lëvizjet antikoloniale, punëtore, feministe, klimatike dhe për drejtësi racore, në mënyrë që çështja palestineze të mos kuptohet si një krizë e izoluar, por si pjesë e një lufte globale kundër sistemeve të dominimit.
Dhe mbi të gjitha, solidariteti duhet t’i mbajë në qendër të saj zërat palestinezë. Fuqia e lëvizjes do të mbështetet në aftësinë e saj për të ndjekur drejtimin e vetë palestinezëve në mbështetjen e kërkesave, strategjive dhe vizionit të tyre për çlirim, pa i lejuar që qeveritë ose ojq-të t’i zbehin ose riformulojnë ato.
Ajo që vjen më pas, nuk mund të jetë një kthim tek zemërimi episodik apo gjeste simbolike. Për të nderuar jetët e humbura dhe për të mbrojtur ata që kanë mbetur, solidariteti global duhet të rindërtohet si diçka strukturore: e ngulitur në institucione, hapësira kulturore, programe politike dhe praktika të përditshme të rezistencës dhe kujdesit.
Përgjigja ndaj Gazës e ka ndryshuar tashmë vetëdijen globale. Nëse kjo e ndryshon fuqinë globale, do të varet nga zgjedhjet që bëjmë tani. Lufta për çlirimin e Palestinës ka qenë gjithmonë e lidhur pazgjidhshmërisht me luftën për drejtësi kudo.
Ajo që ndodh më pas do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e Palestinës, por edhe integritetin e çdo lëvizjeje globale që pretendon se qëndron kundër shtypjes.