Bashkëjetesa në Sarajevë: Trashëgimia shekullore e Perandorisë Osmane, po rrezikohet tani nga sionistët e Tel Avivit
Perandoria u tregua mikpritëse ndaj komuniteteve hebraike, në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës po i dëbonte ato. Sulltanët osmanë i lejuan të hapnin biznese, botonin libra dhe të kontribuonin në jetën ekonomike dhe kulturore të perandorisë. Sarajeva u bë një nga vendet ku kjo bashkëjetesë lulëzoi më gjallërisht se kudo. Sot kjo trashëgimi e mrrekullueshme bashkëjetese është nën sulm. Kërcënimi nuk po vjen nga brenda, por nga një fushatë e orkestruar nga qeveria izraelite në Tel Aviv, e cila, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kërkon ta portretizojë Sarajevën si një qytet antisemit…
Nga Nafisa Latic “Daily Sabah”
Jam rritur pranë varrezave të vjetra hebraike në Sarajevë. E vendosur në lagjen Kovačići, ajo është varreza më e madhe hebraike në Evropën Juglindore dhe, pas Varrezave të Vjetra Hebraike të Pragës, kompleksi i dytë më i madh i këtij lloji në kontinent.
Kaloja pranë saj të paktën dy herë në ditë, përpara se të largohesha nga shtëpia e prindërve të mi.
Gjatë agresionit serb ndaj Bosnjës dhe rrethimit të Sarajevës në vitet 1990, varrezat ishin në vijën e parë të frontit. Predhat dhe të shtënat me snajper e shkatërruan territorin e tyre, si shumë monumente të tjera të shenjta, që megjithatë patën fatin të mos shkatërroheshin plotësisht.
Babai im më tregoi dikur për mikun e tij të ngushtë, David Kamhi, një hebre boshnjak, violinist dhe intelektual që luftoi përkrah ushtarëve boshnjakë gjatë luftës kundër sërbeve. Kur filloi konflikti, ai tha se asnjë hebre nuk do të largohej nga Bosnja, veçanërisht sefaradët.
Madje edhe ata që ikën, do të ktheheshin më vonë. Bosnja ishte shtëpia e tij, siç kishte qenë për shekuj me radhë. Ai vdiq në Sarajevë në vitin 2021. Historia e tij, ashtu si varrezat hebraike, janë është një dëshmi e fatit të përbashkët të myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve në Sarajevë.
Varrezat më kujtojnë faktin, se midis të gjitha vendeve që hebrenjtë u detyruan të largoheshin, ata mbetën në Sarajevë për më shumë se 450 vjet. Historia hebraike në Bosnjë, filloi në fund të shekullit 15-të, kur hebrenjtë sefardikë që i ikën Inkuizicionit Spanjoll, gjetën strehim në territoret e administruara nga Perandoria Osmane.
Ajo që e bëri të mundur atë strehim ishte hapja e jashtëzakonshme që Perandoria Osmane tregoi ndaj komuniteteve hebraike, në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës po i dëbonte ato. Sulltanët osmanë u ofruan mbrojtje, të drejtën për të adhuruar dhe lirinë për të rindërtuar jetën në vendin e ri. Hebrenjtë sefardikë jo vetëm që ishin të mirëpritur, por ata inkurajoheshin të vendoseshin përherë aty, të hapnin biznese, të botonin libra, të praktikonin mjekësinë dhe të kontribuonin në jetën ekonomike dhe kulturore të perandorisë.
Gjatë sundimit osman, Sarajeva u bë një nga vendet ku kjo bashkëjetesë lulëzoi më gjallërisht se kudo. Kjo është arsyeja pse hebrenjtë që i iknin persekutimeve mund të hidhnin rrënjë këtu, jo si të huaj, por si fqinjë - duke ndihmuar në formësimin e vetë karakterit të qytetit, që më vonë do të njihej si “Jerusalemi i Vogël”.
Harmonia në shënjestër
Por sot kjo trashëgimi e mrrekullueshme bashkëjetese është nën sulm. Kërcënimi nuk po vjen nga brenda, por nga një fushatë e orkestruar nga qeveria izraelite në Tel Aviv, e cila, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kërkon ta portretizojë Sarajevën si një qytet antisemit.
Kjo fushatë e shtrembëron historinë dhe kërcënon vetë identitetin e Bosnjë-Hercegovinës si një shoqëri multikulturore. Përpjekjet për ta paraqitur Bosnjën si armiqësore ndaj hebrenjve, janë ndoshta sulmi më i rrezikshëm ndaj shpirtit të saj multikulturor që nga lufta e viteve 1990. Sfondi është gjenocidi në Gaza dhe politikat e qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Bregun Perëndimor të pushtuar prej tyre. Ndërsa Izraeli përballet me një dënim global për gjenocidin në Gaza, disa zyrtarë dhe aleatë po kërkojnë të delegjitimojnë kritikat duke i etiketuar të tjerët si antisemitë.
Importimi i këtij konflikti në Bosnjë është i pamatur dhe i dëmshëm, vetëm pak dekada pasi vendi u përball me konfliktin e tij të përgjakshëm. Në ditët e para të luftës në Gaza, komuniteti hebraik i Sarajevës paralajmëroi se qyteti nuk duhet të bëhet kurrë një skenë nga e cila justifikohet gjenocidi.
Dhe në fakt nuk ka qenë kurrë i tillë. Në fakt, Sarajeva ka qenë ndër qytetet më të zhurmshme në Evropë që protestojnë kundër gjenocidit. Hebrenjtë dhe myslimanët kanë qëndruar krah për krah, duke i bërë thirrje botës të veprojë, ashtu siç dikur paraardhësit e tyre qëndruan së bashku kundër fashizmit.
Tensionet u rritën në qershor, kur zyrtarët boshnjakë anuluan një takim të madh të Konferencës së Rabinëve Evropianë në Sarajevë. Reagimet politike dhe presioni publik i detyruan autoritetet lokale të tërhiqeshin nga organizimi, dhe kështu konferenca u zhvendos në Mynih.
Udhëheqësit hebrenj e quajtën anulimin si një akt “antisemit”. Në gusht, drejtori i Muzeut Kombëtar të Bosnjë-Hercegovinës, vendosi të dhurojë të ardhurat nga një botim rreth Haggadës së Sarajevës për të ndihmuar civilët në Gaza. Haggada, një dorëshkrim i ilustruar i shekullit të 14-të, është një nga thesaret kulturore më të vlefshme të vendit.
Disa organizata globale hebraike e kritikuan gjestin, dhe ambasadori izraelit në Bosnjë paralajmëroi se veprime të tilla mund të jenë “pjesë e një tendence më të gjerë”. Ndihma ndaj njerëzve që vuajnë në Gaza ose kritika ndaj politikave izraelite nuk është antisemite. Antisemitizmi është urrejtje ose diskriminim ndaj hebrenjve si popull ose fe. Barazimi i dhembshurisë për palestinezët me antisemitizmin, e dëmton humanizmin dhe luftën kundër antisemitizmit të vërtetë. Pastaj erdhën sportet.
Një ndeshje basketbolli midis Hapoel Tel Aviv të Izraelit dhe një ekipi nga Dubai, e zhvilluar në Sarajevë, u bë një tjetër pikë e nxehtë debatesh. Loja u zhvendos në Zetra Hall dhe u luajt pa praninë e publikut për “arsye sigurie”.
Më pas, investitori izraelito boshnjak Amir Gross Kabiri e quajti Sarajevën “qytetin më antisemit në këtë pjesë të botës”, duke pretenduar se ishte “i rrezikshëm për një ekip izraelit”. Rreziku i vërtetë nuk qëndron në Sarajevë, por në importimin e konflikteve globale në një vend që tashmë ka vuajtur si një fushë beteje me ndërmjetës.
Ironikisht, deklarata e Kabirit ka hapur një debat të brendshëm mbi antisemitizmin, një debat që rrezikon të shfrytëzohet për të shkëputur vëmendjen nga problemet e vërteta të brendshme të Bosnjës: tensionet politike, ndarjet etnike dhe korrupsioni.
Bosnja, një vend kandidat për në BE, nuk duhet të lejojë që e ardhmja e saj evropiane të rrezikohet nga narrativat që shtrembërojnë historinë e saj. Brukseli e kupton se si lufta në Gaza ka riformësuar diplomacinë globale, dhe nëse lihen të pakundërshtuara, akuza të tilla mund të ndryshojnë rrugën e Bosnjës drejt Evropës.
Pas këtyre incidenteve, Sarajeva dëshmoi grafitin e parë antisemitik. Një grua myslimane me shall, një stiliste e njohur, fustanet e së cilës vishen në Hollyëood, doli dhe e pastroi vetë murin.
“Jo në qytetin tim”- tha ajo.
Banorët e Sarajevës, pavarësisht nga feja, kanë vuajtur shumë për të mos lejuar kërcënimin e identitetit të tyre multikulturor. Ne e paguam tashmë çmimin dhe jemi ende në fazën e rimëkëmbjes. Pa atë identitet, Sarajeva do të pushonte së ekzistuari siç e njohim ne.
Varrezat hebraike, më kujtojnë se historia e Sarajevës nuk është histori përçarjesh, por qëndrese, kulturash të ndërthurura dhe besimesh që bashkëjetojnë. Përpjekja për ta rishkruar këtë histori për qëllime politike është e rreme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, në një vend që ende përballet me kërcënime ndaj sovranitetit të tij.
Shënim: Nafisa Latic, moderatore dhe gazetare e njohur, eksperte mbi politikën në Evropën Juglindore, çështjet turke, zgjerimin e BE-së dhe të drejtat e njeriut.