“Ishte detyra jonë ta ngrinim zërin!”, si dështoi shoqëria i.zraelite të ndalonte v.rasjet në Gaza
Turpi i vërtetë i Izraelit - edhe më i madh se ai që bënë “izraelitët e këqij” (e djathta ekstreme, kolonët, etj.) - qëndron në atë që nuk bënë “izraelitët e mirë”. Njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm, nuk bënë asgjë ndërsa shteti i tyre kreu një masakër në Gaza, madje edhe tani nuk kanë ndonjë vështirësi të veçantë të jetojnë me atë mungesë veprimi...
Nga Nadav Lapid “Der Spiegel”
Filmi im i fundit “Yes” (Po), u frymëzua nga piktura me titull “Shtyllat e shoqërisë” të artistit gjerman Georg Groz. Në këtë vepër të famshme arti, paraqiten një ekonomist, një ushtar dhe një prift. Ata po festojnë, po pinë dhe kënaqen.
Fytyrat e tyre janë të fryra, shtazarake, groteske. Buzëqeshjet e tyre të neveritshme. Viti:1926. Vendi: Berlin. Këto ishin edhe shtyllat e shoqërisë gjermane, pak para ngjitjes në pushtet të nazizmit: të deformuara fizikisht, mendërisht dhe moralisht.
Po çfarë po festojnë ata? Pushtetin e tyre aktual? Apo tmerret që do të shpërthenin vetëm pak vite më vonë, të cilat Groz i parandjeu që atëherë? Në vitin 1926, Gjermania nuk kishte rënë ende në humnerën e madhe. Në teori, të gjitha mundësitë e të ardhmes ishin ende të hapura.
Por në pikturën e Groz-it, mund të shihej tashmë sëmundja terminale e një shoqërie, shtyllat e së cilës janë këta burra. Figurat, titulli, stili i ekzagjeruar, që të gjitha flasin për të njëjtën të vërtetë: Siç ndodh gjithmonë, e ardhmja monstruoze shkëlqen tashmë brenda të tashmes.
Groz, besnik ndaj vokacionit të artistit, nuk pyet se çfarë do t’i ndodhë Gjermanisë, por përkundrazi ngre pyetjen: Çfarë është Gjermania? Ndonjëherë, përgjigja e pyetjes së dytë, të jep përgjigjen e së parës. Toni sureal i tablosë së famshme të Groz-it është një pasqyrim i tmerrshëm i psikikës kolektive gjermane të asaj kohe.
Grotesku e nxjerr shpirtin nga trupi. Ky është në kuptimin më të thellë të fjalës, një dokumentim i së vërtetës, i realitetit. Për ta nxjerrë atë nga normaliteti i rremë i jetës së përditshme, Groz mbështetet tek ekzagjerimi, duke arritur kësisoj në një dokumentim të saktë. Një surrealizëm, që është në fakt realizmi më i thellë.
Turpi i vërtetë i Izraelit
Piktura e Groz shfaqet në filmin “Po”, si një parafrazim i shoqërisë izraelite, madje edhe para masakrës së 7 tetorit 2023 dhe gjenocidit në Gaza. Mesazhi është i qartë: Përpara jush qëndron një shoqëri e sëmurë dhe në prag të një humnere morale.
Fushata izraelite e vrasjeve dhe shkatërrimeve në Gaza u ndërpre pas dy vitesh, nga një shaka e keqe e historisë - nga Donald Trump - ndërsa Izraeli po marshonte drejt një kulmi tjetër të së keqes: planit për të zhdukur Qytetin e Gazës.
Por vetë izraelitët nuk i ndaluan vrasjet, dhe as që ishin afër ndalimit të tyre. Asnjë protestë apo kundërvënie e rëndësishme ndaj tmerrit në Gaza, nuk u pa në Izrael gjatë atyre dy viteve. Dhe një gjë e tillë ndoshta nuk do të kishte ndodhur as pas dy viteve të tjera.
Pati përplasje të forta për pengjet. Pati beteja të ashpra për korrupsionin e Netanyahut. Por jo mbi Gazën. Shoqëria izraelite nuk luftoi për të ndaluar tmerrin në Gaza, sepse nuk e shihte atë si një tmerr. Nuk u trondit prej tij atëherë, dhe nuk është e tronditur as tani.
Turpi i vërtetë i Izraelit - edhe më i madh se ai që bënë “izraelitët e këqij” (e djathta ekstreme, kolonët, etj.) - qëndron tek ajo që nuk bënë “izraelitët e mirë”. Njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm që nuk bënë asgjë, ndërsa shteti i tyre kreu një masakër dhe që tani nuk kanë ndonjë vështirësi të veçantë të bashkëjetojnë me atë mungesë veprimi.
Duke hequr frenën e fundit
A është kjo e habitshme? Ndoshta jo. Verbëria, indiferenca ndaj gjakut të të tjerëve, racizmi, ndjenja e superioritetit moral, viktimizimi i përjetshëm që çliron shpirtin e luftëtarit nga çdo kufizim, adhurimi i ushtrisë: E gjitha kjo ishte aty që shumë kohë më parë.
Mizoria e tmerrshme e Hamasit më 7 tetor 2023, ia hoqi edhe frenat e fundit, dhe e shndërroi në një mundësi të prekshme fantazinë e “zgjimit në një mëngjes pa palestinezë”. A e tregoi kinemaja izraelite historinë e kësaj shoqërie, të këtij Izraeli?
A do ta kishte parashikuar një shikues besnik i filmave izraelitë gjatë dy dekadave të fundit, aftësinë e shtetit të tij për të kryer një gjenocid? A do t’i kishte menduar një shikues i tillë se izraelitët që do ta mbështesnin një gjenocid të tillë? Apo ata që do të mësoheshin kaq lehtë me të?
Shumë filma izraelitë janë marrë me politikën, duke e vënë në dukje këtë problem apo atë padrejtësi, shpesh në mënyrë të ashpër, veçanërisht në gjininë e dokumentarit. Por pak prej tyre kanë pyetur jo vetëm se çfarë bëmë, por edhe: Çfarë jemi ne?
Përqendrimi tek një problem i vetëm vepron si një lloj qetësuesi. Shoqëritë normale kanë probleme politike për të zgjidhur. Por shoqëritë në krizë ekzistenciale, nuk kanë një numër problemesh të ndryshme, ato kanë një problem të madh: vetë imazhin e tyre siç reflektohet në pasqyrën në të cilën refuzojnë të shikojnë.
Një shoqëri e shkëputur nga realiteti
Kjo shoqëri izraelite mungon në ekran. Duket sikur edhe ne, regjisorët, jemi të verbër ndaj ekzistencës së saj. Në këtë kuptim, kinemaja izraelite u tregua vërtet izraelite. Ne e ndanim plotësisht verbërinë izraelite ndaj vetes. Vitet e fundit, kinemaja jonë ka zgjedhur tradicionalisht një formë shumë standarde të realizmit.
Ajo është një kinema që e shenjtëron idealin e afërsisë me realitetin, ndërsa hedh poshtë çdo gjë që duket si ekzagjerim. E jona është një shoqëri ekstreme, e cila është ironikisht alergjike ndaj ekstremeve. Një shoqëri plot teprime që i urren teprimet. Një kinema realiste, që në retrospektivë, është e shkëputur nga realiteti.
Xhirimet dhe skenat tona, të menduara për të pasqyruar realitetin, ishin në fakt një perde tymi që e fshihte atë. Një kinema e ekuilibruar për një vend të çmendur, dhe për këtë arsye ndoshta edhe bashkëpunëtore në çmendurinë e tij. Në këtë kuptim, ne dështuam.
Ndoshta njëlloj si industritë e tjera të filmit që nuk arritën të parashikonin katastrofën që po u afrohej. (Cili regjisor amerikan e parashikoi ndonjëherë ngritjen e Donald Trump - si njeri apo si mit? Ndoshta vetëm David Lynch.) Por secili prej nesh duhet të përballet me dështimin e tij.
Kërcyem në humnerë njëlloj si politika
Edhe pse ushtria jonë shtypi Gazën, ne si artistë dhe regjisorë, nuk bëmë pothuajse asgjë. Mediat, dhe veçanërisht televizioni, zgjodhën me vullnetin e tyre të lirë të mos u tregonin izraelitëve tmerrin që zhvillohej vetëm një orë larg me makinë nga Tel Avivi.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ishte përgjegjësia jonë që të përdornim mjetet tona artistike për të krijuar një alternativë ndaj propagandës, një imazh dhe një tingull alternativ. Një mobilizim kinematografik si ai që ndodhi pas 7 tetorit, kur industria kinematografike e Izraelit nxitoi të dokumentonte mizoritë kundër izraelitëve dhe të bërtiste për pengjet.
Kjo nuk ndodhi për Gazën. Arti në Izrael, nuk e sfidoi politikën izraelite në asnjë mënyrë kuptimplotë, dhe në këtë mënyrë zgjodhi të zhytej bashkë me të në të njëjtën humnerë morale. Ne, artistët izraelitë, zgjodhëm të jemi më shumë izraelitë sesa artistë.
Tani, meqë bota e ka mëshiruar dhe i bërë një nder Izraelit duke e detyruar të ndalet në gjenocidin që po kryente, shpirti izraelit ndodhet në një udhëkryq. Por ai nuk ka nxjerrë asnjë përfundim, s’ka nxjerrë asnjë mësim. Dhe mbi të gjitha nuk ndjen asnjë keqardhje.
Mbetet arrogant, i butë ndaj vetes dhe i pamëshirshëm ndaj të tjerëve. Verbëria e tij, është ende e pafajshme dhe vrasëse, dhe ndahet si nga izraelitët “e këqij” ashtu edhe nga ata “të mirë”. “Është vetëm një mjegull!”, thanë shumë prej nesh kur po xhironim skenat për filmin pranë Gazës, ndërsa re të dendura tymi ngriheshin nga ndërtesat e rrënuara.
Pasi dështuam të tregonim historinë e Gazës, e cila është kryesisht historia e shpirtit tonë të sëmurë; pasi heshtëm kur ishte detyra jonë të bërtisnim, a do ta dimë tani, duke parë prapa në kohë, se si ta filmojmë atë? A do të jemi në gjendje ta zhdukim qetësinë e rreme nga kinemaja jonë, dhe ta kthejmë ekranin në një pasqyrë të fytyrës sonë të vërtetë? Ashtu siç bëri Georg Groz para një shekulli?
Shënim: Nadav Lapid lindi në vitin 1975 në Tel Aviv dhe është një skenarist dhe regjisor filmi izraelit. Ai ka studiuar për filozofi dhe letërsi në Tel Aviv dhe Paris dhe pastaj u fokusua tek filmi. Në vitin 2019, fitoi Ariun e Artë në Berlinale për dramën autobiografike “Sinonime”, në të cilën ai përshkruan shërbimin e tij traumatik në ushtrinë izraelite, si dhe përvojat e tij si emigrant në Francë. Në vitin 2021, u vlerësua me Çmimin e Jurisë në Kanë për filmin “Gjuri i Ahed-it”, në të cilën ai trajton përvojat e tij me censurën shtetërore. Në filmin e tij të ri “Yes” (Po), që ka nisur të shfaqet në Gjermani më 13 nëntor, një kompozitor oportunist pranon një porosi për të shkruar një himn të ri kombëtar për Izraelin ndërsa vazhdon lufta në Gaza.