Pse është i dënuar të dështojë plani i paqes i Trumpit për Gazën
Nga Felicity Wong “Harvard Political Review”
Euforia mbi armëpushimin në Gaza dhe planit të paqes prej 20 pikash të presidentit amerikan Donald Trump, është deri diku e kuptueshme. Të gjithë pengjet ende të gjallë po lirohen, ndihma humanitare po mbërrin, dhe kemi parë një nivel të jashtëzakonshëm të mbështetjes globale. Por zbatimi i këtij plani ka ngecur që në ditët e para. Izraeli dhe Hamasi, shkëmbyen menjëherë akuza për shkeljen e paktit, dhe ndërmjetësuesit e jashtëm u angazhuan sërish që të shmangnin rrëzimin e plotë të marrëveshjes.
Por le të supozojmë skenarin më të mirë: Izraeli tërhiqet plotësisht sipas afatit të përcaktuar, Hamasi çarmatohet plotësisht, ndihmat hyjnë në Gaza në shkallë të gjerë, dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë zbarkojnë në kohën e duhur. Edhe në këtë skenar, plani duket i përcaktuar të dështojë.
Kjo sepse qëllimi i tij është shumë i ngushtë, gjuha e përdorur tejet e paqartë, dhe sepse mbështetet shumë tek modele rindërtimi që kanë dështuar vazhdimisht diku tjetër. Rezultati është një rrezik i lartë i rikthimit tek konflikti.
Origjina e planit të Trump, qëndron tek popullariteti i madh planeve liberale të ndërtimit të paqes në vitet 1990, kur fundi i Luftës së Ftohtë inkurajoi besimin në shtrirjen universale të ekonomisë së tregut dhe demokracisë liberale.
Neoliberalizmi, besimi se tregjet e lira sjellin rritje ekonomike dhe bashkë me të stabilitet politik, u zbukurua me gjuhën e “reformave demokratike”, dhe u trajtua si rruga e duhur drejt paqes. Por në fillim të viteve 2000, u bënë të qarta kufizimet e kësaj qasjeje.
Në Bosnje Hercegovinë, Timorin Lindor, Irak dhe Afganistan, “praktikat më të mira” të importuara, i shpërfillën kapacitetet dhe realitetet politike lokale. Privatizimi u zbatua më shpejt se sa kapaciteti shtetëror mund të rregullonte tregjet, duke shkaktuar korrupsion dhe kolapsin e shërbimeve publike.
Reformat e tregut, favorizuan kontraktorët e jashtëm dhe elitat lokale, duke nxitur pabarazi. Liberalizimi dështoi sepse supozonte sundimin e ligjit, besimin social dhe infrastrukturën administrative, të cilat mungonin në këto shoqëri të dala nga konfliktet.
Nga këto zhgënjime, doli e ashtuquajtura qasje lokale, bazuar në pranimin e faktit se paqja e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë, por duhet të rritet nga brenda. Plani 20-pikësh i Trump i lë kryesisht mënjanë këto mësime. Ai kthehet enkas tek qasja e “paqes përmes rritjes ekonomike”.
Ai premton vazhdimisht një “ekonomi të begatë” dhe një “Gazë të Re”, dhe e vendos ringjalljen ekonomike në qendër të teorisë së tij të ndryshimit. Instrumentet e propozuara janë të njohura nga episodet e mëparshme të rindërtimit pas konfliktit (një zonë ekonomike speciale, ulje tarifash dhe kuota eksporti të hartuara enkas për ta përfshirë Gazën në tregjet rajonale dhe globale, së bashku me tërheqjen e investimeve të huaja).
Por këto mekanizma janë provuar më parë dhe në Palestinë. Qasja preferenciale ishte një shtyllë e strategjive liberale të paqes në vitet 1990, dhe u shfaq dukshëm në Palestinë pas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993. Pavarësisht preferencave tregtare të BE-së dhe SHBA-së, eksportet palestineze në BE mbetën të papërfillshme deri në vitin 2024, ende nën 40 milionë euro në vit.
Dhe vështirë se të njëjtat masa, të zbatuara në kushtet e një shkatërrimi ekonomik të madh, do të jepnin sot rezultate të ndryshme. Leon Seidl nga Revista Evropiane e së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se plani Trump, pasqyron gabimet e mëparshme: duke imponuar qeverisje “jopolitike” dhe një proces rindërtimi në shoqëri thellësisht të përçara.
Modeli i qeverisjes, ringjall një tjetër mbetje të ndërhyrjeve të dikurshme të dështuara: shtetin teknokratik. Thuhet se rindërtimi i Gazës do të udhëhiqet nga një Bord Paqeje i kryesuar nga vetë Trump, dhe me ish-kryeministrin britanik Tony Blair si homologun e vetëm të emëruar.
Nën këtë bord, një “komiteti të përkohshëm teknokratik palestinez”, i përbërë pjesërisht nga ekspertë ndërkombëtarë, i është besuar qeverisja e përditshme. Një strukturë e tillë, mishëron “administratën jopolitike”, një qeverisje të imponuar në emër të neutralitetit, por që në thelb i nënshtrohet interesave të huaja.
Aspirata e planit për të vendosur një “qeverisje moderne dhe efikase”, të frymëzuar nga “modelet e shkëlqyera të Lindjes së Mesme”, evokon në fakt të njëjtën teknokraci utopike që dikur udhëhoqi misionet në Kosovë dhe Irak. Në të dyja rastet (Kosova nën misionin e OKB-ës dhe Iraku nën Autoritetin e Përkohshëm të Koalicionit Amerikan), administratat e udhëhequra nga Perëndimi zbatuan plane institucionale gjithëpërfshirëse që i anashkaluan aktorët vendas, nxitën korrupsionin dhe që u shembën pasi mbaroi mbikëqyrja ndërkombëtare.
Problem është edhe forma e kufizuar e përfaqësimit lokal e parashikuar në plan. Mandati i dyfishtë i komitetit palestinez, për t’i shërbyer popullsisë duke tërhequr investimet e huaja, përmban një kontradiktë të qëndrueshme. Në të, qeverisja konceptohet më pak si një mjet pjesëmarrjeje politike, dhe më shumë si një mekanizëm për të siguruar besimin e tregut.
Për më tepër, edhe nëse supozojmë se do të jenë efektive taktikat neoliberale dhe teknokratike të rindërtimit, analistët e RAND paralajmërojnë: që të funksionojnë këto plane humanitare dhe të qeverisjes, nevojiten “qindra administratorë me përvojë, jopolitikë dhe të guximshëm... p[or edhe logjistikë, mbështetje nga shërbimet e inteligjencës dhe një rrjet sigurt komunikimi”.
Institucionet e Gazës janë në rrënoja, ekonomia është e paralizuar dhe shoqëria e saj është e traumatizuar. Pritshmëria për një transformim të shpejtë, shpëfill realitetet e ashpra të qeverisjes së shkatërruar nga lufta.
Së fundmi, ekziston një boshllëk pushteti: në mungesë të autoritetit të vërtetë lokal, qeverisjanë Gaza do të fragmentohej midis milicive të mbështetura nga Izraeli, rrjetet klanore dhe fraksionet kriminale si Forcat Popullore, Forcat e Mbrojtjes Popullore të Shujaijas dhe Klanet Doghmosh dhe Al-Majajda.
Këto grupime jo vetëm që janë edhe më pak të përgjegjshme se Hamasi, por rrezikojnë të zëvendësojnë autoritetin e centralizuar të Hamasit me rivalitete ndërmjet sunduesve lokalë.
Nga ana tjetër, plani e trajton Gazën si një problem të izoluar.
Ai bën vetëm një referencë kalimtare për Brezin Perëndimor, Jeruzalemin Lindor ose sistemin më të gjerë të pushtimit dhe vendbanimeve që ka nxitur prej kohësh konfliktin. Ai nuk ofron asnjë plan për prishjen e vendbanimeve ta paligjshme të kolonëve hebrenj, tërheqjen e plotë të Izraelit nga Bregu Perëndimor, apo garantimin e të drejtave të barabarta për palestinezët në ato territore.
Historia na tregon se plane të tilla të pjesshme, si Procesi i Oslos në vitet 1990 ose “shkëputja” e Izraelit nga Gaza në vitin 2005, nuk sollën as paqe dhe as zhvillim, pasi enklava mbeti nën bllokadë dhe e shkëputur nga Brezi Perëndimor.
Palestinezët, si në Brezin Perëndimor ashtu edhe në Gaza, ndajnë një identitet kolektiv dhe aspirata kombëtare të rrënjosura tek përvoja e pushtimit izraelit. Sa herë që dhuna përshkallëzohet në një territor, ajo ka shkaktuar protesta solidariteti dhe veprime hakmarrëse në territorin tjetër.
Çdo përpjekje për ta izoluar Gazën, është e destinuar të riprodhojë të njëjtën paqe të dështuar.
Teksti i planit të paqes është plot ambicie, por i dobët në mekanizma. Lidhur me shtetësinë, thuhet vetëm se: “Kur të ecë përpara rindërtimi i Gazës dhe të zbatohen siç duhet reformat e Autoritetit Palestinez, mund të ekzistojnë më në fund kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, të cilën ne e njohim si aspiratë të popullit palestinez”.
Vini re fjalën kyçe: “mund”. Është e kushtëzuar, dhe programi i reformave i Autoritetit Palestinez, është i paqartë dhe i papërcaktuar. Nuk ka mandat dhe asnjë afat kohor të drejtpërdrejtë. Në thelb, dështimi për të garantuar një shtet të qëndrueshëm palestinez i lë të paprekura kushtet materiale që mbështesin ciklin e dhunës: sekuestrimet e tokës, shkatërrimet e shtëpive dhe dhunën nga kolonët izraelitë.
Dhuna në Palestinë nuk ndodh në vakuum; ajo lind nga përvoja e jetuar e zhvendosjes dhe kontrollit të ngjashëm me aparteidin, që e bën rezistencën politike të duket si e vetmja rrugë e mbetur për ruajtjen e dinjitetit.
Në retorikën e Shtëpisë së Bardhë, plani i paqes i Trumpit për Gazën është një “vizion i guximshëm”, një “ndryshues loje”, një shans që Gaza të rindërtohet, që pengjet të kthehen dhe që paqja të mbizotërojë. Por detajet e vogla zbulojnë se një paqe e qëndrueshme është e pamundur.
Plani ofron një iluzion progresi: i përqendruar tek rindërtimi dhe jo drejtësia; i hartuar për një elitë teknokratike dhe jo për fuqizimin e komunitetin; i bazuar tek supozimet e rritjes ekonomike dhe jo ndryshimeve strukturore politike. Gaza ka njohur edhe më parë armëpushime.
Ato ndërpresin luftëra të gjata, ngjallin shpresa dhe shemben kur faktorët strukturorë mbeten të paprekur: pushtimi, zgjerimi i vendbanimeve, padrejtësia dhe privimi. Edhe ky plan trajton simptomën në vend të shkakut rrënjësor.
Nëse nuk ka një marrëveshje të zgjeruar politike, që të përfshijë Brezin Perëndimor, sigurojë një qeverisje të barabartë, të mbajë përgjegjëse të gjitha palët dhe të njohë të drejtat e palestinezëve, jetët e miliona njerëzve në Gaza mund të përjetojnë një tjetër pauzë të brishtë, por jo një paqe të qëndrueshme.